Sheiku i betonit dhe Vasali i Bashkisë kërkojnë autonomi për çimentifikim
Poeti izraelit Yehuda Amichai, që vdiq në vitin 2000, ka jetuar shumë eksperienca. Në një intervistë të lëshuar në Jerusalem në 1994-n deklaroi: “Mund të qëndroj në ballkonin e apartamentit tim dhe t’u them fëmijëve të mi: Atje poshtë u gjenda për herë të parë gjatë një bombardimi, kurse në të djathtën time, poshtë pemëve, është vendi ku kam dhënë puthjen e parë”. Kuptohet vetiu se këto gjëra kanë ndodhur në një vend që ka një konflikt 60-vjeçar si Izraeli, por aty ku poetët kanë ende mjedise që t’i tregojnë ngjarjet, duke parë territorin a oborrin e pallatit ku kanë lindur.
Kurse në Tiranë, sheiku i Bashkisë, Edi Rama, ka dhënë leje e sheshe ndërtimi vend e pa vend gjatë 9 viteve qeverisje të kryeqytetit dhe aq shumë janë ngritur eko-monstrat në Tiranë saqë nuk ka mbetur më as edhe një shenjë e habitatit natyror ku lindën prindërit tanë. Gjithçka po turret drejt artificialitetit, saqë këto hapësirat e gjelbra bukolike nuk ka për t’i pikasur as një topograf, jo më një poet tiranas. Edhe pse jemi vendi i poetëve, proza jonë e vetme po kthehet betoforma institucionale. Nuk ka qelizë që betonarmeja të mos ketë pushtuar hapësirën publike në Tiranë dhe qytetet e mëdha si Durrësi, Fieri apo Vlora. Kanë shpëtuar vetëm qytetet e vogël, për vetë faktin se s’kanë një atraktivë biznesi, bile që parathënia e tyre mbetet asgjësimi, sipas parimit partizan a bipartizan. Trualli në qendër të Tiranës ishte këtë javë kryefjala e politikës së çimentifikimit. Administratori i Tiranës që në rolin e pusher-it të Sheikut të betonit, del në konferenca shtypi pa ndonjë të keq, për të mbrojtur një kinse pronë privatë, e cila dihet publikisht se është shtetëzuar në vitin 2008. Por diçka fshihet në fjalët e administratorit të Tiranës, i cili ka mbetur referenca e përgjegjësisë, në mungesë të titullarit të bashkisë, i cili është arratisur nga zyra dhe po merret me punë të tjera, më përfituese, si nga ana materiale, ashtu edhe nga ana shpirtërore.
Mirëpo duke u udhëhequr nga një praktikë që i nulifikon rregullat që sanksionojnë një shtet, për t’iu hakërryer shtetit ligjor, lëshojnë bulldog-sat e bashkisë për të ndalur mbushjen e gropës së zezë. Një gropë që është viktimë e pakundërtueshme e një sjelljeje 9-vjeçare. Pse policia bashkiake? Është polici që mbron ndërtimin?
Ka dy vende, në mes të Evropës, ku policitë e të njëjtit shtet përplasen me njëra-tjetrën: Kosova dhe Shqipëria. Ne Kosovë ndodh sepse ka struktura paralele serbe. Në Shqipëri s’kemi probleme etnike, as racore e as fetare. Problem kemi vetëm Sheikët që duan të fusin sheriatin e bashkisë si detyrim për të gjithë.
Në cilin ligj i mbështet Edvinit veprimet e bulldogsave të tij? Ku është e shkruar se policia bashkiake ka të drejtë të mbrojë me forcë zbatimin e një lejeje për shesh ndërtimi? Këtë prerogativë e ka vetëm zyra e përmbarimit, në mungesë të policisë gjyqësore. Ç’janë këto xhihade për pronën private? Sheiku i bashkisë i ka bërë “pass” arsyes së shëndetit të qytetarëve, por me veprimet dhe mosveprimet e veta po lejon injektimin e një llurbe çimentoje dhe overdoze hekurishtesh me origjinë ukrainase.