"Pse e mbyllëm dosjen e Doshit"
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Për-gjithshme ka vendosur të mos fillojë procedim penal ndaj deputetit Tom Do-shi, duke mbyllur dosjen penale të hapur ndaj tij nga Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave. Gjashtë muaj më parë, kjo e fundit ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj deputetit Tom Doshi, duke e akuzuar atë se ka kryer pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Kallëzimi sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme është marrë në shqyrtim, si dhe janë kryer verifikimet e nevojshme për të verifikuar nëse deputeti Doshi ka kryer vepër penale. "Kallëzimi lidhej me veprën penale të pastrimit të parave dhe me veprën e fshehjes së pasurisë", thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, është mosfilluar procedimi penal në lidhje me veprën e pastrimit të parave, për shkak se në kohën kur pretendohet se ishin krijuar këto para, ligji i kohës nuk e parashikonte këtë vepër penale. Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se lidhur me fshehjen në deklarimet e pasurisë apo (deklarimit të rremë) e cila gjithashtu ndodhet në kallëzimin e bërë ndaj deputetit Tom Doshi, kjo vepër penale është amnistuar, për një pjesë të deklarimit të viteve 2005-2006. "Për deklarimin e mëvonshëm, pra të vitit 2007 nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive na konfirmohet se deputeti Tom Doshi i ka deklaruar të gjitha detyrimet dhe pasuritë që disponon", thuhet nga burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.
Akuzat e Financave
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit Parave në Ministrinë e Financave e ka denoncuar deputetin aktual të Partisë Socialiste Tom Doshi, duke e akuzuar për deklarim të rremë pasurie dhe pastrim parash. Sipas kallëzimit, deputeti Doshi ka deklaruar si pasuri të tij prona me një vlerë rreth 10 milionë dollarë në një kohë kur verifikimet në banka, Hipotekë dhe Tatime, tregojnë se ai ka vetëm një pasuri me vlerë totale 5 milionë dollarë të regjistruar zyrtarisht. Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave e akuzon deputetin Doshi, i cili më parë bënte pjesë në grupin parlamentar demokristian, se ka rritur fiktivisht vlerën e pasurive, duke deklaruar 5.5 milionë dollarë prona, pasuri dhe kapitale që nga verifikimet nuk rezultojnë të regjistruara në emër të tij. Sipas kallëzimit, për gjithë këtë vlerë pasurie që kap shifrën 5.5 milionë USD, deputeti Tom Doshi nuk ka deklaruar asnjë burim të saj, duke u bërë shkak për dyshime edhe më të forta lidhur me kryerjen e veprës penale pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.