14 vjet nga zhdukja e Remzi Hoxhës, familjarët akuza qeverisë së BerishësNga TemaNë 14-vjetorin e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, familjarët e tij kanë akuzuar qeverinë Berisha se ka penguar qëllimisht mos-zbardhjen e zhdukj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
14 vjet nga zhdukja e Remzi Hoxhës, familjarët akuza qeverisë së BerishësNga TemaNë 14-vjetorin e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, familjarët e tij kanë akuzuar qeverinë Berisha se ka penguar qëllimisht mos-zbardhjen e zhdukjes së tij. Jo vetëm kaq, por, sipas tyre, personat që akuzohen për rrëmbimin e Hoxhës, janë vendosur në poste drejtuese në shtet, siç është rasti i Arben Sefgjinit. Familjarët kanë protestuar me pankarta përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe kanë kërkuar sa më parë zbardhjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës.
Akuza
Familjarët e Remzi Hoxhës kanë hedhur akuza të rënda ditën e djeshme në ngarkim të qeverisë Berisha, e cila, sipas tyre, është bërë shkak për pengimin e zbardhjes së rrëmbimit dhe zhdukjes së të afërmit të tyre. Ka qenë djali i viktimës, Ardian Hoxha, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij për mosveprimin e drejtësisë në rastin e zbardhjes së eshtrave të të atit. “Nesër bëhen 14 vite nga zhdukja e tim ati në Tiranë dhe ne si familje jemi shumë të zhgënjyer për stërzgjatjen e çështjes dhe nuk kemi parë drejtësi. Ne presim të gjejmë trupin”, - shprehet Hoxha. Ky i fundit shprehet se gjatë këtyre viteve ka pasur qëllime për mbulimin dhe zvarritjen e çështjes së rrëmbimit dhe zhdukjes së të atit. “Vetë fakti se për 8 vite ka qenë në errësirë si rast dhe fakti që gjithnjë, edhe kur janë akuzuar personat, qeveria mundohet me mënyra të ndryshme, si shembull i Sefgjinit, që e emëron në poste shtetërore, ndërkohë që ai është i dyshuari kryesor për zhdukjen e babait tim”- thotë ai. Gjatë deklaratës së tij, Ardian Hoxha shprehet se, nëse vendi ynë nuk do ta zgjidhë këtë çështje, do ta çojë atë në Gjykatën e Strasburgut. “Ne presin drejtësi këtu, pasi nuk duam të turpërojmë shtetin shqiptar para botës, por, nëse kjo nuk ndodh, nuk na mbetet tjetër”, - përfundoi deklaratën e vet ai. Ndërkohë, familjarët e Remzi Hoxhës, të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia, kanë protestuar para Gjykatës së Krimeve të Rënda për mosgjetjen e trupit të tij. Ndërsa familjarët e biznesmenit protestonin, në gjykatë zhvillohej seanca e radhës ndaj ish-punonjësve të Shërbimit Informativ Kombëtar, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, që akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Hoxhës.
Zhdukja e Hoxhës
Në dosjen e prokurorisë në lidhje me rrëmbimin e Remzi Hoxhës thuhet se, “Remzi Hoxha është rrëmbyer në qendrën e punës nga persona të armatosur në datë 21.10.1995, rreth orës 13.30, dhe pasi është lidhur me pranga dhe maskuar në fytyrë, është dërguar në Vain, të rrethit Lezhë. Për kryerjen e këtij rrëmbimi janë përdorur tri makina të llojeve të ndryshme, njëra prej të cilave kishte të vendosura targat TR 2449 C. Nga verifikimi i kryer nga Drejtoria e Policisë Rrugore Tiranë dhe e konfirmuar me shkresën nr. 805/2 prot., dt 30.03.1996, ka rezultuar se targa TR2449 C ishte tërhequr nga drejtoria e Shërbimit Informativ Kombëtar për nevoja operative në muajin mars 1995. Rezulton e provuar se ndaj shtetasit Remzi Hoxha, pas dërgimit në qendrën e mësipërme, menjëherë kanë filluar keqtrajtimet dhe torturat. Një gjë të tillë e kanë deklaruar edhe të dëmtuarit Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj, ku ky i fundit pretendon se në një moment e ka parë rastësisht shtetasin Remzi Hoxha, duke kaluar në korridorin e ndërtesës ku mbaheshin të izoluar. Veprimet e secilit prej autorëve ndaj Remzi Hoxhës i kanë shpjeguar me detaje Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli, si dhe personat e tjerë që kanë qenë roje apo i kanë shoqëruar të dëmtuarit në momente të caktuara”.
Sevdie Hoxha: Sali Berisha më tha që ta gjej Remziun te SHIK
“Sali Berisha na tha që Remziun ta kërkojmë te SHIK”. Ka qenë kjo deklarata e bashkëshortes së Remzi Hoxhës, Sevdies, e cila ishte thirrur pak muaj më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, nën cilësinë e dëshmitares, së bashku me djalin e saj. “Për të mësuar për fatin e Remziut kemi trokitur në të gjitha dyert e institucioneve shtetërore. Sali Berisha, cili në atë kohë ishte President i Shqipërisë, nuk na priti, por nëpërmjet këshilltarëve të tij na tha që Remziun kërkojeni te SHIK. Kam takuar dhe gruan e tij, Lirinë, e cila më tha se do të interesohej për çështjen. Kemi kërkuar të takonim dhe Bashkim Gazideden. Por ai asnjëherë nuk na priti”, - tha Sevdie Hoxha. Bashkëshortja e të zhdukurit deklaroi se ka takuar dhe Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Fehmi Aganin për të marrë një përgjigje për fatin e njeriut të tyre. “Adem Demaçi na tha që nuk duhet ta kërkonim Remziun, por ai është babai i pesë fëmijëve të mi, e si mund të reshtja së kërkuari”, - tha dëshmitarja. Në fund të dëshmisë së saj, Sevdie Hoxha u shpreh se ajo dhe familja e saj nuk kërkonin dënimin e askujt, nuk donin as dëmshpërblim, por duan t’u kthehen të paktën eshtrat e Remziut, si dhe një varr ku të kenë mundësi ta qajnë. “Dua të paktën një thua, një gisht, një varr ku ta qajmë dhe nderojmë”, - pohoi gruaja që i ka rritur pesë fëmijët pa ndihmën e burrit të saj.