Gënjeshtrat me grada dhe tituj shkencorë
Një ndër çuditë e shëndetësisë sonë, është rendja pas titujve dhe gradave shkencore. Të gjithë e dimë etjen e shqiptarëve për tituj dhe grada, që në kohët e vjetra, kur për shërbimet që i bënin pushtuesit turk, ky i fundit u jepte tituj si aga, bej, etj. Të gjithë e “njohim” Aqif Qifen e famshëm të Edmond Tupes, që u bë shkencëtar, duke blerë tituj shkencore me dollarë.
Çudia shkon edhe më tej: vetëm për të bërë dizertacionin, porositet aparaturë e kushtueshme, e cila pasi mbaron “misionin”, zhduket përsëri pa lënë gjurmë. Kjo etje e pashuar për tituj dhe grada shkencore, ka bërë që Shqipëria të ketë përqindjen më të lartë të njerëzve me tituj shkencorë në të gjithë botën. Si e kemi nisur, së shpejti mund të mos quhemi më “vendi i shqipeve”, por “vendi i shkencëtarëve”! Ndërsa fqinjët tanë transplantojnë organe, ne transplantojmë lloj-lloj titujsh dhe gradash “shkencore”! Në këtë realitet, shtrohet pyetja: me gjithë këtë armatë shkencëtarësh, si ka mundësi që shëndetësia jonë të dergjet në këtë gjendje të mjeruar? Përse të gjithë ata që kanë mundësi (vizë dhe para), shkojnë të konsultohen dhe të trajtohen jashtë shtetit?
Përse bëjmë marrëveshje unilaterale për të trajtuar paciente në Maqedoni dhe jo anasjelltas? A mos vallë shumica e këtyre titujve dhe gradave shkencore janë si ata të Aqif Qifes, pa asnjë vlerë profesionale dhe që ditën e mbrojtjes futen në sirtarë, për të mos dalë më që andej, sepse nuk i duhen askujt. Një pjesë e dizertacioneve bëhen edhe nga e keqja, për të shtuar rrogën, ndërsa një pjesë, për të justifikuar vendin e punës. Pra, për të ruajtur vendin e punës, disa mjekë detyrohen të bëhen “shkencëtarë”. Është e dhimbshme, por e vërtetë që ne kemi “shkencëtare” me tituj dhe grada shkencore që nuk dinë asnjë gjuhë të huaj! Kjo e vë në pikëpyetje të madhe vërtetësinë shkencore dhe autorësinë e “punimeve” të tyre dhe i mbush spitalet, kryesisht ata të Tiranës, me pseudoshkencëtarë.
Këta pseudoshkencëtareë, ndodh që çalltisin dhe u japin “mësim” studentëve apo specializantëve, duke spostuar jashtë mësimdhënies njerëz vërtet të aftë. Ka ardhur koha ta shohim realitetin shqiptar në sy dhe të mos vazhdojmë të gënjejmë veten me të tilla gjëra. Kjo duhet korrigjuar urgjentisht, në mënyrë që mjekët të mos humbin kohë dhe energji duke sajuar tema disertacionesh pa asnjë vlerë dhe që nuk i hyjnë në punë njeriu, por këto energji t’i përdorin për kualifikimin e vërtetë dhe për të mësuar ndonjë gjuhë të huaj, në mënyrë që të jenë në gjendje të shfrytëzojnë literaturën bashkëkohore dhe të komunikojnë me kolegët perëndimorë, nga të cilët kemi shumë për të mësuar.
Le të marrim eksperiencën e vendeve me shëndetësi normale dhe të mos vazhdojmë të ecim në shtigje origjinale, që të gjithë e dimë se ku na kanë shpënë historikisht.
Në përfundim, të gjithë ata që mendojnë dhe dëshirojnë europianizimin e shëndetësisë shqiptare, duhet të impenjohen në këtë drejtim. Po nuk e bëmë ne, do të vijnë komshinjtë të plotësojnë edhe nevojat për shërbimin shëndetësor të qytetarëve tanë. Ndërkohë, shëndetësia publike shqiptare do të vazhdojë të zvarritet në morinë e titujve dhe gradave “shkencore”!