Izolohet sheshi Skënderbej , qarkullimi i automjeteve vetëm nga unaza
Përdoruesit e automjeteve në Tiranë do të duhet ti nënshtrohen një itenerari krejt të ri lëvizjesh për të mbërritur në destinacion me mjetin e tyre, pas zgjerimit të punimeve në sheshin Skëndërbej. Prej ditës së djeshme, kalimi me automjete në Bulevardin Zogu I-rë
është i lejuar vetëm në njërin krah të lëvizjes, në drejtim të unazës. Kështu Bashkia e Tiranës ka bërë ditën e djeshme publike rregullat e reja të kalimeve nga automjetet të cilat do të anashakalojnë Sheshin Skënderbej e do të kalojnë mbrapa muzeut. Në përpjekje për të normalizuar sadopak qarkullimin e automjeteve policia po tregon në regjim më të ashpër ndaj parkimeve në anët e rrugëve dytësore duke lejuar vendosjen e makinave vetëm në njërin krah të tyre dhe duke ndëshkuar me gjoba ata që veprojnë ndryshe. Ura e Këmbësorëve, tek Shallvaret (Pallatet Agimi) në Tiranë tanimë nuk është e tillë pasi Bashkia ka hequr vazot kufizuese duke lejuar kalimin e automjeteve nga njëri krah i Unazës në tjetrin sërish në përpjekje për ti dhënë pak frymëmarrje qarkullimit të rënduar në kryeqytet. Por edhe pas përpjekjeve të vazhdueshme të Bashkisë së Tiranës e cila në këto nisma pothuajse ka dështuar tërësisht gjatë këtyre ditëve qarkullimi në Tiranë ka qenë gati një mision i pamundur jo vetëm për shkak të kufizimeve në sheshin Skënderbej por edhe për hyrjen në përdorim të itinerareve të reja të lëvizjes me të cilat përdoruesit e rrugës ende nuk janë ambientuar. Numri i automjeteve vetëm në Tiranë është më shumë se 230 mijë ndërkohë që një numër i konsiderueshëm makinash hyjnë dhe dalin çdo ditë nga kryeqyteti në rrethet e ndryshme të vendit. Por më të paorientuarit për rregullat e reja të bashkisë ditën e djeshme dukeshin vetë qytetarët e Tiranës të cilëve ju është bllokuar pothuajse tërësisht kalimi në urën e shallvareve. Madje shumë prej tyre duke nxituar janë edhe acaruar me eksperimentet e bashkisë e cila duket sikur ka bllokuar jo vetëm trafikun e makinave por u ka zënë edhe rrugët vetë kalimtarëve.
Projekti
Pas fazës fillestare të punimeve që u fokusua në zonën përreth monumentit të Heroit tonë Kombëtar, tashmë ka nisur faza e dytë e punimeve, që zgjeron ndjeshëm hapësirën e kantierit. Në këtë fazë është parashikuar që të fillojnë punimet për kanalizimet dhe galerinë që do të hapet përpara Pallatit të Kulturës. Do të fillojnë punimet në galerinë lindje perëndim dhe konkretisht në pjesën që nis përpara Bankës së Shqipërisë e deri në fillimin e rrugës Luigj Gurakuqi dhe po ashtu ka filluar realizimi i punimeve të projektit në zonën e lulishtes pas monumentit të Skënderbeut. Pikërisht nevoja për kufizimin ose devijimin e trafikut në disa zona të sheshit ka bërë që Bashkia të hartojë një plan të detajuar masash që do ta lehtësojë sa më shumë të jetë e mundur lëvizjen e automjeteve, por edhe atë të këmbësorëve. Zgjerimi i kantierit do të bëjë që të bllokohen dy akset rrugore që kalojnë përmes sheshit, konkretisht ai që kalon nga Muzeu Kombëtar e deri te Ministria e Ekonomisë dhe ai që kalon përpara Bankës së Shqipërisë.Për të lehtësuar fluksin e lëvizjes është parashikuar që në pjesën përpara Pallatit të Kulturës të jenë në funksionim 5 korsi lëvizjeje për makinat dhe një korsi për këmbësorët, e cila tashmë është kufizuar me rrjetë plastike. Më tej automjetet që do të vazhdojnë lëvizjen drejt rrugës së Durrësit do të mund të kalojnë në aksin përpara Muzeut Kombëtar. Ky aks do të jetë me një kalim, pra vetëm në drejtimin nga sheshi për në rrugën e Durrësit. Automjetet që duan të kthehen në drejtim të Bankës së Shqipërisë, nuk do të kalojnë përpara Muzeut, por pas tij dhe si të dalin në kryqëzimin me rrugën e Durrësit, do të vazhdojnë drejt Bankës. Nga kryqëzimi i Bankës së Shqipërisë me rrugën e Kavajës, për të dalë në shëtitoren Dëshmorët e Kombit, automjetet mund të përdorim aksin rrugor që kalon përpara selisë së Partisë Socialiste e deri te Ministria e Ekonomisë. Po ashtu mjetet mund të vazhdojnë lëvizjen deri tek Gjykata e Lartë e më pas të kthehen majtas tek Ministria e Mbrojtjes.
Arta AGOLLI