E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetat irlandeze duan para për linqet për artikujt e tyre

Organizata NNI apo “gazetat nacionale irlandeze”, e cila përfaqëson “The Independent”, “Irish Examiner”, “The Irish Times” dhe shumë gazeta të tjera irlandeze, ka publikuar një komunikatë në të cilën informon opinionin që vendosjen e linqeve për artikujt online të këtyre gazetave e konsideron shkelje të të drejtave autoriale. Për mundësinë e linqeve në artikujt e tyre, në të ardhmen do të duhet të paguhet për licencën adekuate – madje edhe kur është fjala vetëm për linqet, pa kurrfarë citatesh apo fragmentesh nga gazetat.

Arsyeja pse NNI mund të kërkojë një gjë të tillë qëndron në faktin që ligji irlandez për mbrojtjen e të drejtave autoriale akoma nuk e definon qartë nëse vendosja e linqeve paraqet shkelje të pronësisë intelektuale apo jo. Kjo gjë është akoma e turbullt dhe gjykuar sipas çmimores në sajtin e organizatës irlandeze për shitjen e licencave të gazetave NLI, vendosja e linqeve do të mund të kushtojë edhe disa qindra euro, sepse do të shiteshin në kombinim me mundësinë e kopjimit dhe distribucionit të artikujve të tyre.

Këtu duhet theksuar edhe që nevoja për licencë ka të bëjë vetëm me vendosjen e linqeve për qëllime komerciale, ndërsa dërgimi i linqeve për përdorim personal (ta zëmë me mail ndonjë miku) është akoma pa pagesë. Po ashtu, disa gazeta, si “The Irish Times”, tashmë i janë kundërvënë një politike të tillë të kësaj organizate, dhe ka njoftuar se nuk do të kërkojë para për linqet për artikujt e saj.

Sidoqoftë, gazetat kombëtare irlandeze me këtë hap dëshirojnë të kufizojnë lirinë e këmbimit të informatave për qëllime akademike dhe informative, ku citimi i materialit të huaj lejohet kur citohet burimi – ose kur është fjala për internetin, linkimi drejt tij.

Më shumë informata mund të gjeni në http://www.nni.ie/v2/broad/portal.php?content=../_includes/prportal.php&date=4th%20Jan%202013&year=2013/.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›