E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetarët: Është urgjente nevoja për reformimin e RTVSh në shërbim të publikut e jo të pushtetitNga TemaNë një forum të organizuar nga Lëvizja G99 u diskutua mbi problemet e RTSh, i vetmi medium publik në Shqipëri, si dhe u ndanë ide se si ky institu

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Gazetarët: Është urgjente nevoja për reformimin e RTVSh në shërbim të publikut e jo të pushtetitNga Tema

Në një forum të organizuar nga Lëvizja G99 u diskutua mbi problemet e RTSh, i vetmi medium publik në Shqipëri, si dhe u ndanë ide se si ky institucion, që paguhet me taksat e shqiptarëve, të mund të funksionojë në mënyrë të pavarur e të mund t’i shërbejë publikut, jo pushtetit. Në këtë forum, përveç drejtuesve të G99, merrnin pjesë disa prej përfaqësuesve më në zë të gazetarisë shqiptare dhe të jetës publike në vend.

Disa prej tyre mbështetën madje idenë që, nëse RTSh nuk reformohet, por vazhdon të funksionojë në të njëjtën mënyrë klanore siç funksionon edhe sot, atëherë më mirë të mbyllet apo të shkrihet, pasi në këtë formë nuk i shërben asnjë qytetari të thjeshtë shqiptar që çdo vit është i detyruar të paguajë taksa për të.

“Këtë betejë për të pasur një televizion të ndershëm dhe efikas publik ne e kemi filluar më herët, dhe besojmë se akoma nuk është vonë për ta vazhduar, pasi stofi qytetar është diçka që e ke gjithmonë, jo përkohësisht”, - tha drejtuesi i G99, Erion Veliaj.

Ai nënvizoi se tashmë, jo vetëm pas raportit të djeshëm të Reporterëve pa Kufij, por pas një përvoje të gjatë edhe gjatë fushatës elektorale, është bërë e qartë se “është në kufijtë paradoksalë ajo që po ndodh me këtë televizion, që transmeton deri dhe emisione me sloganin “Pse është Berisha lideri më i dashur i të gjitha kohërave”…

Përfaqësuesi i G99, Arbi Mazniku, tha se “fakti që RTSh është sot dukshëm i uzurpuar nga pushteti, tregon se, kur uzurpohet një institucion i tillë, që faktikisht është në cep të vëmendjes së opinionit publik, tregon se rrjedhimisht janë uzurpuar edhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore sipër tij, që gjithashtu duhet të ishin të pavarura”.

“Kur kanë mundësi, shqiptarët nuk përdorin shërbimin publik shëndetësor, kur vjen puna te shkollimi, ata gjithashtu preferojnë të anashkalojnë arsimin publik. E ky fenomen vihet re në të gjitha shërbimet publike”.

Dervishi: Më mirë të lindë një tjetër transmetues publik me një imazh të ri

Gazetari Lufti Dervishi, njëkohësisht ish-Drejtor i Informacionit në TVSh, ishte i mendimit pothuajse radikal se ndoshta e vetmja zgjidhje do të ishte që ky institucion të mbyllej e të rihapej nga e para një tjetër medium publik, me një emër tjetër, me një staf tjetër e me një konceptim krejt tjetër. “Të ndryshojë komplet staf, të ndryshojë madje dhe godinën ku është vendosur e të ndryshojë edhe emrin”, - u shpreh Dervishi, “sepse ia vlen që të sakrifikohet ky institucion që është aktualisht, për hir të një kauze më të madhe, siç është pasja e një medieje të vërtetë publike, për publikun”.

Ndryshe u shpreh kryeredaktorja e “Gazetës Shqiptare”, Anila Basha, sipas së cilës ekzistenca e këtij institucioni është jetike për shumë zona të thella malore të vendit, por edhe për krahina të tëra në jug, të cilat, në mungesë të një televizioni shqiptar, detyrohen të ndjekin frekuencat e panumërta të medies greke. Basha ishte e mendimit se RTSh ka akoma potencialisht burime të mjaftueshme njerëzore që të reformohet e të ofrojë cilësi në shërbimin e tij. Gjithashtu, ajo tërhoqi vëmendjen ndaj faktit që “jo gjithmonë e ka fajin mazhoranca” dhe ngriti pyetjet: “Ku janë ata përfaqësues të Bordit drejtues, të cilët janë propozuar nga opozita? Pse nuk ka qoftë edhe një rast, kur publikisht njëri prej tyre të ngrejë zërin për çfarë po ndodh në atë institucion?”

Baze: Pasuritë e RTVSh po shpërdorohen

Gazetari Mero Baze, botues i gazetës “TemA” e drejtues i emisionit “Faktori Plus” në Vizion Plus, ngriti tri probleme, që, sipas tij, rëndojnë sot në këtë media që duhet të ishte publike. Duke folur për problemin e parë, sipas tij, politikën redaksionale, ai vuri në dukje se TVSh përfaqëson sot një “talebanizëm politik” dhe një strukturë të rrezikshme klanore. “Ata nuk persekutojnë sot vetëm opozitën, ata persekutojnë edhe këdo që brenda mazhorancës mendon ndryshe”, - tha Baze, sipas të cilit, “kjo është një bombë me sahat që përdoret për motive personale e që u duhet hequr sa më shpejt të jetë e mundur nga dora atyre që e posedojnë”. Baze, ish-anëtar i Bordit drejtues të RTSh, argumentoi gjithashtu se problem tjetër mbetet ndërtimi korruptiv i këtij institucioni. “Ka plot paketa ekskluzive, si për shembull paketa sportive e UEFA-s, e cila duhet t’u ofrohej falas shqiptarëve nga TVSh, por që praktikisht u shitet privatëve”, - tha ai. Më tej, duke pasur parasysh rastet me TV Klan, Baze përmendi se “pjesë e këtij strukturimi korruptiv, për shkak se në këtë institucion ka njerëz pa integritet moral, është edhe fakti që e gjithë arkiva e çmuar e TVSh i jepet një televizioni privat”.

Ka një vendim të BE për të dixhitalizuar deri në vitin 2012 të gjitha mediat publike. Dhe në kuadër të kësaj nisme do të akordohen shuma marramendëse. “Por, a ia vlen që këtë pasuri të shqiptarëve ta keq-menaxhojnë sërish ata që po keq-menaxhojnë TVSh?” - tha gjithashtu Baze.

Drejtori i Informacionit në Vizion Plus, Arban Hasani, tha se nuk është problem vetëm minutazhi i edicionit informativ në TVSh. Sipas tij, një shqetësim të përhershëm duhet të përbëjë edhe përmbajtja e gjithë pjesës tjetër të programacionit.

Nurellari: Paradoks është edhe ekzistenca e ATSh

Në këtë forum ishte i pranishëm edhe analisti Adri Nurellari, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se një tjetër paradoks shqiptar është edhe ekzistenca e ATSh, si një agjenci shtetërore. Sipas tij, nuk ka më sot as edhe një vend tjetër në botë që të ketë një agjenci me status shtetëror, pra, të kontrolluar tërësisht qoftë de facto e qoftë de jure nga shteti.

Duke folur për nevojën e reformimit të RTSh, e të TVSh në veçanti, Ylli Rakipi theksoi se kjo është nevojë e domosdoshme, duke qenë se TVSh është sot një medium i ndjekur nga të gjithë ata që nuk kanë mundësi të blejnë platforma dixhitale.

Çipa: Duhet një kuadër ligjor për të rregulluar shqetësimet

Përfaqësuesi i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, theksoi domosdoshmërinë e rregullimit me një bazë ligjore të të gjitha këtyre shqetësimeve. Ai madje përmendi raste të shumta të gazetarëve të pushuar, sipas tij, padrejtësisht nga TVSh e që aktualisht po i ndjekin këto çështje në gjykatën e Tiranës. Nga ana tjetër, drejtori i gazetës “Shekulli”, Adrian Thano, përmendi si problem mungesën e profesionalizmit në TVSh, por shprehu shqetësimin se, edhe në rast se tejkalohet ky problem, askush nuk garanton që politika nuk do gjejë forma të ndryshme kontrolli ndaj kësaj medieje.

Zaloshnja: Një bord drejtues me formulë të re për drejtimin e RTVSh

Gazetari Çerçiz Loloçi tha se është e nevojshme që Bordi drejtues i TVSH të përbëhet nga personalitete publike dhe me integritet.

Ndërsa Eduard Zaloshnja hodhi në tryezë idenë e krijimit në këtë institucion të një bordi me shumicë anëtarësh të propozuar nga opozita dhe dhënies së këtij bordi më shumë autoritet. “Drejtori i Përgjithshëm le të propozohet nga mazhoranca, ama bordi të ketë mundësi ta shkarkojë, sa herë që ky drejtor shkel standardin e medies publike”, - tha Zaloshnja. Sipas tij, një mundësi e dytë për përmirësimin e situatës do të ishte krijimi i dy kanaleve, qoftë televizive, qoftë radiofonike publike, e njëri të kontrollohej nga mazhoranca, e tjetri nga opozita, “por kjo mundësi do të kishte kosto më të mëdha financiare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›