E Diel, 1 Nëntor 2026

Gënjeu në gjykatë, prokurori kërkon arrestimin e ish-shikasit

29/07/2009  Gjykata nuk pranoi kërkesën. Nuk është kompetencë e saj

Akuza pretendon se Shpend Dibra ka dhënë dëshmi të rreme

TIRANË – Thirret nga akuza për të dëshmuar në lidhje me ngjarjet e vitit 1995, kur u zhduk Remzi Hoxha dhe u shoqëruan disa shtetas të tjerë, por mohon gjithçka. Shpend Dibra ka qenë punonjës në SHIK në kohën kur janë kryer shoqërimet e disa shtetasve dhe më pas janë dërguar në Vain të Lezhës. Dje dëshmitari Shpend Dibra pavarësisht pozicionit që ka pasur si punonjës i shërbimit informativ, ka mohuar të ketë pasur dijeni për shoqërimin e Ziso Kristopullit nga Ksamili në drejtim të Vaint në Lezhë. “Unë mbaj mend që kam qenë në Ksamil për një drekë së bashku me shefin tim Avni Koldashin, por nuk më kujtohet të kem kryer veprime të tjera. Nuk mbaj mend të kem shoqëruar ndonjë person me emrin Ziso Kristopulli. Unë kam kryer detyrën time në SHIK në bazë të një rregulloreje dhe nuk më kujtohet asgjë tjetër”. Kaq ka mjaftuar që prokurori Xhevat Hana të irritohet dhe menjëherë të kërkoi arrestimin e dëshmitarit. “Zotërinj gjyqtar, dëshmitari është duke gënjyer. Ai nuk po thotë të vërtetën mbi ngjarjen. Para jush gënjen kur thotë se nuk ka shoqëruar Ziso Kristopullin nga Ksamili për në Vain të Lezhës. Për këtë arsye unë kërkoi arrestimin e tij në sallën e gjyqit”. Kjo ishte kërkesa e prokurorit Xhevat Hana. Ndërkohë reagimi i gjykatës ishte i kundërt. Trupi gjykues i kujtoi prokurorit se nuk ishte kompetencë e gjykatës të bënte arrestimin e dëshmitarit. Më tej prokurori këmbënguli duke kërkuar kohë. “Pikërisht për këtë qëllim unë ju kërkoi vetëm 5 minuta kohë (ndërprerje seance) sa të bëjë formalitetet e të urdhëroi policinë të shoqëroi dëshmitarin, i cili po gënjen e nuk po thotë të vërtetën”, ishte këmbëngulja e prokurorit. Por gjithsesi asgjë nuk ndodhi më pas. Gjykata urdhëroi largimin e dëshmitarit nga salla. Sipas akuzës, dëshmitari Shpend Dibra ka dijeni të plotë për shoqërimin e Ziso Kristopullit. Ai ka qenë së bashku me të pandehurin tjetër Avni Koldashin në makinë dhe së bashku kanë udhëtuar nga Saranda për në Lezhë. Dëshmitari është shprehur gjatë gjithë kohës se nuk i kujtoheshin të ketë bërë veprime të tilla.

Të pandehurit e dosjes

Katër ish-shikasit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, akuzohen për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës 14 vjet më parë në Tiranë. Gjithashtu, mbi supet e tyre rëndon akuza e “rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Një ngjarje, e cila edhe pse pas kaq vitesh, nuk ka hedhur dritë mbi të vërtetën. Askush nuk e di se ku ndodhet trupi i Remzi Hoxhës, për të cilin janë dhënë detaje se është torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës dhe prej andej nuk dihet ku ka përfunduar. Të pandehurit janë duke u gjykuar në gjendje të lirë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›