Strasburgu: Rama s’duhet të bojkotojë asnjë palë zgjedhje, as ato të pjesshmet me 15 nëntor
Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Evropës, Ian Mikalef ka dënuar dje bojkotin parlamentar të PS, duke i kërkuar asaj që të ketë kurajë për dialog politik, tani që ishte bërë e qartë se zgjedhjet i përmbushën standardet. Kryeeksperti i Strasburgut për pushtetin vendor i ka kërkuar Edi Ramës të mos bojkotojë asnjë palë zgjedhje, jo vetëm parlamentaret e 2013-s apo zgjedhjet vendore të 2011-s, por as ato të pjesshmet, që mbahen me 15 nëntor
Kritikat e ndërkombëtarëve ndaj kursit bojkotues të Edvinit kanë arritur pikun, por ky i fundit duket se nuk ka ndërmend të tërheqë vendimin e tij të pa arsyeshëm. Pas një serie reagimesh të faktorëve politik vendas, ndërkombëtarët kanë rritur presionin, duke e dënuar njëzëri bllokimin e procesit politik në Shqipëri nga ana e opozitës dhe në veçanti të Partisë Socialiste. Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Evropës, Ian Mikalef, i cili ndodhej dje në Shqipëri, reagoi ndaj blofit politik të opozitës, atë të bojkotit parlamentar, duke e konsideruar të papranueshëm dhe njëherazi veprim imoral. Mikalef theksoi rëndësinë e vendosjes së dialogut dhe bashkëpunimit politik në vend, si të domosdoshëm për ecurinë e vendit dhe arritjen e proceseve integruese në BE. Ai i apelon opozitës shqiptare dhe kryetarit të saj, Edi Rama, që të ulen në tryezën e diskutimit, duke cilësuar se dialogu politik është mënyra më e mirë për të zgjidhur çdo problem që mund të lindë.
“Unë mund të them se ka pasur zhvillime në aspektet politike në Shqipëri. Sigurisht që ne duhet të vazhdojmë punën tonë për zhvillimin politik në këtë vend, por gjëja më e rëndësishme që mund të them, është ajo që duhet të arrihet një vullnet politik, një dialog për të vazhduar më tej, nga qeveria. Apeli im është, se siç e kam thënë, kur kam qenë këtu në 2007-ën, në zgjedhjet lokale, dialogu politik është mënyra më e mirë për partitë politike për të zgjidhur çdo çështje që mund të kenë. Qëndrimi im është që ato së bashku të arrijnë në një dialog në mënyrë që të arrijnë një jetesë më të mirë për qytetarët e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Për sa i takon pavarësisë së pushtetit lokal dhe atij vendor, Mikalef deklaroi se në asnjë rast nuk ka konstatime negative për procesin e decentralizimit në Shqipëri.
“Procesin e decentralizimit në Shqipëri e kam diskutuar me qeverinë, e po ashtu me opozitën. Shoh që gjërat po ecin me një trend pozitiv. Ka çështje të tjera me të cilat politika duhet të përballet dhe ato të gjejnë zgjidhje. Ne do të shohim problemet bazuar në procedurat që kemi në Këshillin e Evropës, dhe do të raportojmë në rast se do kemi diçka që do të na duhet ta raportojmë. Por për momentin, ka pasur vetëm zhvillime pozitive. Mund të them se këtë e kemi përmendur në raportin e 2006-ës dhe gjithashtu edhe raportin e Asamblesë këtu, kohët e fundit më duhet të them, në fund të 2008-ës. Nuk ka pasur asnjë raport që flet për cenimin e pushtetit lokal. Ka disa deklarata apo pretendime të cilat duhen parë, por kur zhvillova bisedime me Presidentin e Republikës, kryeministrin dhe me ministrin Basha, konstatova se nuk ka asnjë vullnet nga qeveria, asnjë synim, për të ndërhyrë në autonominë e pushtetit lokal. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk po them që çdo gjë është perfekt por siç themi ne në anglisht, në rast se ka vullnet, ka një mënyrë. Pra, në rast se ka një vullnet politik të qeverisë për të vazhduar në rrugën që siguron autonomi për pushtetin lokal, atëherë këtë do ta kemi shumë shpejt në këtë vend”, deklaroi Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Evropës, Ian Mikalef.
Ndërkaq, duke iu referuar bojkotit të opozitës për zgjedhjet e pjesshme vendore, përfaqësuesi i Këshillit të Evropës, Ian Mikalef tha se ajo që i mungon opozitës, është vullneti për dialog politik.
“Bojkoti nuk është demokraci në një vend demokratik. Gjëja që duhet bërë është të dialogosh. Ja pse kam thënë më parë?!, unë ju bëj thirrje, dhe kërkoj nga partitë politike dialog. Bojkoti nuk pritet mirë, nuk shihet me sy të mirë. Ne kemi rënë dakord me qeverinë se ne do jemi të ftuar si kongres për të monitoruar zgjedhjet lokale të 09, jo sepse kemi ndonjë dyshim lidhur me procesin elektoral, në këtë vend, por sepse duam të jemi këtu të shikojmë mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet.
Besoj se kur krahasojmë Shqipërinë me vendet e tjera të BE, konstatojmë se është bërë shumë lidhur me regjistrimin e votuesve dhe me listat e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë kemi mjete elektronike dhe në rast ato janë aplikuar, Shqipëria është një ndër vendet që ka arritur shumë brenda një kohë të shkurtër, një përmirësim kur bëhet fjalë për identifikimin e votuesve, i cili është edhe aspekti më i rëndësishëm me të cilin duhet të përballesh në një proces elektoral. Kështu që ne duam të jemi prezentë të dëshmojmë që Shqipëria ka bërë përpjekjet e saj dhe sërish mesazhi im është se në rast se ka diçka që mund të jetë e gabuar në një proces zgjedhor, opozita ka të gjitha të drejtat dhe në rast se kjo e drejtë ekziston të kthejë në çështje gjyqësore e ta lërë gjykatën të vendosë. Sepse në një vend demokratik duhet të zbatohet pushteti i ligjit dhe për Këshillin e Evropës, zbatimi i ligjit është një vlerë thelbësore”, nënvizoi më tej Mikalef.
Përfaqësuesit e organizmave më të rëndësishme ndërkombëtare janë vënë në radhë duke kritikuar qëndrimin e opozitës ndaj situatës politike në vend, në një moment aspak të përshtatshëm. Në kushtet kur Shqipëria ka më tepër nevojë për dialog politik dhe konsensus të gjerë, opozita e Edi Ramës po përpiqet të aktivizojë “procesin e gardhimit”, si një tentativë dashakeqe, për të penalizuar aspiratat dhe prosperitetin evropian të vendit. Presioni i ndërkombëtarëve është i dukshëm. Askush më nuk mund të durojë veprimet e një karikature politike që, mbi interesat kombëtare vë ato personale dhe të klanit të tij mafioz që gjallon kryesisht në bashkinë e Tiranës.