E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtonte mjetin pa patentë, vdes 16-vjeçari

29/07/2009  Ka shkuar në tetë numri i të vdekurve në 48 orët e fundit në Durrës pas aksidentit të ndodhur dje paradite në afërsi të Shijakut. Tre të rinj të moshës 16-vjeçare kanë pësuar aksident të rëndë, pasi mjeti me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga duke u përplasur fillimisht me një pemë dhe më pas në kanalin anësor të rrugës. Pasojat kanë qenë tragjike pasi njëri nga të rinjtë ka gjetur vdekjen e menjëhershme, kurse dy të tjerët janë përcjellë për në spital ku vijojnë të jenë në gjendje kritike. Ngjarja ka ndodhur rreth 1 km larg nga “Katër Rrugët” e Shijakut në segmentin rrugor Shijak-Durrës. Në mjetin me targa të huaja AV 023 EX që drejtohej nga 16-vjeçari Aleks Sulejmani ishin edhe dy shokë të tij, Bruna Serjani dhe Fitim Bore të tre të lindur dhe banues në Shijak. Sulejmani drejtonte mjetin pa dëshmi aftësie dhe sipas pohimeve policore adoleshentët kishin dalë në rrugë për të bërë xhiro. Policia ka thënë se automjeti ishte me shpejtësi shumë të madhe dhe adoleshenti ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga. Pasojat kanë qenë tragjike për 16-vjeçarin Bruno Serjani, shoku i drejtuesit të mjetit pasi ai ka vdekur në vend, kurse Sulejmani dhe Bara janë dërguar në spital me urgjencë. Autovetura është dëmtuar rëndë në pjesën e parme dhe në anë të pasagjerit, pasi pas daljes nga rruga është përplasur me një pemë në anë të saj. Viktima ka qenë në sediljen e parë dhe ai ka vdekur në çastet e para të përplasjes së autoveturës me pemën. Për shkak të shpejtësisë autovetura ka dalë rreth 10 m nga rruga dhe është ndalur në themelet e një ndërtese ende të papërfunduar. Aksidenti i ndodhur dje pranë Filantos në “Katër Rrugët” e Shijakut ka sfiduar policinë e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›