E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazsjellësi Trans Adriatik, nis vlerësimi mjedisor në Shqipëri

Gazsjellësi Trans Adriatik fillon procesin e Vlerësimit të Ndikimit të tij Mjedisor dhe Social Gazsjellësi 520 km i gjatë pritet të jetë një nga investimet më të mëdha në fushën e energjetikës në vend. Gazsjellësi Trans Adriatik, një prej investimeve më të mëdha të huaja në Shqipëri, nisi procesin zyrtar të Vlerësimit të Ndikimit të tij Mjedisor dhe Social (VNMS) përmes dorëzimit të Raportit Para-Studimor “Scoping”. Ky investim do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës energjetike në vend dhe krijimin e vendeve të punës, duke nxitur kështu rritjen ekonomike. Tubacioni do të ndihmojë Shqipërinë për të përmbushur nevojat e saj vendore për energji. Prurja e gazit nga deti Kaspik në tregun shqiptar do të ofrojë një nxitje për infrastruktura të ardhshme gazi në vend. Aksionerët e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) janë kompania zvicerane EGL (42.5%), kompania norvegjeze Statoil (42.5%) dhe kompania gjermane E.ON Ruhrgas (15%). Gazsjellësi me gjatësi 520 kilometra do të hyjë në Shqipëri nga Greqia në Miras të qarkut të Korçës. Pjesa shqiptare e gjurmës shtrihet për një gjatësi të përgjithshme prej 209 km, deri në bregdet, në veri-perëndim të Fierit. Pjesa detare do të jetë 60 km e gjatë, duke kaluar përmes Detit Adriatik dhe duke hyrë në Italinë jugore. Në vijim të raportit para-studimor, që i është dorëzuar Qeverisë Shqiptare dhe një game të gjerë palësh të interesuara, OJF dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare si Banka Botërore, GTZ dhe BERSH, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të organizojë gjithashtu një numër takimesh konsultative kombëtare dhe rajonale, deri në fund të muajit prill. Këto sesione do të mbahen në Tiranë, Korçë, Çorovodë, Berat dhe Fier.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›