Berisha: Qeset plastike të bëhen prej letre
Nertila Maho
Gjendja e zonave turistike të vendit, e vlerësuar si problematike në aspektin e papastërtisë që ekziston, ka sjellë edhe reagimin e kreut të ekzekutivit gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e djeshme.Kryeministri Sali Berisha u shpreh se duhen marrë masa urgjente për të zgjidhur këtë çështje para se të fillojë sezoni turistik. “Gjendja e papastërtisë, është e jashtëzakonshme dhe kjo kërkon një ndërhyrje emergjente, me të gjitha mjetet, për të pastruar me shpejtësi të gjithë zonën turistike. Ministri i Mjedisit ka sjellë një dokument shumë të hollësishëm, ku paraqitet një gjendje tmerrësisht e papranueshme në zonat tona kryesore turistike” tha Kryeministri. Për të evituar ndotjet masive kreu i Qeverisë ka propozuar heqjen nga qarkullimi të qeseve plastike dhe zëvendësimin e tyre me qese letre. “Duhet të konsiderohet në mënyrë shumë serioze ndalimi i përdorimit të qeseve plastike dhe kalimi tërësisht tek letra dhe të përcaktojmë një datë për këtë. Natyrisht, do të jepet kohë për nisjen e kësaj mase. Së dyti, do të përcaktohet mekanizmi i trajtimit të shisheve. Deri sa të arrijmë në kulturën që shqiptarët të bëjnë ndarjen e mbeturinave, duke i hedhur në kosha të veçantë, të vendosim një stimul për përdorimin e shisheve” u shpreh Berisha. Por fermerët nuk bëjnë përjashtim nga masat që duhet të merren për një ambient sa më të pastër dhe në këtë pikë ata duhet të tregohen më të kufizuar në përdorimin e plasmanit me përjashtim të serave. “Të përcaktojmë kushte për fermerët, edhe me një stimul, sesi duhet të veprojnë për plasmasin që përdorin, të cilin e ndërrojnë pas një viti dhe e hedhin. Të përcaktojmë edhe bonuse, në mënyrë që t’i dorëzojnë aty, ku do të dorëzohen edhe shishet plastike. Gjë e cila ka filluar. Ekzistojnë dy qendra që bëjnë riciklimin e tyre dhe ne mund t’i stimulojmë ato” informoi kreu i ekzekutivit. Lidhur me situatën problematike në zonat turistike Kryeministri ka thumbuar autoritetet vendore si përgjegjëset kryesore. “është një gjendje që nuk i nderon aspak autoritetet vendore të këtyre zonave, të cilët kanë detyrë kryesore mirëmbajtjen e tyre. Por nuk mund të rrimë të bëjmë debate me ta, por sëbashku me ta do të angazhohemi të pastrojmë zonat dhe jo vetëm plazhet, por të gjithë Shqipërinë nga çdo hedhurinë automjeti. Nuk ka vend në botë që të jetë i mbytur me automjete të ndryshkura si ky vend” tha Berisha. Ai kërkoi ngritjen e një Task Force që do të përcaktojë gjithë modalitetet për grumbullimin në një vend të vetëm të automjeteve jashtë funksionit të cilat braktisen vend e pa vend dhe kanë mbytur vendin. Ndërkohë që për ata që shkelin rregullat do të përcaktohen sanksione ligjore të ashpra. “Task Force të përcaktojë edhe buxhetin që nevojitet, të hartojë vendimin e qeverisë për të, ndërhyrjen urgjente në të gjithë territorin e vendit për makinat e prishura dhe për pastrimin e zonave turistike” përfundoi Kryeministri.
Gjyqi me GE, ministria e Olldashit 50 mijë USD shtesë buxheti
Përfaqësimi i Shqipërisë në gjyqin me General Electric në Gjykatën e Apelit, Itali i ka kushtuar rreth 50 mijë dollarë. Kjo shifër i ka kaluar dje Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit përmes një vendimi të miratuar nga Këshilli i Ministrave i cili përcaktonte që “ në buxhetin e miratuar për vitin 2010 për ministrinë, zërit “Shpenzime operative”, t’i shtohet fondi prej 5 083 755 (pesë milionë e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, për detyrimin ndaj studios ligjore “Grimaldi & Associatti”, për përfaqësimin e mbrojtjen në Gjykatën e Apelit, Romë, në çështjen gjyqësore ndërmjet General Electrics, Athena S.P.A, vs, kundër Republikës së Shqipërisë”. Gjyqi me gjigandin amerikan General Electric ka filluar që në momentin që qeveria shqiptare prishi kontratën për ndërtimin e hekurudhës më moderne në vend me një tren elektrik që do të lidhte kryeqytetin me Kavajën. Nga Gjykata e Arbitrazhit më 1 shtator 2007 u vendos që pala e dëmtuar të kompensohej me rreth 20.66 milion USD pasi kishte shkelur një nga pikat e Kodit Civil Italian pasi kontrata është nënshkruar bazuar në legjislacionin italian.