E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi nga uji, ISHP: Pastroni depozitat një herë në muaj

SHKRUAN: Jonida Tashi 26-04-2011 12:59

Rikthehet shqetësimi i helmimeve masive nga uji i pijshëm gjatë verës, ku rreziku për epidemi të tilla është i madh. Në prag të nisjes së sezonit veror, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik do të nisin kontrollin e ujit në mbarë vendin, për të shmangur epidemitë e mundshme, si ato që ndodhën një vit më parë në qytetin e Ballshit, e më pas dhe në atë të Vlorës. Por, përveç monitorimit që do të bëhet nga specialistët e Shëndetit Publik, këta të fundit i bëjnë apel edhe qytetarëve që të tregohen më të kujdesshëm, sidomos për pastërtinë e ujit të pijshëm. “Pikat e riskut të një rëndësie të veçantë janë burimi, sistemi i shtrirjes së ujësjellësve, sasia dhe cilësia e klorit si dhje mbajtja e presionit pozitiv në rrjet. Pra, në rrjet duhet të ketë 24 orë ujë. Instituti i Shëndetit Publik dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandojnë që të krijohen grupet e shpërthimit hidrik”, - shprehet Arben Luzati, shef i Departamentit të Mjedisit dhe Shëndetit në ISHP. Por, krahas masave që do të marrin vetë specialistët e ISHP-së, edhe qytetarët duhet të kujdesen për pastërtinë e ujit që vjen në banesat e tyre. Specialistët rekomandojnë që depozitat të pastrohen një herë në muaj. “Ato duhet të pastrohen çdo muaj. Vetë qytetarët ose administratorët e pallateve duhet të bëjnë kujdes me depozitat. Ato nuk duhet të kenë kënde, domethënë s’duhet të jenë katrore, por të jenë të rrumbullakëta. Cepat favorizojnë mbetjen e mikrobeve dhe shumëzimin e tyre”, - thotë Luzati. Përsa i përket sasisë së klorit në ujë, ai është në parametrat e lejuar 0.5 miligram për mililitër, ndërkohë që ai mund të shtohet vetëm në raste epidemish. Në maj të vitit të kaluar rreth 300 banorë në qytetin e Ballshit u helmuan në mënyrë masive për shkak të ujit të pijshëm, që rezultoi i ndotur nga ujërat e zeza. Ministria e Shëndetësisë, duke marrë shkas nga situata në qytetin e Ballshit, vendosi të shtojë sasinë e klorit në rrjetin e ujësjellësit nga 0.5 miligram deri në 1 miligram. Kurse në Ballsh, nga mostrat e ujit që u analizuan u konstatua se sasia e klorit në rrjet ishte 0.2 miligram në raport me 0.5-0.6 që është norma e OBSH-së. Sipas studimeve për sistemin e ujit të pijshëm në vendin tonë, për shkak të kushteve klimatike, kryesisht të reshjeve të bollshme, si dhe të relievit kryesisht kodrinor-malor, Shqipëria është e pasur me ujëra, madje ajo renditet ndër vendet e para të Europës për sa i përket sasisë së ujit për frymë të popullsisë, e cila arrin mbi 13 000 m3 frymë/vit. Rreth 44% e sasisë së ujërave buron brenda vendit. Këto rezerva ujore krijojnë mundësinë që pjesa më e madhe e ujit të pijshëm të merret nga burimet nëntokësore (80%) dhe vetëm 20% nga ujërat sipërfaqësore.

Depozitat

“Ato duhet të pastrohen çdo muaj. Vetë qytetarët ose administratorët e pallateve duhet të bëjnë kujdes me depozitat. Ato nuk duhet të kenë kënde, domethënë s’duhet të jenë katrore, por të jenë të rrumbullakëta. Cepat favorizojnë mbetjen e mikrobeve dhe shumëzimin e tyre”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›