Një përvojë që duhet jetuar në Galerinë e Arteve
Teksa kalon nga “Madalena” e Guido Renit tek “Krishti me qirinj” i Chagall, “Portreti i Baroneshës Sylvia de Valdner” i ëarhol, apo “Figura” e Picassos, nuk ka sesi të mos të përshkohesh nga një emocion i veçantë. Veprat e piktorëve të mëdhenj, për të cilët vetëm kemi dëgjuar, apo shfletuar tanimë mund t’i shohim nga afër në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Në kuadër të stinës së aktiviteteve italo – shqiptare “Dy popuj, Një det, Një miqësi”, në një ceremoni ku nuk mungoi kryeministri shqiptar, Sali Berisha, përfaqësues diplomatikë e sigurisht shumë njerëz të artit, u hap ekspozita me vepra të koleksionit “Ca` La Ghironda”, të koleksionistit italian, Francesco Martani. Nën masa të rrepta sigurie, nën survejimin e forcave speciale, emra të mëdhenj të pikturës botërore iu shfaqën publikut shqiptar, që dukej se e kishte pritur me pasurim këtë ngjarje. “Ekspozita është ndërtuar në dy pjesë, pjesa e parë e titulluar “Shkëlqime klasike”, duhet lexuar si një përzgjedhje e thjeshtuar veprash që dëshmon dinamikat e zhvillimeve të artit të pikturës gjatë dy shekujve nga reforma protestante, tek kundër-reforma katolike. Miti, alegoria dhe historia janë temat e përzgjedhura për këtë seksion të ekspozitës, ku paraqiten vepra të mjeshtërve të pikturës gjatë shek. XVI dhe XVII si: Annibale Carraci, Guido Reni, Guercino apo Anton Van Dyck”, duke na ofruar kështu një mundësi të papërsëritshme e një përvojë të drejtpërdrejtë për të ndjerë dhe kuptuar pasionin dhe atmosferën krijuese të kësaj periudhe, për të cilën E. H. Gombrish shkruan në librin e tij “The Story of Art, “këta mjeshtra të mëdhenj na kanë hapur një dritare të asaj bote, bukurie dhe pastërtie, pa të cilën do të kishim mbetur të varfër”, thotë drejtori i GKA-së, Rubens Shima. Ndërsa pjesa e dytë e ekspozitës titulluar “Atmosfera e shek. XX” na ofron një tjetër atmosferë, e cila përshkoi një shekull të tërë. “çdo vepër përfaqëson një klimë artistike, një përvojë personale, një kërkim individual apo kolektiv, një kulturë citimi, një transformim teknik, kryesisht brenda zonës së pikturës, duke nxitur kështu atë plotësi të gjuhës së artit të shekullit të kaluar. Ekspozita mbledh vepra thellësisht të ndryshme por që, pasqyrojnë forcën individuale të secilit autor, pavarësisht stilit, kontekstit kulturor, karakterit formal, mendimit teorik, apo refleksionit shpirtëror”, thotë Shima. Në këtë pasazh artistik ndesh vepra të Kazimir Malevich, Giorgo de Chirico, Giorgo Morandi, Rene Magritte, Piet Mondrian, March Chagall, Joan Miro, Pablo Picasso, Francis Bacon, Lucio Fontana, Andy ëarhol, Jean Michel Basquiat.