E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ora e Debatit", rrëfim ekskluziv i Kryeministrit Berisha

Për herë të parë emisioni "Ora e Debatit" del jashtë studiove televizive për të intervistuar vetëm pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare kryeministrin Sali Berisha në qytetin e Vlorës. Nga ambjentet e vilës qeveritare në Vlorë, Kryeministri Berisha bëhet për të dytën herë brenda një muaji protagonist i emisionit "Ora e Debatit" emision i cili përgjatë fushatës elektorale ka patur si protagonist të gjithë aktorët kryesorë të skenës politike nga Edi Rama tek Ilir Meta dhe tek kryeministri i vendit Sali Berisha. Përballë gazetarit Alfred Peza kryeministri Sali Berisha tashmë që nga 28 qershori na ndajnë pak më shumë se 72 orë ka garantuar se qeveria ka bërë gjithçka që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme duke theksuar edhe rëndësinë e infrastrukturës modern me të cilën qytetarët do të votojnë për herë të pare. "Vota e shqiptarëve do të numërohet kësaj radhe më transparente dhe më bukur se kurrë në ndonjë vend, do të numërohet përpara kamerave elektronike, një sistem i përkryer" ka theksuar Berisha. Ai gjithashtu u shpreh se është i lumtur që po e mbyll mandatin e parë me një numërim të tillë, kaq dinjitoz dhe transparent për vendin.
Tashmë që finishi i fushatës elektorale është afër, lideri i maxhorancës duke kërkuar një mandatë të dytë nga qytetarët shqiptarë përballë gazetarit Alfred Peza ka përshkruar edhe imazhin e Shqipërisë së vitit 2013 nëse PD qëndron edhe 4 vite në pushtet. "Në katër vitet e ardhshme sfida ime më kryesore është punësimi i shqiptarëve" është shprehur Berisha. Sipas tij qytetarët do të punësohen në gjashtë parqe industriale që do të ngrihen në gjashtë qytete kryesore të vendit. Ai gjithashtu shtoi se qytetarët do të punësohen në dhjetëra mijëra biznese të reja që do të krijohen dhe në mijëra kilometra rrugë, që do të ndërtohen. Ndërsa për kartat e identitetit kryeministri Berisha u shpreh se është procesi më i përsosur që ka pasur ndonjëherë vendi. Sipas tij në 500 qendra mund të aplikonin 3.2 milionë shqiptarë lirshëm. Ai gjithashtu u shpreh se nuk mund ti detyrojë qytetarët të tërheqin kartat e identitetit. "Ne jetojmë në një vend të lirë dhe nuk mund të detyrojmë njeri që të shkojë të marrë kartën" ka theksuar Berisha. "Unë jam i bindur që ata që kanë ndërmend të votojnë, nuk mund të presin kurrë ditën e zgjedhjeve për të tërhequr kartën, ditën e zgjedhjeve e kanë për të hedhur votën" u shpreh Berisha.
Ndërkaq përsa i përket zhvillimeve të fushatës elektorale, kryetari i PD Berisha ka sqaruar edhe marrëdhëniet me aleatët si dhe deklaratën e nënkryetares Topalli për PR dhe PDK. Sipas tij deklarata e Topallit nuk mund të ketë lidhje me aksidentin. "Përpjekjet për të lidhur vdekjen tragjike të një njeriu, me një denoncim të lidhjeve me krimet e komunizmit të Edi Ramës, kjo është jashtëzakonisht fatkeqe ka theksuar Berisha. Për sa i përket PR-së Berisha u shpreh se është aleati kryesor i Partisë Demokratike. Berisha gjithashtu u shpreh se ka një qëndrim të vetëm në fjalët e Topallit dhe fjalët e tij duke shtuar se në një akt përgjegjësie të plotë, morale, Mediu dha dorëheqjen dhe u akuzua në mënyrë politike nga ata që u leverdiste të përdornin Gërdecin për qëllime politike dhe morën turpin me akuzën që bënë. Por kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu se edhe pse PR është aleati i Partisë Demokratike ai i bën thirrje shqiptarëve që të votojnë 10-tën dhe vetëm PD-në. "Kjo është thirrja ime shumë e prerë dhe këtë e kanë pranuar aleatët tanë, të cilat janë anëtarë të një koalicioni elektoral, por edhe qeverisës, në bazë të kontributit që kanë, nuk ua injoroj kontributin. Por thirrja ime e prerë për çdo anëtarë dhe aktivist, është të votojnë 10, të votojnë Partinë Demokratike" ka theksuar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›