Qytetarët e mirë që nuk votojnë
Amerikanët do të qeshnin me vete, nëse do të shihnin sa shumë grekë po planifikojnë të mos votojnë në zgjedhjet parlamentare evropiane. A nuk janë grekët një vend egërsisht politik, që dikur talleshin me amerikanët apolitikë, ngaqë shumë prej tyre nuk votonin në zgjedhjet presidenciale?
Shumë vetë mendojnë se grekët i shikojnë zgjedhjet evropiane si pa interes. Por, kush tha se amerikanët nuk i shikojnë në të njëjtën mënyrë? Pastaj, qytetarët amerikanë, përveç presidentit, votojnë gjithashtu për kongresmenët, senatorët, guvernatorët, Senatin e shtetit, kryetarët e bashkive e madje edhe për shefat e policisë, prokurorët e qarqeve etj.
E vërteta është se, në jetën e përditshme, Parlamenti Evropian duket realisht i largët. Nga njëra anë, vendimet e tij zbuten (e shpesh anulohen) nga politikat kombëtare dhe, në anën tjetër, duhet një kohë shumë e gjatë që këto vendime të zbatohen. Sigurisht, gjërat mund të bëhen më të thjeshta dhe më efektive, por Bashkimi Evropian është një eksperiment politik relativisht i ri, i vendosur gjithmonë mes unitetit dhe ndjeshmërive kombëtare të 27 vendeve të ndryshme.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne të heqim dorë prej tij dhe as që nuk ia vlen për një forum për diskutim.
Administrata e kaluar e Parlamentit Evropian diskutoi dhe miratoi një radhë ligjesh, me të cilat do të përballemi herët a vonë. Këto ligje kanë të bëjnë me numrin e orëve të punës, me ushqimin tonë, mjedisin, sigurinë e internetit e madje me ligjet për të drejtën e autorit - të gjitha çështje që do të na shqetësojnë në të ardhmen. Mënyra më e keqe për të zgjidhur këto çështje është të heqim dorë nga marrja e një vendimi politik. Natyrisht, asnjë politikan apo kombinim partish nuk do të jetë i përsosur, por padyshim disa janë më të mirë nga të tjerët. Kështu që, kur nuk pranojmë realitetin për shkak të diçkaje ideale, të gjithë ne jemi duke i shërbyer skenarit më të keq, sepse, siç ka thënë kritiku i dramës George Jean Nathan, “zyrtarët e këqij zgjidhen nga qytetarët e mirë që nuk votojnë”. Si amerikan, ai i di mirë ca gjëra.