Gençlerbirligi, në garë për Currin

Pas zërave që flisnin për interesim të Shtutgartit e Borusias së Dortmundit nga Bundesliga dhe dy klubeve moskovite, Lokomotivë dhe Dinamo, tashmë në garën për të siguruar shërbimet e mbrojtësit ka hyrë edhe Gençlerbirligi.
Këta të fundit bëhen klubi i dytë turk që kërkon Currin, pasi pak kohë më parë ai ndiqej me shumë vëmendje edhe nga Fenerbaçe. Gjithsesi, duket e vështirë që kuqeziu të largohet nga Vorskla Poltava, pasi është nën kontratë deri në vitin 2011.
Në tre vjet e gjysmë aktivizim me skuadrën ukrainase, lojtari i lindur në Prishtinë numëron 12 gola të realizuar në 94 takime. Së bashku me mbrojtësin tjetër, Armend Dallku, ai cilësohet si pikë e fortë e skuadrës, që momentalisht renditet e katërta në Vyscha Liga dhe është kualifikuar për në finalen e Kupës së Ukrainës.
Me ekipin përfaqësues, Curri ka luajtur 17 ndeshje dhe më 11 tetor 2006 ka shënuar golin e vetëm kuqezi, në sfidën e humbur 2-1 në “Amsterdam Arena” kundër Holandës.
Një tjetër lojtar i Kombëtares, i cili duket në prag të ndryshimit të skuadrës, është edhe Besart Berisha. Sulmuesi nuk cilësohet si element i nevojshëm te Bërnli në Çempionshipin anglez (Ligën e dytë).
Edhe pse i është bashkuar ekipit prej pak ditësh, pas huazimit te norvegjezët e Rozenborgut, drejtuesit e klubit po studiojnë alternativat që t’i gjejnë një tjetër skuadër, ku 23-vjeçari mund të luajë deri në fund të edicionit. Më e interesuar duket AC Horsens në Danimarkë: ekipi që në këtë sezon po lufton për mbijetesë, e sheh Berishën si një përforcim të rëndësishëm me terma afatshkurtër.
Lojtari e njeh mirë kampionatin danez, sepse në të kaluarën, kur kartoni i tij zotërohej nga Hamburgu, ka pasur dy përvoja pozitive huazimi tek Alborgu dhe Horsens.
Edhe pse u transferua me shumë bujë te Bërnli në vitin 2007, për afro 350 mijë euro, Berisha nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje zyrtare në kampionatin anglez. Kjo edhe për shkak të dëmtimit në gju, që e la për afro gjashtë muaj jashtë fushave.
AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code