Genc Tukiçi: Dashuria për një vajzë më çoi në Francë
Nga Garip Troci
Ai ka guxuar në jetë, ndaj ka ecur përpara. E sheh pothuajse çdo mëngjes në parkun Monso, që është një ndër parqet e bukur dhe madhështorë të Parisit. Ky park është ngritur që në vitin 1726. Për mirëmbajtjen e tij ka një grup specialistësh pasionantë. Genc Tukiçi nuk i ka kapërcyer detet me anije si shumë shqiptarë të tjerë, për të marrë rrugën plot privacione të mërgimit, as muret e ambasadave të huaja në Tiranë. Siç tregon vetë, migrimi i ka ardhur natyrshëm, ndonëse jo pa “kthesa” të vështira. Më poshtë ai rrëfehet për tri martesat, fëmijët me tri gratë e tij, jetën e vështirë në Shqipërinë e 1991-shit, marrëdhëniet ma babanë Ibrahim Tukiçi dhe vëllanë David Tukiçi dhe me sopranon e njohur Inva Mula.
Zoti Tukiçi, ç’rrugë ndoqët për të ardhur në Paris dhe pse zgjodhët pikërisht Francën?
Unë kam ardhur natyrshëm në Francë, por jo direkt këtu. Në vitin ‘90-të punoja si pedagog në Institutin e Arteve në Tiranë. U jepja studentëve mësimet e pianos. Por një ditë befas më vjen një kontratë nga Korfuzi. Ai që më ftoi qe një pasanik grek që jepte koncerte në një park të madh afërsisht sa ky i Monsos. Pronarin e thërrisnin Cefello. Dhe hobi, natyrisht aty kishte dhe fitime jo të vogla, i tij ishin koncertet në natyrë, ku mblidheshin përpos vendasve dhe turistë të huaj.
Në këto koncerte që jepje çdo natë patët ndonjë spektator “special” që ju adhuroi?
Po pikërisht në një prej koncerteve lindi dhe një histori “rozë” , siç quhen në shtyp ato historitë e dashurisë. Por ajo nuk ishte as shqiptare, as greke, ishte një vajzë e bukur franceze. Mua më ra në kokë ajo si një verë e fortë.
Si quhej vajza franceze?
Ajo e kishte emrin Natali, emër ky që takohet shpesh në Francë. Ndoshta është një emër autentik francez, pasi haset shpesh këtu.
Si rrodhi më tej historia “rozë” me francezen?
Ne u takuam shpesh dhe dashuria u bë kaq pasionante sa përfunduam në martesë. Madje, ajo qe dakord për t’u kthyer në Shqipëri, për të ngritur aty familjen.
U kthyet vërtet në Shqipëri?
Po, plani im nuk u kundërshtua nga Natalia. U kthyem, por që ditët e para pas mbërritjes në Tiranë nisi një zhgënjim i madh dhe u bëmë pishman që shkuam. Përse, do të thoshit ju? Qe viti 1991. Vendi qe i shkatërruar. As spitalet nuk kishin ujë dhe drita, lere më shtëpitë tona. Ekzistonte kudo një realitet gri dhe një kaos çoroditës.
ǒbëtë pas këtij zhgënjimi të madh?
Fillimisht mendova të shkoja në Itali. Për muzikantët Italia është një ëndërr e madhe. Kështu përfundova në Milano, qyteti më i fuqishëm ekonomik e industrial i Lombardisë veriore. Shkova te profesorë e institucione të njohura muzikore. Pyetja e parë që më bënin ishte: “Kush të ka dërguar?” Me një fjalë, a ke rekomandim nga ndonjë profesor apo personalitet i muzikës. Unë u thosha prerë: Askush. Kështu që askush nuk denjoi as të më dëgjojë e jo më të më punësonte etj. si këto.
Pas këtij zhgënjimi të ri erdhët në Francë?
Po pikërisht. Shpërfillja ndaj talentit tim në Milano më detyroi të provoj Francën. Natyrisht që propozimi im i pëlqeu dhe vajzës franceze me emrin Natali, që tani ishte bërë dhe partnerja ime. Kështu që në fillim të ’93-it erdha në Francë.
Këtu, me sa duket, patët më shumë shans, apo jo?
Po është e vërtetë. Një profesor i famshëm i muzikës, ndryshe nga ç’më ndodhi në Milano, më dëgjoi. Madje më bëri një ofertë që më gëzoi shumë. Më tha që ti duhet të bëhesh nxënësi im, por kjo kushton shtrenjtë.
Po sa ishte kostoja për t’u bërë nxënës i tij?
Profesori më tha se kushton 200 Euro ora e një mësimi. Po sa më tha sesa kushton unë i thashë se nuk kam mundësi financiare për të përballuar këtë ofertë. Në këtë kohë pata vështirësi që i krijon realiteti i ri i një vendi perëndimor. Integrimi, sidomos në Paris, nuk ishte i lehtë. Së pari, nuk dija gjuhën; së dyti, ende nuk kisha një punë permanente dhe një axhendë koncertesh për të përballuar shpenzimet e shumta, që nga qiraja e lartë e shtëpisë që nuk është larg parkut Monso, ku ne takohemi pothuajse çdo ditë e deri te shpenzimet e tjera të ditës. Kjo quhet ndryshe dhe lagjja e pasanikëve. Por pas tri javëve u hap dhe për mua drita “jeshile”, si i thonë fjalës; pikërisht nga profesori që më bëri ofertën. Ai më tha se është dakord të bëhem nxënës i tij pa paguar asnjë para, por me një kusht:Ta bësh të njohur talentin tënd. Pranova kushtin dhe nisa mësimet e muzikës në shkollën normale të muzikës, që është e njohur në të gjithë botën. Brenda dy viteve mora dy diploma: një “mësimore”, që më mundëson të jem pedagog i muzikës, duke e nisur nga faza e asistentit në të cilën jam tani në këtë shkollë dhe një diplomë të dytë që këtu quhet “diploma superiore”, që të çel udhën si koncertist. Të dyja diplomat janë me reputacion internacional.
Pas marrjes së tyre sa e pasur ka qenë jeta koncertiste dhe në ç’linja gjeografike është shtrirë ajo?
Pas marrjes së dy diplomave kam dhënë disa koncerte në Francë dhe në vende të ndryshme të botës. Do të veçoja këtu koncertet në Itali, në jug e veri të Francës, në Greqi, në Gjermani. Por kam shkuar dhe në kontinentin aziatik, si në Japoni, ku kam dhënë koncerte në Tokio e disa qytete të saj dhe së fundmi në Liban në Bejrut
Po me divën e muzikës, sopranon Inva Mula, ç’relata bashkëpunimi keni në fushën e muzikës? Ju sheh si nga maja e malit të Bardhë (mal i Francës, në kufi me Italinë), apo si koleg?
Natyrisht që me të s’mund të bëhen krahasime, do ishte një absurd i madh, por me Invën dua të them që nuk na lidh vetëm Shkodra loce që është vendlindja e prindërve tanë, por së pari e në veçanti pasioni për muzikën. Dhe për këtë më së miri flasin dhe koncertet tona të përbashkëta në Nju-Jork, në Francë, në sallat më prestigjioze të koncerteve, në Spanjë dhe së fundmi në Bejrut, Liban. Më 11 tetor kemi sërish një koncert të përbashkët në sallën “Corton”, 78, në RUE Cardinet.
Ju ndihmon në karrierën tuaj muzikore francezja me emrin Natali?
Jam ndarë prej saj. Me të kam një vajzë 14 vjeçe, që quhet Matilda. Ajo nuk e përballoi jetën time muzikale prej “cigani” (natyrisht jo të atyre ciganëve që njohim ne në Shqipëri, që ngrehin çadrat buzë lumenjve), por të ciganit modern. Muzikantët e tanishëm, sidomos këta në Perëndim, flenë në hotele luksoze. Tani dhe unë e kuptoj Natalinë. Jam i “martuar” me muzikën. Ajo është “nusja” ime, që ma mbush e ma bën të larmishme kuptimësinë e jetës.
Është vërtet sakrificë të jetosh me një partner muzikant. Një muzikant është si një marinar që s’duhet të shëtisë me anijen e tij vetëm në ujërat nacionale.
Francezja është gruaja juaj e parë? S’besoj t’ju bezdis me pyetje të tilla intime?
Jo, aspak. Jo, francezja me emrin Natali është gruaja ime e dytë. E para ka qenë shqiptare. Me të kam një djalë që e quajnë Majk Tukiçi dhe është 22 vjeç. Ai jeton me të ëmën në Romë. Gruaja ime e parë ka qenë soliste operistike në TOB. Është tiranase. Pas ‘90-ës është kthyer në Shqipëri disa herë në disa edicione të Vera Grabockës.
Më shumë ju hanë kohë mësimi në shkollën e muzikës, apo në koncerte?
Natyrisht që alternohen. Por këta të fundit zakonisht i organizoj pasdite, kur jam në Paris; dhe para dite gjendem në shkollë. Në shkollën e muzikës jam asistent i profesorit tim Marian Rrybicki, që tani ka mbushur të 75-tat. Kur më thirri ish-drejtori i kësaj shkolle, analisti i madh i muzikës, Pjerr Peti, tani ai ka vdekur, dhe më komunikoi punën si asistent pranë profesorit tim, u shtanga nga gëzimi. Babai im Ibrahimi, tenor i njohur i TOB-it bashkë me vëllanë tim Davidin, tani drejtor i orkestrës simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, më kanë mësuar të punoj shumë dhe me ndershmëri. Kjo ka qenë dhe “shtylla” ku jam mbështetur fort, nga e cila kanë ardhur dhe sukseset e mia si asistent pedagog në shkollën e muzikës dhe koncertet e dhëna në vende të ndryshme të botës.
ǒplane të afërta keni në “kalendarin” e ngjeshur të veprimtarisë muzikore?
Pata një amanet nga im atë, që të bashkëpunoja me Davidin në një opera të bërë nga ai. “Lëndën” e operas e mori nga një dramë spanjolle, që në shqip përkthehet “Jeta është ëndërr”. Dhe drejtori i shkollës sime, Zhan Lui Mausand, që e krahasojnë me Luigjin XIV për kërkesat e rrepta që ka, më dha leje për të shkuar në Shqipëri. Kam 10 vjet si asistent pedagog. Më 1 tetor do të kem shansin e madh që të jem asistent i një pedagogeje shqiptare. Dhe kjo është sopranoja jonë e famshme Inva Mula. Pra, dhe në këtë shkollë me emër të muzikës në Paris do ketë një “copëz” Shqipëri. Punoj gjithashtu dhe për një agjenci artistike, e cila më siguron një “axhendë” të pasur koncertale në vende të ndryshme të botës.
Të kalojmë sërish te një pyetje e natyrës private. Gruan e tretë që keni tani, si e njohët?
Ka qenë studente në shkollën ku jap mësim. Hodha “grepin” dhe kapa një “peshk” të madh, këtë herë japonez. Ajo quhet Ajumi dhe është diplomuar për organo. Tani punon si organiste në një kishë këtu afër parkut Monso. Me të kam dy fëmijë: vajzën 10 vjeçe që e quajnë Nadja dhe djalin Abrahamin, që është 5 vjeç. Emrin djalit ia kemi lënë në kujtim të babait, i cili kur ishte gjallë na la amanet që të bëhet si ai këngëtar, një tenor i madh. Shpresojmë që ta plotësojmë dhe këtë amanet të babait.
Cila është “axhenda” e një dite që kalon muzikanti Genc Tukiçi ?
E përditshmja është e mbushur me një punë tejet të ngjeshur, për të mos thënë gjigante.
Pasi çoj fëmijët në shkollë, kur nuk kam mësim në shkollën time të muzikës, bëjë vrap deri në orën 10 këtu në parkun Monso. Pastaj shkoj në shtëpi dhe luaj në piano deri në drekë. Më tej nxitoj për të marrë fëmijët në shkollë. Sërish punoj në piano. Më pas shoh lajmet kryesore të ditës në orën 20.00 te TF1. Përsëri ndodhem pranë pianos, deri sa më vjen orari i gjumit. Këto ditë po punoj për një këngë që do ta paraqes në festivalin e RTSh-së, me një tekst të Jorgo Papingjit. Kishte të drejtë e famshmja Çeçilja Bartoli, muzikante e madhe italiane, kur thoshte se “Jeta e muzikantëve i ngjan asaj të ciganëve modernë”.
Kudo që ndodhet një pjesë e Shqipërisë udhëton me të
Çdo artisti i mungon publiku i vendlindjes por Genc Tukiçit Shqipëria i mungon jashtëzakonisht shumë. Babai i tij Ibrahim Tukiçi ka qenë një këngëtar i njohur dhe kur bashkëpunon me artistë që këndojnë repertorin e atij i vjen gjithmonë nëpër mend babai e sigurisht edhe Shqipëria. Gjithsesi,ai ka vite në Francë dhe Parisi është për të si një atdhe i dytë, por kudo që ndodhet një pjesë e Shqipërisë udhëton me të. Ai e shëh veten si të pashkëputur nga vendlindja por sidomos nga muzika shqiptare. Muzika shqiptare sipas tij gjithmonë e më shumë po e gjen vendin e saj në botë. Ai ka konstuar në koncertet e shumta që ka dhënë kudo në botë se, të huajt emocionohen nga muzika shqiptare dhe ai ndihet krenar për këtë.