E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të akuzuarit nga shefi i Gardës

 

Trazhgim Sokolaj

Ish-nënoficeri i Gardës, Naim Shima, i arrestuar dy ditë më parë në Tiranë pas dënimit për korrupsion aktiv, ka tentuar t'i ofrojë një shumë ryshfeti prej 2 mijë eurosh Komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Dy ditë pas arrestimit të ish-nënoficerit Shima, gazeta siguroi vendimin e gjykatës për dënimin e të akuzuarit. Në këtë vendim sqarohet me hollësi mënyra sesi nënoficeri ka hyrë në zyrën e Komandantit të Gardës së Republikës dhe i ka ofruar atij 2 mijë euro ryshfet me anë të një zarfi që e ka vendosur në tavolinën e drejtuesit të Gardës. Dy ditë më parë, Naim Shima u arrestua për këtë ngjarje, pasi me vendim të formës së prerë të 13 marsit 2008, gjykata e ka dënuar me 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë gjobë për krimin e kryer prej tij.
Tentativa e ryshfetit
Në vendimin e gjykatës thuhet se Naim Shima nga viti 1999 është transferuar me detyra të ndryshme pranë Gardës së Republikës si nënoficer me gradën Kapter i Parë. Pas përfundimit të studimeve të larta pa shkëputje nga puna, ai ka kërkuar të titullohet oficer pranë Gardës. Për këtë ai i është drejtuar Komandantit të Gardës me një kërkese me nr. 174 datë 26 maj 2006. Garda e Republikës i është drejtuar Ministrisë së Brendshme më 3 mars 2007 me propozimin për titullimin oficer aktiv të Naim Shimës. Deri në muajin tetor 2007 i dënuari nuk është titulluar, ndonëse kërkesa ishte bërë nga Garda e Republikës. Në një situatë të tillë, 45-vjeçari ka kërkuar të takohet me Komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, megjithëse nënoficeri ishte sqaruar se nga Garda ishte përcjellë kërkesa dhe kompetenca për titullim i takonte vetëm Ministrisë së Brendshme. Pas këmbënguljes së Naim Shimës, më 23 tetor 2007, rreth orës 15:30, ai është pritur nga Komandanti i Gardës në zyrë pa praninë e asnjë personi tjetër. Qëllimi i takimit ka qenë ndjekja e procedurave për titullimin oficer të Naim Shimës. Ai është ulur përballë Komandantit të Gardës. Mes tyre kishte vetëm një tavolinë pune. Ata kanë shkëmbyer disa fjali lidhur me problemin që nënoficeri kishte për titullim, duke qartësuar se propozimi kishte kaluar nga ana e Komandantit të Gardës. Në këtë moment, Naim Shima ka nxjerrë nga xhepi i xhaketës një zarf të hapur dhe ia ka drejtuar Komandantit të Gardës, duke e lënë mbi tavolinën që ndodhej mes të dyve. Shefi i Gardës, Ndrea Prendi, sapo ka vënë re se në zarf ndodheshin një sasi eurosh, ka marrë zarfin dhe ka numëruar eurot duke konstatuar se ishin 2000 (dy mijë) euro të prerjes kartëmonedha 100-she. Ai më pas i është drejtuar nënoficerit duke i thënë në formë pyetëse "Dymijë euro?", dhe Naim Shima e ka pohuar këtë fakt në përgjigjen e tij. Në këtë situatë, kreu i Gardës, Ndrea Prendi e ka pyetur nënoficerin se "kush i kishte thënë që këto punë bëheshin me lekë?", por Naim Shima i është përgjigjur se nuk kishte asgjë dhe se i ishte mirënjohës dhe kërkonte ndihmë për t'u bërë oficer.
denoncimi para dëshmitarëve
"Pa shkëmbyer asnjë fjalë më tepër, shefi i Gardës, Ndrea Prendi, me telefon i ka kërkuar shefit të personelit të Gardës, Uzri Allku, shefit të sektorit të analizave, Miltiadh Olldashi dhe zv.komandantit të Gardës, Mehmet Mucaj, që të paraqiteshin në zyrën e tij. Pas kësaj telefonate ende pa arritur personat e kërkuar nga Komandanti i Gardës, nënoficeri Naim Shima ka zgjatur dorën për të marrë zarfin ku ndodheshin eurot, duke thënë se kishte ngatërruar atë zarf me zarfin ku kishte vendosur kërkesën e ripërsëritur për titullimin oficer. Komandanti i Gardës ka refuzuar t'i kthejë zarfin, duke i thënë të arrestuarit se "zarfin ia kishte dhënë atij dhe se kishte pasur kohë për ta marrë para se të njoftoja punonjësit e tjerë të Gardës". Naim Shima ka këmbëngulur se kishte ngatërruar zarfin duke nxjerrë nga xhepi edhe të paktën një zarf tjetër. Por në zyrën e Komandantit të Gardës janë futur njëri pas tjetrit dëshmitarët Uzri Allku, Miltiadh Olldashi dhe Mehmet Mucaj, ndërsa Ndrea Prendi u ka treguar atyre gjithçka kishte ndodhur, duke theksuar se nënoficeri Naim Shima mendonte se në Gardë mund të titullohesh duke paguar para. Menjëherë pas kësaj është lajmëruar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, i cili ka kryer hetimet dhe ka nisur dosjen në Prokurori me akuzën e korrupsionit ndaj Naim Shimës. Si gjatë hetimit ashtu edhe në të gjitha seancat gjyqësore, Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, ka qenë dëshmitari kryesor i akuzës për gjithçka kishte ndodhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›