Genc Tukiçi: Me Jeta është ëndërr, përmbushëm amanetin e babait
Premiera botërore "La vitta e sogno" (Jeta është ëndërr), një vepër lirike, legjendë në tre akte, që David Tukiçi e ka kompozuar mbi një dramë lirike të dramaturgut të njohur spanjoll, Pedro Calderon de la Baca. Me koreografi të mjeshtrit Agron Aliaj, regji të Alfred Trebickës dhe mjeshtër special i përgatitjes Genc Tukiçi vepra do të vijë për tre net në skenën e TKOB.
"La vitta e sogno" (Jeta është ëndërr) është vepra e radhës, që sjell sërish në skenën shqiptare vëllezërit David dhe Genc Tukiçi. Do të jenë mbi 100 artistë, të cilët do të dhurojnë emocione të veçanta tek publiku, i cili do të ketë fatin që të ndjekë një vepër me përmasa botërore në skenën operistike, e cila ngjitet në skenë në vijim të veprave të tjera të suksesshme që janë sjellë para publikut. Ndërsa pianisti i njohur Genc Tukiçi tregon se kjo vepër është dhe plotësimi i amanetit, që babai u kishte lënë atyre e ndërkohë që ai flet dhe mbi mesazhin e veprës. Është opera e parë e Davidit dhe është vepra më e madhe që ai ka shkruar kështu që është një bashkëpunim shumë i mirë dhe unë në këtë vepër kam rolin e ndihmësit, por e konsideroj këtë vepër si të familjes, të shtëpisë. Kjo vepër është një amanet i babit tonë, që ai të shkruante një opera dhe ta vinim ne Tiranë. Vepra ka disa mesazhe, mesazhi më i spikatur do të thosha që është dashuria nuk vdes kurrë. Kur dy njerëz duhen dashuria jeton dhe pas vdekjes. Davidi ka pasur oferta që ta vërë këtë vepër dhe në skena të tjera por ai këmbënguli që ta luante për herë të parë në Shqipëri, sepse ne jemi edukuar me atë proverbrin shqiptar, që guri i rëndë peshon në vendin e vet. Kam bindjen personale që opera do të ketë sukses, tregon ndër të tjera Genc Tukiçi. Regjisori Alfred Trebicka tregon disa nga elementët regjisorialë të veprës. Ky projekt veç operës ka dhe balet brenda dhe është një mega projekt në kuptimin asaj që do të ekzekutohet në skenë. Elementët janë tradicionalë, sepse edhe vetë zgjidhja qoftë e vijës melodike apo e imazhit është klasike. Vetë vepra, vendi i veprimit ku zhvillohet është një ambient gotik. Është Polonia e shekullit të 14-15, ka elementë monumentalë si në skenografi ashtu dhe në imazhin e saj. Pjesëmarrja e gjithë korit të TKOB në këtë vepër i jep një tjetër dimension kësaj opere. Unë mund të them që mua personalisht më ka vlejtur shumë ky projekt për specifikën që ai ka, pohon regjisori i veprës Alfred Trebicka. Dirigjent i korit do të jetë Dritan Lumshi dhe skenografia Genc Shkodrani. Personazhet: Sixhizmondo-Stephen Mullan, Rozura-Emiljana Palushaj, Sofika Kola, Ardita Meni, Klotaldo- Armndo Likaj, Mbreti Bazilio-Erlind Zeraliu, Klarino-Gilmond Myftari, Stela-Klodiana Brahimi, Rezarta Qevani, Rudina Delia, Astolfo-Elson Braha, këshilltari i mbretit-Luan Sula, zëri i brendshem i sizhizmondos-violonçel solo-Kujtim Vorpsi, zëri i brendshëm i Rozaurës-violinë solo-Gëzim Bulçari, kundërfigurë e Rozaurës dhe Sixhizmondos-Erisa Gina, Greta Hushi, Dion Gjinika, Julind Dervishi.
Jeta është ëndërr, një dramë e muzikuar
Është shkruar nga Giacomo Carbone, çmim Flajano në vitin 1998, dhe David Tukiçi. Calderon de la Barca një nga dramaturgët më të mëdhenj spanjollë, e ka shkruar veprën Jeta është ëndërr nga 1532 deri në 1536. Kjo dramë nuk është muzikuar asnjëherë, ndërkohë që është vepra më e publikuar dhe prezantuar në Europë, veçanërisht në vendet ku mbizotëronte regjimi socialist, duke qënë se Calderon ka zgjedhur Poloninë si vendin ku zhvillohen ngjarjet e dramës. Jeta është ëndërr ka disa këndvështrime interpretimi; Filozofik-për meditimin torturues që përcjellë mbi vështirësitë e lirisë njerëzore. Religjioz -tërheq vëmendjen ndaj dëmeve që mund të vijnë si rrjedhojë e sjelljeve të pakontrolluara. Moral- mes pasionit e arsyes duhet të triumfojë respekti për ligjet dhe përparimet morale. Politike- Të tregon rrugën se ku mund të të çojë shpërdorimi i lirisë. Gjithashtu, nxjerr në pah dilemën mes fatit të parashkruar dhe lirisë së zgjedhjes për jetën tënde, duke sugjeruar se njeriu mund të përkushtohet për të ndryshuar rrjedhën negative të fakteve, dhe së fundi, është një protestë kundër dhunës sociale e cila mbyt lirinë individuale, që mund të realizohet vetëm brenda dimensioneve ëndërrimtare. Maestro Tukiçi e ka ndryshuar libretin duke i shtuar skemës së ëndrrës, balet në aktin e II, si dhe ka nënvizuar në fundin e operas idenë që dashuria e vërtetë jeton dhe pas vdekjes.
Nga Julia Vrapi