E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi që nuk mund të rritet Nga Ervin Qafmolla, “Mapo”Lajmi se pronari i ri i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), kompania çeke ĈEZ, kërkoi së fundmi një rritje të konsiderueshme të çmimit të energjisë elektrike, ishte një gjysmë-surp

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Çmimi që nuk mund të rritet Nga Ervin Qafmolla, “Mapo”

Lajmi se pronari i ri i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), kompania çeke ĈEZ, kërkoi së fundmi një rritje të konsiderueshme të çmimit të energjisë elektrike, ishte një gjysmë-surprizë për publikun, i cili ishte siguruar sakaq nga zyrtarët e qeverisë për fatura të përmbajtura të energjisë edhe pas privatizimit. Por çekët bënë lëvizjen e tyre, duke propozuar një rritje mesatare të çmimit prej 23% për të gjithë konsumatorët. Por, të shpërndara sipas grupeve të konsumatorëve, përqindjet marrin një tjetër kuptim. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka kërkuar një rritje të çmimit të energjisë elektrike në masën 18.7% për konsumatorët familjarë dhe një rritje të konsiderueshme për bizneset, respektivisht 22.7% për tensionin e ulët dhe 31.1% për tensionin e mesëm.

Shifrat në fjalë, ndonëse janë pjesë e Aplikimit për Rishikimin e Tarifës për vitin 2009, nuk janë publikuar ende zyrtarisht nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), ndonëse dokumenti në fjalë nuk mund të konsiderohet në asnjë rast konfidencial. Megjithatë, revista “Mapo” ka siguruar pjesë të këtij dokumenti përmes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, e cila ndryshe nga ERE, e gjeti të arsyeshme të vërë pjesë thelbësore të kërkesës së ĈEZ për rritje çmimi në dispozicion të revistës. Sakaq, ministria në fjalë duket se është pozicionuar thuajse haptas në favor të konsumatorëve, çka duket se përfaqëson edhe qëndrimin zyrtar të qeverisë. Vetë ministri i Energjitikës, Dritan Prifti, ka mbajtur një qëndrim publik gati proteksionist, duke i bërë thirrje ERE-s që të tregojë shumë kujdes lidhur me kërkesën e çekëve për rritje çmimi.

Ndërkaq, ERE ka deklaruar gjithashtu se po e sheh me shumë kujdes kërkesën e ĈEZ për rritje të çmimeve, duke premtuar se do të zhvillojë ndërkohë takime me grupet e interesit para se të marrë një vendim final. Por, vetë grupet e interesit nuk kanë qenë të zëshëm publikisht, ndoshta edhe sepse konsultimet efektive nuk kanë filluar ende.

Biznesi në shënjestër

Duke filluar nga fundi i vitit 2008, sektori i eksporteve shqiptare ka pësuar rënie të forta si pasojë e mungesës së kërkesës nga porositësit apo klientët jashtë kufijve. Për më tepër, me kalimin e muajve ndodhi edhe një tjetër dukuri. Me gjithë rënien konstante të eksporteve, të pranuar edhe nga INSTAT, deficiti tregtar u ul. Për arsyen e thjeshtë se pati edhe një rënie të ashpër të importeve. Ekspertë të ekonomisë e kanë komentuar tashmë dukurinë si shenjë e krizës ekonomike, e cila tashmë ka prekur, jo vetëm publikun, por më së shumti biznesin. Përfaqësues të organizatave të ndryshme të biznesit kanë vënë në dukje vështirësitë dhe humbjet, me të cilat po përballen, duke veçuar këtu sektorin e fasonit, për shembull.

Nga ana tjetër, luhatjet e çmimeve të energjisë për konsumatorët biznes kanë qenë të diskutueshme në të shkuarën. Në prill të vitit 2006, KESH propozoi ulje çmimi të energjisë elektrike për disa kategori biznesesh me arsyetimin e mbështetjes së sektorit prodhues dhe me argumentin se biznesi ishte i rregullt në pagesën e faturave të energjisë elektrike e për pasojë, po paguante padrejtësisht për abuzimet e familjarëve. Por, në dhjetor 2006, KESH ndryshoi mendim, kur i propozoi ERE-s rritje çmimi për biznesin.

Ndërkaq, sipas vetë shifrave të INSTAT, ka pasur një rënie të konsumit të energjisë elektrike nga bizneset me 6.5% për 6-mujorin e parë 2009, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e konsumit të energjisë për sektorin e biznesit është një tregues aspak normal për një ekonomi të shëndetshme. Ky tregues flet qartazi për pakësim të operacioneve që lidhen me linjat e prodhimit që përdorin energji elektrike, çka përkthehet në rënie ciklike të sektorit të biznesit. Në këto kushte, një rritje çmimi që varion nga 22.7% në 31.1%, në varësi të tensionit që përdoret, do të shënonte një kulminacion fatal për bizneset në kohë krize, ndaj një efekt domino në ekonomi nuk është për t’u përjashtuar.

Familjarët, 30% më shtrenjtë?

Historia e tranzicionit dëshmon se, sa herë në Shqipëri ndërmerren nisma të reja, janë gjithmonë shtresat më të varfra ato që do duhet të mbajnë barrën e ndryshimeve e sidomos kur bëhet fjalë për barrën financiare. Dhe këtu nuk bën dallim as qeveria e as bizneset private.

Ndryshimi më i fundit që pritet të bëhet vjen nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), i cili u privatizua rreth një vit më parë. Një pikë e kërkesës se OSSH ndaj ERE-s është pikërisht heqja e fashës së parë të konsumit prej 300 kilovatësh, dhe njehsimin e çmimit të ri të energjisë elektrike në shifrat 9.15 lekë duke filluar nga 0 kilovat/orë dhe jo më të ndarë në fasha deri në 300 kilovatë/orë, ku çmimi ishte 7 lekë/kilovat deri në kufirin e fashës dhe 12 lekë/kilovat sipër këtij kufiri.

Në pamje të parë duket se në terma absolutë mund të ketë një ulje të çmimit të energjisë elektrike, por në të vërtetë nuk është kështu ose të paktën kjo nuk është e vërtetë për ata konsumatorë, të cilët shpenzojnë deri në 500 kilovatë/orë në muaj. Ndërkaq, nga një llogaritje e realizuar duke u bazuar në shifrat zyrtare të INASTAT dhe ERE del se konsumi mesatar familjar është 250 kilovatë/orë. Pra 50 kilovatë nën fashën prej 300 kilovatësh. Logjikshëm përfundimi është se ato familje, të cilat shpenzojnë mbi 500 kilovatë/orë, janë të pakta në numër, si dhe janë familje me të ardhura relativisht të larta ose të larta. Ndërkaq, nga një llogaritje e thjeshtë rezulton se për 300 kilovatë/orët e para që shpenzohen rritja nuk është realisht 18.7%, por 30% (tab 1). Më të prekurit nga kjo masë janë 373 mijë shqiptarë të cilësuar zyrtarisht si të varfër nga Instituti i Statistikës.

Kush është fajtori?

Në kërkesën që ĈEZ i ka dërguar ERE-s për rishikim të çmimeve të energjisë elektrike, çekët thonë: “Bazuar në shifrat e përllogaritura për 7 muajt e parë të periudhës së vitit 2009, të cilat janë raportuar në mënyrë zyrtare tek ERE, jemi në një situatë që humbjet aktuale janë më të larta se humbjet e planifikuara për 2009, të cilat janë në nivelin e humbjeve të vitit 2008 (32%). Realisht, humbjet në total janë 35.6% për 7 muajt e parë të vitit 2009. Krahasuar me humbjet e planifikuara për të njëjtën periudhë (32%), është evidente se kemi trashëguar një situatë shumë të keqe në lidhje me këto shifra, kështu që nuk jemi në pozitë të mirë për të arritur planifikimin vjetor prej 32% në fund të vitit 2009”.

Në paragrafin e mësipërm duket se çekët nuk i kishin bërë mirë llogaritë lidhur me humbjet. Por nuk është pikërisht kështu. Ata i referohen një auditimi të kryer nga një kompani e specializuar, sipas të cilit rezulton se shifrat e raportuara fillimisht nga qeveria shqiptare mbi nivelin e humbjeve nuk ishin të vërteta.

Gjithashtu, ĈEZ, nën logon e OSSH, thotë se të ardhurat e pritshme për vitin 2009 llogariten rreth 34.1 miliardë lekë, çka ndryshon me të ardhurat e kërkuara, për të cilat është rënë dakord me qeverinë, prej rreth 41.4 miliard lekësh. Për këtë arsye, blerësi i OSSH kërkon një kompensim prej mbi 7.2 miliardë lekësh ose 80 milionë dollarë. Këto pará po kërkohet të paguhen përmes rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por edhe ndonjë formë më e drejtpërdrejtë kompensimi nuk përjashtohet.

Gjithçka nisi muaj më parë, kur pronarët e rinj të OSSH me siguri do jenë tronditur, kur kanë parë bilancin energjitik të vitit 2008, jo bilancin e paraqitur nga qeveria, kur ĈEZ donte të blinte OSSH, por të vërtetin, i përgatitur nga një ekspertizë e huaj, sipas të cilëve, vjedhja e energjisë elektrike është rreth 4% më e lartë nga sa pritej. Gjatë negociatave të fillim-vitit 2009, ĈEZ iu ofrua një tablo me humbjet e energjisë rreth 32%. Mbi bazën e kësaj të dhëne, investitori dhe qeveria ranë dakord të lidhnin kontratën me disa pika, ku ndër të tjera ishin uljet graduale të vjedhjes së energjisë, rritja e arkëtimeve dhe rishikimi i tarifave. Pasi mori në zotërim OSSH, ĈEZ nisi verifikimin e bilancit energjitik 2008, konkretisht të humbjeve në rrjet.

Rezultati final i auditit tregonte se humbjet e energjisë elektrike në rrjet janë rreth 4% më të larta nga sa deklaroi qeveria, kur nxori në shitje OSSH. Mbi bazën e humbjeve 32%, qeveria arriti t’ua shiste çekëve Operatorin e Shpërndarjes për 102 milionë euro, ndërsa investitori, duke parë këtë tregues, u zotua se do të shpenzonte rreth 200 milionë euro për të përmirësuar rrjetin elektrik. Por, 32 përqindëshi tashmë rezulton 35.7 dhe skenarët për zhvillimin e OSSH duken drejt ndryshimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›