E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tribalizmi Post-modern dhe klima e dyshimit

Në këto kohë të errëta, është e lehtë të biesh pre e banalitetit dhe të gjesh hijen e së keqes në çdo cep. Por nëse ekzistojnë disa specie aliene që survejojnë tokën shqiptare, ato do të shihnin - me një lloj aparati që i ngjan televizorit - se po shkojmë drejt agonisë së besimit dhe instalimit të klimës së dyshimit. Një nga tendencat e “shpirtit të kohës sonë” është padyshim krijimi i tribuve të reja. Edhe klima e dyshimit po rikrijohet pas komunizmit, në atë që sociologu francez Maffesoli e quan “tribalizmi post-modern” në “Shënime të Post-modernizmit”, vepër që ka brenda një vazhdueshmëri pozicionesh, të afta për të krijuar një sinergji dhe tejkalim të konceptit të koherencës dhe të kundërthënies. Ku e hasim ne, këtë, në shoqërinë shqiptare? Padyshim pararoja e negativitetit që përcjell dyshimin mbetet politika. Kultura folklorike thotë se dyshimi gostit bashkë me djallin
në një pjatë, në një gotë e në një kuti.
Mirëpo politika shqiptare dhe sidomos ajo opozitare, po kërkon të injektojë në mënyrë frenetike molekulat e dyshimit mbi gjithçka që bën pjesa tjetër e pozitës. Në këto pozita mund të kuptohen edhe turbinat që riorganizojnë supozimet, hamendësimet, akuzat e trillimet mbi gjithçka që bëhet, me apo pa vetëdije.
Transparenca jakobine/Ndërkaq, nuk po kërkohet transparencë, por vetëm incidencë e krimit shtetëror, kudo dhe domosdoshmërisht. Pra, kemi të bëjmë me një ide jakobine të transparencës, e cila nuk parakupton domosdoshmërisht një shëndoshje të demokracisë, përkundrazi, duket se na parathotë një kullë tjetër babeli, të stërmbushur me dyshime. Historia e ka riprodhuar shpesh sindromën e Robespierit, pra të atij që solli klimën e dyshimit e që më pas, po vetë ra viktimë e saj. Sot, dyshimi vjen kryesisht nga politika tekno-terroriste e medies që krijon një opinion publik të cunguar qysh në zanafillë. Vetëm të numërosh fletët e gazetave dhe bobinat e edicioneve të lajmeve mjafton për të kuptuar se po implementojmë një dimension artificial të konfliktit politik. Merret lehtë me mend se qëllimi kryesor mbetet krijimi i një tensioni social që do të përligjte dyshimet në kuti. Qysh kur u perceptua se humbja zgjedhore ishte e pashmangshme, mbeti frustracioni i mospasjes së pushtetit, duke e adresuar përgjegjësinë tek të tjerët, ku padyshim armiku a kundërshtari politik ishte rrufepritësi i dyshimi.
Nga mosprania, del se nuk ka mundësi që kemi humbur, si rrjedhojë na kanë vjedhur. Ku kërkohet vjedhja? Në kuti. Ekskursionet e protestës nuk kanë asgjë racionale. Ato i takojnë më shumë sferës emocionale, e cila pasqyron një tendencë të tribusë së post-modernizmit. Shtypi a media në përgjithësi po merret më shumë me bojkotin e opozitës, sesa me problemet reale të këtij vendi, ose edhe mbrojtjen e institucioneve dhe të vlerave të tyre, te etikës publike dhe të mbresave surprizë që prodhon legaliteti. Frika është pjella kryesore e dyshimit, bile njëra nga pjellat më kryesore të ligësisë.
Ka mundësi që të kemi humbur një qartësi të domosdoshme për të jetuar të pandërgjegjshëm në një shoqëri që ka një ilegalitet të pafundme, të triumfit të groteskut dhe të vulgaritetit, bashkë me një skarcitet respekti për të tjerët.
Refreni/Kontrabandistët e dyshimit lëshojnë aty-këtu fjalë se nëse nuk hapen kutitë, ato do t’i hapim vetë. Pas hapjes vjen parajsa, shkuarja në Mars dhe fluturimi rretheqark - jo veç Evropës, por gjithë universit paralel. Që t’u rikthehemi gjërave serioze, duhet analizuar kush vendos në Shqipëri dhe cila vendimmarrje kontestohet? Ku është problemi? Këto kontestime duken të justifikuara, ato mund të ndodhin, për shkak se janë të lyera me një oportunizëm. Por debatet endemike mbi hapjen e kutive fshehin në vetvete instalimin politik të kulturës së dyshimit, e cila po e çon vetë politikën drejt një lodhjeje mendore. E më past, drejt e në anarki. Shkolla non-global mëson përfundimet. Zhgënjehem se shumë nuk po e kuptojnë këtë nisje drejt humnerës morale dhe etike të qytetarisë. Kjo kuptohet vetiu se është një logjikë dyshimi që nuk e mobilizon vendin, përkundrazi e frenon në aspiratën legjitime të bashkimit me komunitetin evropian.
Nihilizmi i dyshimit mund të zhbëhet vetëm me sfidën e ideve, që për fat të keq idetë shqiptare ndodhen akoma në inkubator. Veçse aty, ku e vërteta po lind, ajo rrezikon të mbytet, sapo fanatikët e dyshimit braktisin arsyen për patosin e bojkotit. Të tëhuajturit prej idealeve, kur nuk kanë gurë në duar, pjesëtojnë fjalët me bojkotin dhe rezultati del një acarim nervash i qytetarit që i intereson veç projekti vetjak.
Dyshimi është gjarpër që i duhet shtypur koka!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›