E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gënjeshtrave po u vjen fundi

Historianët serbë reagojnë ndaj librit ‘Kosova’ të Jusuf Buxhovit, duke e konsideruar si të pabazuar në fakte shkencore. Në anën tjetër, historiani Buxhovi thekson se gënjeshtrave të historianëve dhe akademikëve serbë po u vjen fundi.

Pak ditë pasi doli nga shtypi, libri ‘Kosova’ i Jusuf Buxhovit i tërboi historianët serbë. Ata menjëherë dolën me deklarata se libri nuk është i bazuar në fakte shkencore.

Sllavenko Terziq, këshilltar shkencor i Institutit të Historisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, ka thënë për mediat serbe se fjala është për “dhunim të paparë e të pashembullt ndaj fakteve historike dhe arsyes së shëndoshë”. Madje ai ka shtuar se ky libër i shërben idesë për Shqipërinë e madhe.

“Bëhet fjalë për një fantazi shumë të rrezikshme në shërbim të Shqipërisë së madhe etnike. Libri nuk meriton kurrfarë vëmendje shkencore, sepse fjala është për pamflet. Ai libër ashiqare duhet t’iu shërbejë politikanëve si pseudoargument për krijimin e ‘Shqipërisë natyrale’. Është krejtësisht e pakuptimtë teza për Kosovën si qendër shpirtërore, kulturore e shtetërore të Shqipërisë”, ka thënë historiani Terziq.

Këtyre reagimeve dhe akuzave u është përgjigjur historiani Jusuf Buxhovi, duke i cilësuar ato si reagime histerike për historinë që, sipas tij, është e kuptueshme kur kihet parasysh se ‘akademikët’ serbë për herë të parë po ndeshen me një vepër, e cila jo vetëm që ua kundërshton gënjeshtrat si dhe shpifjet mbi të cilat është ngritur politika hegjemoniste serbe nga Kriza Lindore e tutje, që për qëllim kishte shfarosjen e qenies shpirtërore dhe etnike të shqiptarëve, por njëherësh nxjerr në pah një të vërtetë shkencore, e cila është ndryshe nga ajo e fabrikuar prej Beogradit, e cila nuk mund të kontestohet me fakte, pos me anën e diskualifikimeve dhe gjuhës së ashpër politike, nga e cila, si po shihet, ‘akademikët’ serbë nuk janë në gjendje të heqin dorë.

Buxhovi thotë se nuk ka pritur ndonjë reagim ndryshe, megjithëse nuk ia ka marrë mendja se ‘akademikët’ serbë do të përdorin arsenalin propagandues politik ndaj një çështjeje shkencore në një mënyrë tepër të ultë.

“Kjo mbase është edhe e kuptueshme, sepse ata nuk janë mësuar me dy gjera: që ndonjë historian shqiptar të dalë me qëndrime të tilla ‘radikale’ dhe të papranueshme, ku kontestohet shteti mesjetar serb dhe ku kontestohet se Kosova është ‘gjoja’ qendër shpirtërore mesjetare. Po ashtu, serbët nuk kanë mundur të marrin me mend se do të bëhet një kapërcim nga teza ilire (edhe ashtu e kontestuar prej tyre), te ajo pellazge, me çka jo vetëm që bie poshtë teza për grekët si bartës të helenizmit (tezë kjo politike nga shekulli XIX, që ishte konstrukt për formimin e shtetit grek në dëm të shqiptarëve), por me anën e saj dardano-iliro-shqiptarët shfaqen si faktor të antikitetit nga pikëpamja politike, shoqërore dhe shpirtërore, mbi të cilën ndërtohet qytetërimi perëndimor dhe civilizimi botëror”, theksoi Buxhovi.

Ai u shpreh se teza pellazge dhe kapërcimi dardano-iliro-shqiptar jo vetëm nuk mund të anashkalohet, por ajo është kthyer në referencë të shumë shkencëtarëve botërore, ndër të cilët gjendet edhe një serb (Millan Budimir), i cili pellazgët si stërgjyshër të shqiptarëve, i quan ‘klasikë të indoevropianizmit’ dhe ‘djep i antikitetit’, ndërsa dardanët - themelues të Trojës, të cilët nga ai, por jo vetëm prej tij, shihen si themelues edhe të Romës.

Buxhovi shtoi se sot ekzistojnë mbi njëqind e sa vepra meritore shkencore, që pellazgët i shohin themel të qytetërimit antik, ndërsa grekët kolonë, që pushtuan Pellazgjinë dhe prej tyre morën gjithë qytetërimin, me të cilin ata pastaj u krenuan.

Ai tha se këto reagime të historianëve serbë pasqyrojnë brengosjen e thellë rreth asaj se po i vie fundi gënjeshtrës serbe, me të cilën është ushqyer politika e tyre hegjemoniste me pasoja tragjike jo vetëm për shqiptarët por edhe për të tjerët, politikë kjo që solli edhe te ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë.

“Shfaqja e shtetit të Kosovës si një zhdëmtim i vonuar historik ndaj çështjes shqiptare, njëherësh ka alarmuar serbët se me të merr fund njëherë e mirë edhe miti serb për Kosovën, që mund të ketë pasoja për vetë Serbinë nga shkaku se hap proceset e shthurjes së brendshme (nga fakti se nuk ka etni homogjene).

Meqë me planin e Ahtisarit Beogradi ia ka arritur t'ia imponojë politikës së papërgjegjshme të Kosovës ‘ruajtjen e trashëgimisë ortodokse serbe’, ku e kanë rrënjën edhe enklavat serbe që mund të kthehen në oaza destabilizuese eksterritoriale, nxjerrja në pah e të vërtetës për mosekzistimin e shtetit mesjetar serb si dhe për mosekzistimin e kishës ortodokse serbe në Kosovë, jo vetëm që rrezikojnë këto konstrukte të paqëndrueshme për stabilitetin e Kosovës, por njëherësh vetëdijëson opinionin shoqëror dhe intelektual të Kosovës që asaj t'i kthehen vlerat e veta kulturore, shpirtërore dhe historike, e cila lidhet me mesjetën dhe shkon deri te antikiteti”, tha Buxhovi.

Sipas tij, akademikët dhe historianët serbë nuk mund të pajtohen assesi që Kosova të shihet si epiqendër e historisë së natyrshme shqiptare nga antikiteti e tutje, siç ka qenë në të vërtetë, e aq më pak që ajo të shihet e lidhur me dardanët dhe Trojën. Për serbët, u shpreh Buxhovi, një fokusim i tillë i Kosovës do të thotë disfatë e dyfishtë: në planin politik dhe në atë shpirtëror.

Ai tha se argumentet tani janë në anën e shqiptarëve dhe se ato tashmë kanë filluar të vetëdijesojnë edhe politikën e Kosovës, që të mos bëjë lëshime strategjike, siç ishte plani i Ahtisarit.

“Serbët përpiqen që t'i ndryshojnë tezat, pra që politikën ta thirrin në ndihmë kundër të vërtetës shkencore, pra që të mbrohet gënjeshtra e tyre shekullore”, tha Buxhovi, duke shtuar se kësaj tashmë po i vjen fundi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›