Kur nisi pika e kthesës në marrëdhënien mjek-pacient
Fakti është se në gjithë këto vite të demokracisë apo tranzicionit për në demokraci, mjekësia jonë ka bërë vetëm hapa prapa. Gjendja në spitalet tona është çdo ditë e më e keqe. Për të shpjeguar se pse sistemi ynë shëndetësor është në këtë gjendje të mjeruar, do të duhej të shkruanim shumë për historikun se si kanë rrjedhur ngjarjet. Duke mos dashur ta lodhim lexuesin me këto histori, po kalojmë drejtpërdrejt në momentin ku ndodhi kthesa e madhe në rrugën e këtij sistemi. Kjo pikë kthese ishte momenti kur, për arsye se shteti e kishte lënë plotësisht jashtë vëmendjeje sistemin shëndetësor, u krijua lidhja e drejtpërdrejtë mjek-pacient.
Pra, kur pacientët, duke e parë se shteti nuk u garantonte më të drejtat e tyre për shëndet, gjetën si zgjidhje t'ua kërkonin këtë shërbim drejtpërdrejt mjekëve në këmbim të pagesës dhe kur, mjekët nga ana tjetër, të nëpërkëmbur dhe të lënë pas dore nga shteti, pranuan të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje, duke pranuar të ofronin shërbimin e tyre kundrejt kësaj pagese. E thënë shkurt, sistemi shëndetësor filloi të shkatërrohej kur shteti hoqi dorë nga detyrimi i tij për të afruar shëndet dhe në mjekësi hyri leku.
Fillimisht kjo ishte një diçka që funksiononte. Njerëzit gjetën zgjidhje për hallin e tyre dhe harruan që kishte një shtet që duhet t'ua zgjidhte atë. Mjekët, gjithashtu, shpëtuan nga dilema, "Ta lemë këtë profesion, për të cilin kemi investuar kaq shumë, apo të vazhdojmë me këto rroga qesharake". Marrëveshja vazhdoi të funksiononte për shumë kohë, por çdo ditë që kalonte, mjekësia shtrembërohej më shumë. Nga njëra anë ishin pacientët që, me kalimin e kohës kërkonin një shërbim më të mirë (me të drejtë), veçanërisht pasi panë cili ishte niveli i mjekësisë në vendet e tjera. Të tjerë filluan të kishin pakënaqësi, sepse nuk kishin mundësi të përballonin këto pagesa. Disa të tjerë ishin të pakënaqur me nivelin e shërbimit apo për shkak të komplikacioneve apo ecurisë së keqe të të sëmurit. Pa i kushtuar rëndësi faktit nëse këto ishin për faj të mjekut (gjë që mund të ndodhë si me çdo qenie njerëzore) apo jo, ata gjithmonë përgjegjësinë e kërkonin tek ai, pasi mungonte hallka lidhëse, shteti. Kështu, çështjet përfundonin që zgjidheshin me vetëgjyqësi dhe në vetëgjyqësi, kuptohet, nuk ka as logjikë dhe as drejtësi.
Erdhi kjo ditë që kupa u mbush. Shërbimi shëndetësor kishte rënë aq poshtë, sa mjekët nuk kishin më mundësi të plotësonin nevojat e pacientëve, duke punuar si privatë në ambientet dhe me mjetet e shtetit. Pakënaqësia e njerëzve po rritej dhe po kështu shkalla e konfliktit mes palëve. Nga ana tjetër, shteti dhe shoqëria u zgjuan dhe vunë re se gjërat nuk funksionojnë ashtu siç duhet në shëndetësinë shqiptare.