E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ora e Debatit", rrëfim ekskluziv i kryeministrit, Sali Berisha

Për herë të parë emisioni "Ora e Debatit" del jashtë studiove televizive për të intervistuar vetëm pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare kryeministrin, Sali Berisha në qytetin e Vlorës. Nga ambjentet e vilës qeveritare në Vlorë, kryeministri Berisha bëhet për të dytën herë brenda një muaji protagonist i emisionit "Ora e Debatit", emision i cili përgjatë fushatës elektorale ka patur si protagonist të gjithë aktorët kryesorë të skenës politike nga Edi Rama tek Fatos Nano, nga Ilir Meta tek kryeministri i vendit Sali Berisha. Përballë gazetarit Alfred Peza, kryeministri Sali Berisha, tashmë që nga 28 qershori na ndajnë pak më shumë se 72 orë ka garantuar se qeveria ka bërë gjithçka që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme duke theksuar edhe rëndësinë e infrastrukturës moderne me të cilën qytetarët do të votojnë për herë të pare. "Vota e shqiptarëve do të numërohet kësaj radhe më transparente dhe më bukur se kurrë në ndonjë vend, do të numërohet përpara kamerave elektronike, një sistem i përkryer", ka theksuar Berisha. Ai gjithashtu u shpreh se është i lumtur që po e mbyll mandatin e parë me një numërim të tillë, kaq dinjitoz dhe transparent për vendin.
Tashmë që finishi i fushatës elektorale është afër, lideri i maxhorancës duke kërkuar një mandat të dytë nga qytetarët shqiptarë përballë gazetarit Alfred Peza, ka përshkruar edhe imazhin e Shqipërisë së vitit 2013 nëse PD qëndron edhe 4 vite në pushtet. "Në katër vitet e ardhshme sfida ime më kryesore është punësimi i shqiptarëve", është shprehur Berisha. Sipas tij qytetarët do të punësohen në gjashtë parqe industriale që do të ngrihen në gjashtë qytete kryesore të vendit. Ai gjithashtu shtoi se qytetarët do të punësohen në dhjetëra mijëra biznese të reja që do të krijohen dhe në mijëra kilometra rrugë, që do të ndërtohen.. Berisha shtoi gjithashtu se PD ka një program që do të transformojë tërësisht dhe do t'i shndërrojë fshatrat shqiptare me infrastrukturën e lagjeve të qytetit. "Është një program që do të japë zgjidhje përfundimtare problemeve të pronësisë, është një program i cili do të shënojë fitoren përfundimtare në luftën kundër korrupsionit, do të ketë një qeveri të vogël prapë" ka theksuar ai.
Ndërsa për kartat e identitetit kryeministri Berisha, u shpreh se është procesi më i përsosur që ka pasur ndonjëherë vendi. Sipas tij në 500 qendra mund të aplikonin 3.2 milionë shqiptarë lirshëm. Ai gjithashtu u shpreh se nuk mund t'i detyrojë qytetarët të tërheqin kartat e identitetit. "Ne jetojmë në një vend të lirë dhe nuk mund të detyrojmë njeri që të shkojë të marrë kartën", ka theksuar Berisha. "Unë jam i bindur që ata që kanë ndërmend të votojnë, nuk mund të presin kurrë ditën e zgjedhjeve për të tërhequr kartën, ditën e zgjedhjeve e kanë për të hedhur votën" shtoi ai.
Ndërkaq përsa i përket zhvillimeve të fushatës elektorale, kryetari i PD-së, Berisha ka sqaruar edhe marrëdhëniet me aleatët si dhe deklaratën e nënkryetares Topalli, për PR dhe PDK. Sipas tij deklarata e Topallit nuk mund të ketë lidhje me aksidentin. "Përpjekjet për të lidhur vdekjen tragjike të një njeriu, me një denoncim të lidhjeve me krimet e komunizmit të Edi Ramës, kjo është jashtëzakonisht fatkeqe ka theksuar Berisha. Për sa i përket PR-së, Berisha u shpreh se është aleati kryesor i Partisë Demokratike. Kreu I qeverisë gjithashtu u shpreh se ka një qëndrim të vetëm në fjalët e Topallit dhe fjalët e tij duke shtuar se në një akt përgjegjësie të plotë, morale, Mediu dha dorëheqjen dhe u akuzua në mënyrë politike nga ata që u leverdiste të përdornin Gërdecin për qëllime politike dhe morën turpin me akuzën që bënë. Por kryeministri Berisha, u shpreh gjithashtu se edhe pse PR është aleati i Partisë Demokratike ai i bën thirrje shqiptarëve që të votojnë 10-ën dhe vetëm PD-në. "Kjo është thirrja ime shumë e prerë dhe këtë e kanë pranuar aleatët tanë, të cilat janë anëtarë të një koalicioni elektoral, por edhe qeverisës, në bazë të kontributit që kanë, nuk ua injoroj kontributin. Por thirrja ime e prerë për çdo anëtarë dhe aktivist, është të votojnë 10, të votojnë Partinë Demokratike" ka theksuar Berisha.
Por intervista e kryeministrit Berisha për gazetarin Alfred Peza, ka patur edhe një dimension njerëzor rreth një prej figurave dominuese në jetën politike të vendit siç është kryeministri Berisha, e për jetën private atë jashtë politikës, për të cilin dihet aq pak . Ai u shpreh se edhe pse ka qenë kryeministër nuk i ka lënë pas obligimet që ka për familjen. Ai shtoi gjithashtu se ka lexuar gjithnjë libra, por nuk ka injoruar faktin se mesazhet më kanë marrë një pjesë të kohës, të cilin ai e përdorte shumë për librat. "Nuk heq dorë nga mesazhi, është i mundimshëm, sigurisht që është i mundimshëm, por është një mënyrë e cila më mban mua në dimensionin qytetar dhe që unë në të ardhmen do të mund ta shtri më thellë këtë", është shprehur Berisha.
Për gazetarin Alfred Peza , kryetari i PD-së, Sali Berisha ka rrëfyer edhe se çfare do të bëjë në 29 qershor të cilën ai nuk mund ta mendojë ndryshe përveç se si ditën e fitores së madhe. "Unë pranoj çdo rezultat të shqiptarëve, nuk mund të diskutohet, s'mund të ketë një diskutim kurrë" ,është shpreur Berisha. Ai gjithashtu shtoi se do të pranojë verdiktin popullit shqiptar që sipas tij do të jetë për të. Berisha gjithashtu u shpreh se nëse do të humbasë zgjedhjet e 28 qershorit ai do të shkëmbejë mesazhe urimi për të gjithë mbështetësit e tij.
Kështu vetëm 3 ditë para finales zgjedhore emisioni "Ora e Debatit", ka sjellë portretin e plotë të njeriut që kërkon të qeverisë Shqipërinë edhe 4 vite të tjera, të vizionit të tij politik, të aleancave dhe programit elektoral për të cilat ai pret verdiktin e qytetarëve në 28 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›