Gënjeshtrat e Ramiz Alisë dhe sulmet e tij kundër Kadaresë riprodhohen në blogjet-sifone të mediave të Edvinit
Është pak, por është e vërtetë. Metodat e ish-sigurimit enverist po evoluojnë. Ky shndërrim vërtetohet nga tempulli më i ri i aksionit të tyre. Përveç mediave të ndryshme kombëtare, së fundmi agresioni i sigurimsave po orientohet hapësirave virtuale, siç janë blogjet, chatet apo forumet me rreshtim ideologjike. Këto hapësira po shndërrohen në anekse të një lloj komunizmi mendor për shqiptarët.
Në rrjetin virtual shihet më qartazi një fushatë ofensive ndaj personaliteteve identifikuese të karakterit kombëtar. Ka disa ditë, per shembull, që në forumin e gazetës “Shekulli”, por edhe në disa blogje e forume të ndryshme po intensifikohet një lloj xhihadi mediatik komunist ndaj shkrimtarit të shumë lexuar Ismail Kadare. Çmimi “Princi i Asturias” vetëm sa u ka hedhur benzinë serbatorëve të urrejtjes ndaj njeriut të lirë. Ismail Kadare përfaqëson në radarin e komunistëve armiku, ai është bërë alfa dhe omega e shënjestrës së përbaltosjes, një aksion-shpifësirë, pa dallim feje, krahine e ideje. Larmia e sharjeve anonime paraqitet në një gropë fjalësh të ndyra për intelektin e njeriut. Por kur sheh një foto rasti të tij me Ramiz Alinë, që po bëhet pa një pa dy – dhe enkas - shkas për t’u keqpërdorur si tabelë qitjeje për mllefet e atyre që kanë rrënjë më udhëheqjen e ish-bllokut. Nuk është çudi që nga dallkaukë të internetit të presim llojlloj lojërash, ofendimesh dhe hajgaresh. Dalja në media e ish-diktatorit komunist Alia është një neveri në vete, por kur e sheh se tentojnë në mënyrë më dobiçe të faktorizohen në opinionin publik si personalitete normale, atëherë normaliteti i një demokracie kthehet në anormalitetin e një shoqërie. Një shoqëri e cila nuk i ka prerë akoma rrënjët me dellin komunist, tentimi i një riciklimi me intervista - si vizive, ashtu edhe në të përditshme - po bëhet një fakt i kryer i rikthimit të një totalitarizmi soft, që për fat të mirë është akoma në fazat e veta artificiale. Baza e re ku komunistët po peshkojnë militantë e debatikas, nuk është më fshati apo njerëzit e varfër, por janë të rinjtë pa një kujtesë se çfarë ka qenë komunizmi, por që duke qenë gjithmonë on-line i shikojnë gjërat me një përciptësi të tmerrshme.
Kuptohet vetiu se Interneti është media më e përshtatshme që përdorin sot, jo vetëm komunistët virtualë, por edhe terroristët, për të përhapur propagandën e tyre. Ai është sheshi ku shfaqet planifikimi i sulmeve dhe rekrutimi i anëtarëve të rinj në organizatat e tyre. Interneti u siguron përdoruesve të vet një masë anonimati, ndërkohë që lejon komunikimin e menjëhershëm në rrjetet e decentralizuara të terrorizmit.
Ajo që të kall datën janë komentet kundrejt Kadaresë, ku njëherë konsiderohet si tradhtar i socializmit dhe njëherë tjetër si një shkrimtar i zakonshëm, kur e vërtetë është fiks e kundërta. Publiku shqiptar i shekullit XXI duhet të kuptojë njëherë e mirë se kur flasim për Kadarenë, flasim për një shkrimtar me vlera universale, që del jashtë kulturës provincialiste të soc-realizmit.
Një pjese të rinisë, e pakultivuar me plagën e një shoqërie që ka vuajtur nën komunizëm, sot po i injektohet në mënyrë indirekte një helm toksik, që sjell një trullosje dhe një perceptim të gënjeshtërt të realitetit. Interneti ofron njëfarë anonimati dhe mundësinë të thuash atë që s’e mendon në të vërtetë, prandaj edhe komunizmi hipokrit e ka gjetur atë si një fushë djerrë ku mund të lëvrohet një propagandë e sofistikuar në teknika.
Sot shqiptarët, edhe pse i tejkalojnë kufijtë fizikë, janë prapë përballë një muri mendor, që e frenon afrimin me vlerat universale të kontinentit-mëmë, pra Evropës. Forcat e së keqes, që simbolizohen në treg nga Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha janë veçse relikte të një djallëzie të pafundme. Agresioni mediatik i këtyre di monstrave po tenton të na kthejë në pre të pasardhësve të klikës enveriste, në kavie të një laboratori marrëzish ku nuk prodhohet gjë tjetër veçse urrejtja patologjike ndaj njerëzve të lirë. Blogerat anonimë e shohin këtë agresion si shpëtim, por përtej fasadës, kontributi i tyre mbetet kontingjent injorance. Kultura nuk fitohet me një klik, por duke djersitur mbi libra. Me klik shpërndahet veç mashtrimi i monstrave enveriste, të mbetura ende gjallë, si fosile-dëshmi të një zezone që s’mund ta kthejë as Ramiz Alia.