Teatri Kombëtar shpall prioritetet për 2009-n
Petrika GROSI
Në analizën e nxjerrë dje para mediave nga drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, është bërë i ditur mes të tjerash numri i shfaqjeve të realizuara nga ky institucion vitin që lamë pas, shitja e biletave, përllogaritja hipotetike e shikuesve për trupën e TK-së dhe ato që konsiderohen si arritjet e saj gjatë sezonit që u mbyll. Në të njëjtën kohë u njohëm edhe me synimet dhe prioritetet që do të ndiqen nga Teatri Kombëtar për këtë vit.
Për drejtorin Skrami (siç ka ndodhur gjithmonë me drejtuesit e këtij institucioni gjatë dekadës së fundit), ky vit nuk mund të ishte tjetër veçse një sukses i madh. Sipas tij, këmbëngulja ndaj cilësisë, vlerave, repertorit të zgjedhur dhe impaktit që ai ka krijuar me publikun, e ka kthyer Teatrin Kombëtar mjaft të prekshëm ndaj audiencës dhe të pranuar në mënyrë unikale përtej vlerave lokale. Ndërsa një veçori e këtij viti që sapo u mbyll ishin individualitetet krijuese. “Vlerësojmë se gjatë vitit 2008, Teatri Kombëtar ka qenë një institucion promotor i lëvizjes teatrore në Shqipëri. Teatri Kombëtar është kthyer në vendin ku jo vetëm revokohet tradita e pasur teatrore, por edhe ku vihen në skenë vepra që sjellin për shikuesin vlerat më të mira të dramaturgjisë botërore, por edhe tendencat dhe rrymat bashkëkohore. Politika e repertorit këtë vit ka reflektuar shigjetime të një kërkimi artistik të veçantë, duke hulumtuar thellësisht në dramaturgjinë më të mirë botërore. Rezultat i kësaj përpjekjeje ka qenë edhe vënia në skenë për herë të parë në historikun 60-vjeçar të TK-së të një kryevepre nga antikiteti grek, siç ishte shfaqja ‘Trojanët’ e Euripidit”. Sipas drejtorit Skrami, rreth 35 mijë veta kanë ndjekur shfaqjet e realizuara gjatë këtij viti nga Teatri Kombëtar në Tiranë, rrethe por edhe jashtë kufijve zyrtarë: në Maqedoni, Kosovë, festivale të ndryshme etj. Prodhimet më të mira të Teatrit Kombëtar për këtë vit kanë qenë “Pamje nga ura” dhe “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, të cilat janë shfaqur në teatrot e bashkive kryesore, si në Korçë, Vlorë, Shkodër etj. Megjithatë, për “Sokratin” nuk mund të thuhet se u prodhua në 2008-n pasi kjo monodramë e dashur e artistit të mirënjohur Mirush Kabashi është shfaqur me qindra herë gjatë 10 viteve të fundit duke u pritur gjithmonë me interes nga publiku.
Një ndër objektivat e 2009-s është integrimi i Teatrit Kombëtar në strukturat europiane të teatrit. Skrami u shpreh: “Këtë prioritet jemi përpjekur ta jetësojmë përmes ballafaqimit në aktivitetet ndërkombëtare, në thithjen e individualiteteve artistike botërore, në pjesëmarrjen në evenimente të ndryshme të teatrit europian ‘Festivali XII Ndërkombëtar i Teatrit, Mitingu i Dytë Ndërkombëtar i Teatrit të Europës Juglindore etj.”.
Gjithashtu, në kuadrin e intensifikimit të marrëdhënieve midis tre institucioneve më në zë të teatrit mbarëkombëtar shqiptar është punuar për hartimin e një memorandumi, që pritet të nënshkruhet këtë muaj. Ky memorandum është hartuar mes tre institucioneve, të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, të cilat kanë në themel të aktivitetit të tyre promovimin, ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare përmes teatrit. Kjo paramendon shkëmbim shfaqjesh dhe bashkëprodhime të ndryshme mes tre kryeqyteteve.
7 Janar 2009