Nevoja e disiplinës
SITUATA NË SHKOLLA
Pak metra nga zyra ime e punës, kam shkollën e qytetit. Pamja më e zakontë e ditës janë djemtë dhe vajzat e reja, që humbin orë pafund mësimi. Hyjnë në klub ose ulen në sheshin mes qytetit. Një pjesë tymosin cigare e pinë konjak.
Është kthyer në një mundim të madh për prindin shqiptar, për të kuptuar se ç’do të bëhet me fëmijët e tij, pas mbarimit të gjimnazit. Ngado gjen thuajse të njëjtën panoramë: rënie drastike të interesit për mësimdhënie dhe për mësimnxënie. Pikërisht kur fëmijëve u duhet angazhimi maksimal si një fazë shumë e rëndësishme e kalimit nga adoleshenca në moshën e impenjimeve.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për 800 apo 1 mijë të rinjtë e qytetit tim. Mjafton një “tur” vëzhgues nëpër disa qytete, për të parë kudo të njëjtën situatë. Kam rënë në pikë të mëngjesit në Lezhë, ndërsa jemi futur me një mik tek një kafe afër gjimnazit të atjeshëm. Ora fiks 08.30! Ç’të shohësh, asnjë tavolinë aty nuk është bosh. Ecim një klub më tej, sërish e njëjta panoramë, djem e vajza me duhan, kafe, e madje, disa, edhe me pije të shtrenjtë përpara. Dhe kështu me radhë në tërë klubet që gjenden përballë apo anës shkollës.
Puna na e do të shkojmë në Shkodër. Kësaj radhe i avitemi universitetit të atjeshëm. Është ora 11.00 fiks! Si rregull duhet të jetë orë mësimi, por gjithandej sheh studentë që dynden shkallëve, oborrit të shkollës, për në kafenetë e shumta aty pranë. Kur bëjnë mësim?!...
Ditën tjetër jam në Burrel. Sërish e njëjta pamje, duzina nxënësish në bar-kafe. Një a dy ditë më pas kam rastisur për punë në Tiranë. Në disa gjimnaze puna është disi më e mbledhur. Nëse para një viti, qindra nxënës, në çdo orë mësimi i shihje nëpër bare e bulevard, tani nuk shikon gjithkund të tillë (hyhet në ora 08.00 e dilet në ora 13.00 nga e njëjta portë) dhe gjithë punët e nxënësit kryheshin brenda mureve të shkollës!
Por, “optimizmi” se diçka ka ndryshuar në shkollat e Tiranës, humbet teksa shkon afër fakulteteve, publikë apo privatë. Lokalet e atyshme janë deng me studentë që pinë e hokatojnë zhurmshëm. Janë orë leksionesh, por…
Shkolla është në ditën më të keqe të saj, sepse nxënësit nuk janë brenda. Por jo vetëm nxënësit, në jo pak shkolla, ky lloj “zanati” vihet re dhe tek ata, mësimdhënësit, pasi ka humbur “a-ja” e shkollës, disiplina.
Ndaj është e nevojshme që ajo të rikthehet me hir a pahir. “Kemi nevojë të futen fëmijët në mësim, t’u shpëtojmë atyre të ardhmen”, është thirrja e brendshme e sotme e prindit shqiptar, që nuk duhet të humbasë në veshët shurdh të Ministrisë së Arsimit!