E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazi, Tirana në rrezik nga 14 "bomba"

 

Armand Bajrami

Dhjetëra pika të shitjes së naftës, gazit të lëngshëm, si edhe nënprodukteve të këtyre lëndëve në Tiranë, paraqesin rrezik eventual për jetën e popullatës ku janë shpërndarë pika të tilla aktiviteti. Lajmi konfirmohet nga Inspektorati Qendror Teknik i Ministrisë së Ekonomisë, i cili ka kaluar në "sitë" të gjitha pikat e tregtimit dhe shitjes së këtyre lëndëve në Qarkun e Tiranës. Gjithë kontrolli, që ka përfunduar me evidentimin e pikave problematike dhe me marrjen e masave përkatëse ndaj tyre, e ka marrë fillesën nga një rekomandim i Avokatit të Popullit bërë më 10 nëntor të vitit 2008. Duke marrë shkas nga ngjarja e Gërdecit dhe për shmangien e ngjarjeve të tjera të ngjashme, institucioni i AP-së kërkoi nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, informacion për identifikimin e të gjitha pikave të tilla dhe verifikimin e standardeve të kërkuara të sigurisë.
REKOMANDIMI
Të gjendur para një situate kur shumë aktivitete të tilla ndodheshin shumë afër banesave, ose në katet e para të pallateve, Avokati i Popullit i rekomandoi ministrisë përkatëse marrjen e masave të menjëhershme organizative për kontrollin e verifikimin e normave dhe kushteve teknike të përcaktuara në lejet dhe autorizimet përkatëse të sigurisë, të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit të jetës së njerëzve. Gjithashtu në rekomandim përmendej edhe marrja e masave të rrepta administrative ndaj kundravajtësve dhe në rastet kur formojnë vepër penale, denoncimin e tyre në organet e ndjekjes penale.
INSPEKTIMI
Në përgjigje të rekomandimit, Inspektorati Qendror Teknik i Ministrisë së Ekonomisë ka kontrolluar gjithë aktivitetin e tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre që kryhet në Tiranë, duke lënë për çdo rast aktkontrolli dhe aktndalesë për shkeljet me rrezikshmëri për jetën e njerëzve. Bëhet e ditur së është kërkuar ndjekje penale për 4 subjekte të tregtimit të bombolave të gazit në rrugën "Ali Demi", për shkak të moszbatim të detyrave dhe akteve të lëna nga IQT. Në Njësinë Bashkiake nr. 3 janë lënë nga ana e inspektoratit 5 aktndalesa. Gjithashtu edhe për 4 subjekte të shitjes së bombolave të gazit janë lënë aktndalesa për shkelje të rregullave teknike dhe të sigurisë. Në minibashkinë nr. 4 është ndërtimi i shtëpive pa leje shumë pranë një pike të rregullt të mbushjes së gazit, ajo që vë në rrezik jetën e tyre. Ndërsa mangësitë e pajisjeve me autorizim në disa pikave të shitjes është parë nga IQT si problem i Bashkisë së Tiranës. "Deri tani Bashkia e Tiranës nuk ka pajisur asnjë subjekt tregtimi të karburanteve dhe GLN-se me autorizim", thuhej në përgjigjen e IQT-së për Avokatin e Popullit.

Zonat problematike

Rr.    A.Demi përballë shkollës "Kushtrimi i Lirisë"
Rr.    A.Demi, mes pallateve nr.157 dhe 165.
Rr.    A.Demi, përballë rajonit të policisë.
Rr.    "Shemsi Haka"
Rr.     Niko Avrami, pranë fushës së druve në Allias
Rr.     Qemal Stafa , nr. 33 ( dyqan ushqimor )
Rr.     Bardhyl, nr. 20/1 ( dyqan veglash )
Rr.     4 Dëshmorët ( dyqan bombolash )
Rr.     4 Dëshmorët ( dyqan ushqimor )
Rr.     4 Dëshmorët (Dyqan Bombolash)
Subjekt në Rr. M. Shyri.
Subjekt në Rr. M. Shyri.
Subjekt në Rr. N. Mjeda
 Subjekt në Rr. Bab Rexha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›