Prokurori- Gjykatë, akuza për mungesë transparence

Kreu i Akuzës së Apelit, Shkëlqim Hajdari, tha se moszbardhja e vendimeve ka cënuar akuzën duke mos i krijuar asaj mundësi rekursi
TIRANË- Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari, gjatë analizës vjetore të punës së institucionit të tij, iu adresoi "akuza" të rënda përfaqësuesve të Gjykatës së Apelit, për mungesë transparence, vonesa në zbardhjen e vendimeve dhe mungesë të organizimit e funksionimit të punës.
Prokurori Hajdari, deklaroi se Gjykata e Apelit ka pranuar vetëm 34 ankimime nga 290 të dorëzuara pranë saj. "Konstatoj se me gjithë këtë lloj përkujdesje ligjore dhe transparence në punën tonë, numri i apeleve është shumë i vogël"- theksoi kryeprokurori.
Ai shtoi se vendimeve të Gjykatës së Apelit, nëse nuk u bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë janë të formës së prerë dhe individi i akuzuar apo edhe vetë organi i prokurorisë nuk ka mundësi ta çojë çështjen në Gjykatën Supreme.
"Dihet që vendimet e Apelit, janë të formës së prerë, pra nuk riparohen dot më pasi rekursi në Gjykatën e Lartë bëhet vetëm për shkelje të rënda të ligjit procedural dhe material",- vazhdoi kreu i Prokurorisë së Apelit, duke iu referuar edhe statistikave të vitit 2009.
Një fakt i tillë është denoncuar jo rrallë herë në media për mungesën e transparencës nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për zhvillimin e gjyqeve me dyer të mbyllura apo edhe për vonesë të zbardhjes së vendimeve.
Këto vonesa, janë bërë disa herë edhe shkak që Ministria e Drejtësisë apo përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të drejtojnë "akuza" ndaj këtyre gjyqtarëve duke kërkuar prej tyre një punë me efikase si në zbardhjen e vendimeve ashtu edhe në transparencën çështjeve.
Hajdari renditi një sërë shkeljesh ligjore sipas tij, të konstatuara nga mos zbardhja e vendimeve të formës së prerë, duke sjellë vonesa në ankimin e vendimeve prej tyre.
"Nga 290 çështje të themelit të apeluara pranë Gjykatës së Apelit, ky institucion ka pranuar vetëm 34 prej tyre, duke treguar kështu një mungesë efikasiteti në gjykim.
Por edhe kur pranohet kërkesa e palëve për përsëritje të shqyrtimit gjyqësor, konstatohet se edhe për këto raste apelimet janë shumë të pakta"-deklaroi kreu i akuzës në Apel, Shkëlqim Hajdari.
Gjithashtu shumë të pandehur të dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas të liruar nga Gjykata e Apelit kanë fituar lirinë për shkak të pamundësisë së rekursit pranë Gjykatës së Lartë për shkak të mos zbardhjes së vendimit.
Gjatë vitit të kaluar janë hetuar 1202 çështje me 1410 persona të arrestuar. Në lidhje me masat e sigurimit, bëhet me dije se ato kanë qenë 417. Statistikat flasin se veprat me përhapje të gjerë mbeten ato kundër "pronës"; "prodhim dhe mbajtje e shitje të lëndës narkotike"; "falsifikimet" dhe "vjedhjet".
Prokuroria e Apelit thotë se gjatë vitit të kaluar kishte një rritje të çështjeve në fushën e "shpërdorimit të detyrës" dhe "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike", pasi shumë persona u hetuan në "arrest me burg" dhe u dënuan nga Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa Gjykata e Apelit u ndryshoi masat e sigurimit dhe dënimit.
Kryetari i Gjykatës së Apelit
Nuk janë të vërteta pretendimet e Hajdarit
TIRANË- "Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit nuk tregon realitetin. Ai personalisht që prej dy viteve që drejton atë institucion nuk ka ardhur ndonjëherë në një proces gjyqësor për të përfaqësuar akuzën.
Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk ka ardhur në asnjë rast pranë Gjykatës së Apelit për të rakorduar apo sugjeruar mënyrën e punës në bashkëpunim. Prokuroria ashtu si i pandehuri dhe mbrojtësi i tij janë palë në një proces gjyqësor dhe nuk ka të drejtë ligjore e juridike të kritikojë punën e Gjykatës së Apelit.
Ai mashtron kur thotë që vendimet nuk zbardhen në kohë, pasi asnjëherë nuk kam marrë ndonjë ankesë nga vetë ai apo prokurorët që punojnë pranë institucionit tonë për mungesë të zbardhjes së këtyre vendimeve. Kështu që ai nuk ka ardhur ndonjëherë të përfaqësojë akuzën dhe nuk ka si t'i dijë këto fakte.
Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit, nuk ka të drejtë as morale dhe as juridike të kritikojë mënyrën e organizimit të punës pranë Gjykatës së Apelit, pasi ai vetë personalisht nuk është paraqitur ndonjëherë pranë sallës së gjyqeve përveç kafeve pranë institucionit të Gjykatës së Apelit"-tha kryetari i Gjykatës së Apelit Metush Saraçi, duke hedhur poshtë pretendimet e prokurorit Shkëlqim Hajdari.
Kapet me automatik në makinë, arrestohet
TIRANË- Një person u arrestua në flagrancë dhe një tjetër do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Servet Shkalla, 44 vjeç, banues në Sauk të Tiranës u arrestua dje në orët e para të mëngjesit nga efektivat e Komisariatit nr.
1, pasi në makinën tip "Mitsubish", me targa L 474 DNX, drejtuar nga Klodjan Hasa, 25 vjeç, nga Mulleti, iu gjet dhe bllokua në cilësinë e provës materiale një automatik mod. 56 dhe një krëhër me 3 fishekë. Policia kontrolloi dhe banesën e 44- vjeçarit ku u gjet një krëhër me 30 fishekë.
Edhe në banesën e 25- vjeçarit Hasa, policia gjeti dhe sekuestroi 230 fishekë model 56. Shkalla ka qenë person i proceduar më parë po për akuzën e armëmbajtjes pa leje . I arrestuari do të hetohet për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve, ndërsa Klodjan Hasa, do të hetohet në gjendje të lirë, po për këtë vepër penale.
Motori aksidenton dy të moshuarit
TIRANË- Aksidenton me motor çiftin e të moshuarve, arrestohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Aksidenti me dy të plagosur ndodhi rreth orës 21 e 45 minuta, në Sauk, ku të moshuarit Hazis Selimja, 76 vjeç dhe bashkëshortja e tij Bakushe Selimja, 70 vjeç, banues në Farkë të Tiranës u përplasën nga një motor tip "CPI' drejtuar nga Argjend Lika, 26 vjeç, nga Elbasani. Të moshuarit kanë qenë duke ecur në rrugën kryesore Tiranë- Elbasan në momentet kur janë përplasur nga motori.
Dy të plagosurit u dërguan në Spitalin Ushtarak për ndihmë mjekësore dhe sipas burimeve të policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pas njoftimit për aksidentin në vendngjarje mbërritën specialistët e hetimit të aksidenteve të cilët arrestuan në flagrancë drejtuesin e motorit, 26- vjeçarin Argjend Lika për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.