Kaosi ajror, aeroporti i Rinasit pranë normalitetit
Fluturimet në aeroportin e Rinasit, por edhe në të gjithë Evropën i janë kthyer pothuajse plotësisht normalitetit. Deri pasdite janë kryer të gjitha fluturimet e programuara nga aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Kanë mbetur pa u realizuar vetëm fluturimet drejt Londrës, ndërsa pritet një vlerësim i ri i situatës në hapësirën ajrore britanike, edhe pse të martën pas mesnate u vendos që ajo të ishte pjesërisht e shfrytëzueshme. Ndërkohë, sipas “Eurocontrol”, në të gjithë Evropën kanë rinisur 75 për qind e fluturimeve. Ka diskutime mes krerëve të kompanive ajrore për kompensime të humbjeve financiare nga bllokimi i fluturimeve për rreth një javë. Por qeveritë kanë reaguar jo mirë ndaj kësaj kërkese. Edhe pse ka rinisur pjesa më e madhe e fluturimeve, presidentët e kompanive mendojnë se do të duhet të kalojnë disa javë derisa situata të normalizohet plotësisht. Avionët e parë zbriten dje në aeroportin “Heathrou” të Londrës, pas disa ditë bllokade. “British Airëays”, shpreson që të ulen edhe 24 aeroplanë të tjerë nga SHBA, Afrika dhe Azia. Kreu i Organizatës së Aviacionit Civil, Roberto Kobeh Gonzalez, tha se tashme është i sigurt fluturimi mbi Evropë, pasi autoritetet kanë vendosur t’i rihapin hapësirat ajrore dhe t’i rifillojnë fluturimet. Përsëri frika se vullkani në Islandë mund të shpërndajë më shumë hi mbetet. Kompanitë ajrore kanë kritikuar mënyrën se si autoritetet evropiane e kanë menaxhuar rrezikun nga hiri vullkanik duke e vlerësuar ndalimin e fluturimeve në mbarë Evropën, të gabuar dhe rrënues për industrinë.