E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetat për Berishën në "Ora e Debatit"

Intervista e kryeministrit, Sali Berisha për gazetarin Alfred Peza, ka pushtuar faqet e para të shtypit shqiptar. Gazeta e njohur "Panorama" ka vendosur t'i kushtojë më shumë vëmendje thirrjes drejtuar qytetarëve për të votuar vetëm PD-në. Titulli i përzgjedhur nga "Panorama" është "Berisha: PS mafioze, lapsus i Topallit". Gazeta "Tirana Observer", ka vendosur ta botojë të plotë intervistën e kryeministrit Berisha, dhënë në emisionin "Ora e Debatit", duke i kushtuar faqet e para nën titullin "Berisha: Ja si do t'i marr votat për ta bërë i vetëm qeverinë e re".
Gazeta "Shekulli", në krye të faqes kushtuar intervistës së kryeministrit për "Orën e Debatit", ka vendosur deklaraten e tij për vrasjen e Aleksandër Kekës. Gazeta "Korrieri", ka zgjedhur deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, dhënë në emisionin "Ora e Debatit", për kryerepublikanin, Mediu. "Berisha: Fatmir Mediu, sërish ministër po fituam zgjedhjet", është titulli i faqes së parë të gazetës "Korrieri".
Dy faqe të plota i ka kushtuar gazeta "Tema", intervistës së kryeministrit Berisha, në emisionin "Ora e Debatit". Titulli kryesor i përzgjedhur nga kjo gazetë është "Berisha: Sulmi i Topallit për Mediun ishte lapsus". Gazeta "Standard", ka përzgjedhur deklaratat e kryeministrit që shprehin bindjen për fitore në 28 qershor. Sërish dy faqe gazete është hapësira që "Standardi" i ka kushtuar intervistës së kryeministrit Berisha për gazetarin, Alfred Peza.
Gazeta "Sot" i ka kushtuar më shumë hapësire deklaratave të kryeministrit Berisha, për koalicionet paszgjedhore. "Berisha: Nuk ka koalicion as me PS dhe as me LSI", është titulli i faqes së parë të gazetës "Sot".
Ndërkohë që gazeta "Koha Jonë", ka zgjedhur titullin, "Berisha: Pse fitorja do të jetë e thelle" dhe i ka kushtuar dy faqet e para intervistës që gazetari Alfred Peza, i ka bere kryeministrit Berisha 3 ditë para zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›