Ibrahim Muçaj, dashuria lindi në kabinën e projeksionit
I ati, Xhemali, ishte njeriu që kishte botën në dorë. Ishte burri që i bënte të gjithë të ëndërronin e bashkë me të tjerët edhe djalin e tij, Ibrahimin. Babai ishte projektuesi i filmave në kinemanë e Vlorës. I biri e ndiqte nga pas thuajse çdo natë. Asnjë film nuk i shpëtonte kureshtjes së tij. Përtej dritares së kabinës së projeksionit, ai ndihej fëmija i privilegjuar, të cilit nuk i nevojiteshin të holla për të ndjekur një film, e madje nuk ishte i kufizuar edhe në ditët kur dëshironte të ulej në njërën prej karrigeve para ekranit të madh. Kështu u rrit Ibrahim Muçaj, buzë bregdetit të Vlorës dhe ekranit të madh, me dëshirën që një ditë me siguri do të bëhej aktor. Që fëmijë angazhohej përherë në veprimtaritë kulturore të organizuara prej shkollës, ishte pjesë e grupeve të Shtëpisë së Pionierit... Ai recitonte gjithmonë, ndërsa kishte edhe një ëndërr: të studionte në Liceun Artistik në degën e Aktrimit. Fati nuk ishte në anën e tij. Atë vit ajo u mbyll dhe Ibrahimi duhej të niste patjetër një shkollë të mesme. Kjo sigurisht që ishte e pashmangshme. I ati, që gjithnjë ia pat respektuar dëshirat, kishte vetëm një kërkesë, të arsimohej, pavarësisht profilit që i biri do të ndiqte. Ndaj Ibrahimi u regjistrua për të vazhduar Politeknikumin "17 Nëntori" në Tiranë në vitin 1958, në degën Mekanike. Pas kësaj, ashtu si edhe për shumë të tjerë, për të shkolla e lartë ishte e diktuar prej strukturave të shtetit. Ibrahimi duhej të niste studimet e larta për Inxhinieri Mekanike. Refuzon. Ëndrra për t‘u bërë aktor ishte ende e fortë. Mekanika nuk bënte për të. "Më ishte mbushur mendja se unë do të isha një aktor i mirë, ndoshta edhe për faktin se gjatë dy viteve që nuk ndoqa shkollën dhe u ktheva në Vlorë ku punova si mekanik, angazhohesha atje në veprimtaritë artistike, edhe në aktivitetet e Estradës së Vlorës. Publiku më duartrokiste dhe kur dilja në skenë kisha vënë re se kisha sukses. Kjo më dha një lloj përvoje, më mësoi disi komunikimin me spektatorin e sigurisht më dha besim në vetvete", tregon regjisori Ibrahim Muçaj. Megjithatë, vendosmëria e tij për të vazhduar një shkollë arti të ngjan pak me ironitë e fatit. Pas konkursit mëson se dega e Aktrimit atë vit nuk do të hapej. Për të provuar veten, ai merr guximin dhe niset për të studiuar inxhinieri mekanike. "Si sot më kujtohet ora e parë në atë auditor. Leksioni i parë fliste për mosbarazimin. Nisa të shkruaja, por nuk mundesha. Asnjë orë të plotë leksioni nuk munda të ndiqja. U largova për në Vlorë, i vendosur për t‘u bërë aktor. Pas pak kohësh vjen një telegram ku shkruhej: ‘Shkolla e aktorëve u hap. Nisu për Tiranë‘". Emocionet mund të imagjinohen. Ai po rendte drejt ëndrrës. Që do të bëhej aktor një ditë, për këtë ishte përgatitur shpirtërisht qysh fëmijë. Por që pas studimeve do të bëhej regjisor? Këtë jo, nuk e kishte menduar. "Madje kur në vitin 1969 më caktuan në Kinostudio si asistent/regjisor, nuk e kisha menduar asnjëherë se do të merresha me filma. Gjithnjë isha i idesë të largohesha nga Kinostudio, sepse nuk më pëlqente. Mendoja se teatri të jep më shumë emocion se sa kinemaja. Më dukej sikur kamera e ndante aktorin nga spektatori, ndërsa në teatër për mua ishte krejt ndryshe. Në atë kohë mendoja se kinematografia nuk të falte të njëjtin emocion. M‘u deshën disa vite që të kuptoja se çfarë ishte në të vërtetë kinemaja, çfarë është figura dhe ç‘do të thotë të mund të flasësh nëpërmjet saj. Fillova ta kuptoj pak nga pak e sot e them me plot gojën: Lum ai që di të flasë me figurën", vijon më tej. Aktrimin, e më pas edhe kalimin në regjisurë, ai e shikon si plotësuese të njëra-tjetrës. Të dyja së bashku ato japin një rezultat final, një film të mirë. "Fakti që kam përfunduar studimet për aktrim më ka ndihmuar shumë në lidhje me marrëdhëniet e mia me aktorët. Bashkëpunimi me aktorët në fillimet e punës sonë ishte mjeti kryesor për punën e një regjisori, ashtu si edhe me të gjithë grupin e punës". Pas katër viteve si asistent regjisor, vite kur punoi për katër filma të ndryshëm, Ibrahim Muçaj nisi një kurs pasuniversitar mbi regjinë. Diplomën e mbrojti në vitin 1976 me filmin "Dimri i fundit". Pas tij, krijimtaria e regjisorit Ibrahim Muçaj u pasurua me shumë të tjerë. "Tokë e përgjakur", "Nusja dhe shtetrrethimi", "Liri a vdekje", "Në prag të lirisë", "Njeriu i mirë", "Apasionata", "Duaje emrin tënd", "Telefoni i një mëngjesi", "Një djalë dhe një vajzë" etj. Krijimtaria e tij është e pasur. "Unë nuk mund t‘i ndaj dot filmat e mi... nuk mundem. Dua të devijoj prej përgjigjes klishe të tipit "fëmijët duhen të gjithë njësoj", por nuk mundem t‘i ndaj. Megjithatë, kur më ndodh të shikoj ndonjë prej tyre tani, ka filma për të cilët detyrohem ta ul kokën, sepse them që mund të ishin bërë më mirë dhe ka filma me të cilët krenohem", shpjegon regjisori Muçaj. Pas 40 vitesh në këtë profesion, ndien se ka bërë zgjedhjen e duhur; ai thotë se ishte një vendim i mirë që iu kushtua regjisë. "Ne ishim një brez që u diplomuam në aktrim, por që në fund iu kushtuam regjisurës. Ndaj nëse më pyet nëse kam bërë mirë që u mora me këtë gjini, them se po, sepse tani unë nuk e di nëse do të isha bërë edhe një aktor i mirë", shton duke qeshur. Gati gjysmë shekulli në këtë profesion, ndien se ka bërë diçka. E ka shkruar edhe ai një copëz të historisë së kinematografisë shqiptare. "Tani filmat e mi, nuk më përkasin më mua. Ata janë të publikut". Por e ka një ngërç. Krijimtarisë së tij i mungon qershia mbi tortë, një film i fundit, mund i një pune katërvjeçare. Një film i cili është ngacmuar prej një kompozitori të madh shqiptar, Kujtim Laros. E ndoshta jo rastësisht në qendër të filmit, personazhi kryesor është një kompozitor. Ai rreket të gjejë zgjidhjen mes "të kesh apo të jesh", të përcjellë babanë, kompozitorin që jeton me motivin "të jesh", dhe të birin që jeton me motivin "të kesh". Ndoshta do t‘ia dalë mbanë ta realizojë, edhe pse nuk e fsheh pesimizmin. "Filmi, për fatin e tij të keq, kushton shumë", thotë ai, por kaq nuk mjafton për ta zhgënjyer, sepse ai është regjisor dhe të jesh regjisor sipas Ibrahim Muçajt, do të thotë të jesh qytetar, do të thotë të dish të qeshësh e të qash, të jesh pjesë e së përditshmes, të lexosh vazhdimisht dhe emocionet e përjetuara, ngacmimet e mbledhura t‘ia përcjellësh publikut. "Nëse e arrin këtë, atëherë je regjisor".