E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 1-vjetorin e revistës “Tribuna e Kuvendit”

Prej kohësh në Kuvendin e Shqipërisë ndihej e nevojshme të dilte një botim i veçantë, një revistë që të pasqyronte veprimtarinë e shumanshme të institucionit më të lartë ligjvënës në Shqipëri, aq më tepër se në përgjithësi parlamentet e botës e kanë prej kohësh një organ të tillë botimi. Me krijimin e Sektorit të Botimeve, në vartësi nga Shërbimi i Botimeve të Kuvendit, një mundësi e tillë u bë realitet. Pas miratimit nga Byroja e Kuvendit, revista që u quajt “Tribuna e Kuvendit” nisi udhën e saj dhe tani mbushi vitin e parë të botimit. Kjo është një revistë periodike dymujore, e cila botohet në 500 kopje për përdorim të brendshëm, por që u shkon rregullisht edhe ambasadave të huaja dhe bibliotekave të vendit. Deri tani janë botuar gjashtë numra dhe po përgatitet nga redaksia numri i shtatë. Revista ka dhe kolegjiumin, që me vërejtje e sugjerime të ndryshme e ndihmon redaksinë në punën e saj. Për përgatitjen e kësaj reviste redaksia është konsultuar me shumë organe të tilla botimi të parlamenteve të botës, ka marrë një përvojë të çmuar prej tyre, si për sa i përket brendisë, ashtu dhe faqosjes, por, gjithsesi, i ka dhënë asaj vulën shqiptare. Fill pas botimit të numrave të parë, është shfaqur interesimi nga ndonjë parlament i huaj që të dijë diçka më tepër për këtë botim të Kuvendit të Shqipërisë. Ky është një fakt inkurajues, se revista gradualisht po bëhet e njohur nga këto institucione të botës. Vendin kryesor në revistë e zënë rubrika të tilla si: “Seancat Plenare”, “Komisionet parlamentare”, “Marrëdhëniet me parlamentet e tjera”,  “Aktivitetet e Kryetares së Kuvendit”, “Të njohim parlamentet e botës” etj. Duhet vënë në dukje se revista ka një specifikë të vetën, një objekt pasqyrimi veprimtarish, në të cilat roli i Kryetarit të Kuvendit merr një rëndësi të veçantë.
Po t’u hidhet një vështrim gjashtë numrave të botuar, bie në sy se redaksia është përpjekur nga numri në numër nëpërmjet rubrikave të ndryshme t’u japë vendin e duhur shkrimeve për figurat e maxhorancës dhe të opozitës në Kuvend. Kështu duke shfrytëzuar rubrikën “Intervistë me deputetët” janë intervistuar deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare.
Redaksia qysh në përgatitjen e numrit të parë të revistës i ka krijuar hapësirën e duhur veprimtarive dhe mendimit alternativ të opozitës për probleme të caktuara të zhvillimit të vendit. Përveç rubrikave të mësipërme revista shpalos edhe rubrika të tjera të rëndësishme, veçanërisht në planin historik si: “Nga historiku i parlamentarizmit në Shqipëri”, “Figura që bënë epokë”, “Fjalime që jehojnë” etj. në të cilat lexuesi njihet me personalitete nga më atdhetare të Shqipërisë dhe me fjalimet e tyre në mbrojtje të interesave të vendit si: Noli, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Pandeli Evangjeli etj. Vlen të theksohet se revista u ka kushtuar një vend të gjerë dhe të veçantë ngjarjeve të mëdha historike të ndodhura kohët e fundit siç ishte pranimi i Shqipërisë në NATO. “Tribuna e Kuvendit” ka edhe rubrika të tjera, të cilat alternohen nga numri në numër. Në mbyllje të revistës botohet një përmbledhje e shkurtër e materialit të numrit përkatës në gjuhën angleze. Duke vlerësuar edhe opinionet, vërejtjet e sugjerimet konstruktive të lexuesve dhe specialistëve, kolegjiumi dhe redaksia do të punojnë më me këmbëngulje e përkushtim për të rritur më tej në të ardhmen nivelin cilësor të revistës,  e cila i ka faqet e hapura për çdo bashkëpunëtor, që dëshiron të japë kontribut me shkrimet e tij që “Tribuna e Kuvendit” të bëhet një revistë sa më dinjitoze dhe me vlerë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›