PD: Fajtore për gjendjen e rëndë të medies është opozita. Raportet nuk janë sinjale alarmiNga TemaEdhe pse raporti i Reporterëve pa Kufij dhe Komisioni Evropian në raportin e tij të përvitshëm bënin fajtore qeverinë për gjendjen e rëndë të lirisë së
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
PD: Fajtore për gjendjen e rëndë të medies është opozita. Raportet nuk janë sinjale alarmiNga TemaEdhe pse raporti i Reporterëve pa Kufij dhe Komisioni Evropian në raportin e tij të përvitshëm bënin fajtore qeverinë për gjendjen e rëndë të lirisë së medies në Shqipëri, partia kryesore e mazhorancës bëri dje fajtore opozitën për këtë situatë.
Zëdhënësja e PD tha dje se mediat kundër qeverisë po përhapin panik. Ajo tha se fajtorë për këtë situatë të rëndë janë pronarët e medieve që janë pjesë e një tregu që ka ndërtuar Rama.
“E kërkuam këtë komunikim me median dhe opinionin publik për të dhënë komentet tona mbi raportin e fundit të Reporterë pa Kufij, të publikuar dje, e të keqinterpretuar, deformuar prej të njëjtëve individë e klane që çdo dite raportojnë të pavërtetën mbi situatën në Shqipëri.
Janë të njëjtat klane e të njëjtët individë që çdo ditë përpiqen të ngjallin katastrofizëm e panik në mediet që sundojnë, duke abuzuar me kohën, emocionet, intelektin dhe paratë e shqiptarëve. Duke pasqyruar të pavërtetën, madje të kundërtën e së vërtetës, për qëllime e parime krejtësisht të kundërta me ato, mbi të cilat duhet të mbështesë misionin e saj një medie e lirë, në një vend të lirë, informimin e paanshëm të opinionit publik.
Raporti përcjell një mesazh të qartë për të gjithë editorialistët, botuesit dhe pronarët e medies në Shqipëri, për shkak se njihet tashmë mirë, dhe ne e kemi denoncuar vazhdimisht, shantazhin ose ankandin e ashtuquajtur leje ndërtimi = kohë televizive, ku kryetari i PS, Edi Rama, është ideatori dhe ndërtuesi i këtij tregu të turpshëm”, - tha zëdhënësja e PD.
“Është e vërtetë që raporti i publikuar i Reporterëve pa Kufij lëshon një sinjal alarmi, por jo për lirinë e medies në Shqipëri! Raporti është një sinjal alarmi për përgjegjshmërinë, integritetin, profesionalizmin dhe raportin e medies me të vërtetën në Shqipëri. Nga ana tjetër, PD, si partia e parë që rivendosi në Shqipëri të drejtën e fjalës dhe të drejtën e shprehjes, dhe kjo mazhorancë rikonfirmojnë vendosmërinë e palëkundur dhe angazhimin e saj në mbështetjen dhe mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të medieve në Shqipëri, të lirisë së të shprehurit si dy nga shtyllat bazë të demokracisë në vend”, - thuhet në deklaratën e PD.
Rama: Raporti për lirinë e medies nuk është asgjë në krahasim me situatën shumë të rëndë të saj
Kryetari i Partisë Socialiste tha dje se raporti i Reporterëve pa Kufij nuk është asgjë në krahasim me situatën shumë më negative të lirisë së medies në vendin tonë.
“Sot media në Shqipëri vuan si asnjëherë më parë rrezikun e asimilimit brenda një sistemi të korruptuar dhe korruptiv që administrohet nga Sali Berisha.
Kryeministri nuk i padit dhe nuk ka nevojë t’i padisë gazetarët, sepse kërcënon vijimësisht pronarët, që më pas ata bëhen barrë mbi gazetarët. Ky kërcënim më pas është i orkestruar sipas modeleve më kërcënuese për demokracinë, që janë modele të aplikuara në vende gjysmë-demokratike dhe në vende ku liria është e administruar nga pushteti. Kështu që s’ka asnjë diskutim që Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe funksionet e demokracisë janë të kërcënuara shumë seriozisht. Megjithatë, për fat të mirë, nga ana tjetër, Shqipëria ka një opozitë të madhe dhe mjaftueshmërisht të fortë për t’ia shkurtuar ditët kësaj qeverie dhe për ta ndarë përfundimisht të ardhmen e popullit shqiptar nga pushteti i Sali Berishës”, - tha Rama.
Drejtuesi i opozitës foli edhe për problemin e transmetuesit publik. “Kemi edhe TVSh në atë horizontin e kërkesave dhe të shqetësimeve tona të mëdha, këtë televizion publik, të kthyer në një vegël qorre të Sali Berishës, që sot në 2009, është turp për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët që paguajnë edhe një taksë për këtë palo ekran, ku, pavarësisht atyre që kontribuojnë për bukën e gojës dhe përpiqen që me profesionalizmin e tyre të japin sadopak dimension normaliteti, mbetet një ekran i pështirë dhe një pamje shumë besnike e gjithë kësaj maskarade që pushteti në Shqipëri bën me mediet dhe botën e medieve”, - tha Rama.