E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Titos nxit rusët të pushtojnë Jugosllavinë

“The New York Times” zbardh situatën pas ndarjes nga jeta të mareshalit. Tensionohet situata në republikat sllave dhe gjithë rajonin e Ballkanit

John Darnton*

“Pas Titos do të jetë Tito”, - njoftoi së fundi një zyrtar jugosllav. Shënimi i tij shkaktoi një surprizë jo të vogël. Për më tepër se tri dekada jugosllavët kanë qenë nën drejtimin e presidentit Josif Broz Tito, “i vetmi jugosllav i vërtetë”, që me forcën e duhur solli më pas bashkimin e vendit të tij dhe pavarësinë. Është thënë se vetëm Tito mund të drejtojë grupet etnike vëllavrasëse të Jugosllavisë, duke tejkaluar në mënyrë domethënëse nacionalitetet. Vetëm Tito, diktatori dorëhekurt që doli si babai-autokrat, mund t’i rrinte mbi kokë një ekonomie socialiste të decentralizuar dhe një strukture të decentralizuar të Partisë Komuniste, duke qenë aktor i aspiratave rajonale për autonomi dhe në mënyrë të hekurt të arrijë ta mbajë situatën nën kontroll, atëherë kur kërcënohej nga trazira.
Kërcënimi që vjen nga Rusia
Tito kishte ecur mbi telin e tendosur të Luftës së Ftohtë në vitin 1948 dhe kundërshtoi hapur Stalinin, duke qenë udhëheqësi i vetëm që mbajti pishtarin e shkatërruesit të mitit të komunizmit monolit. Që atëherë vetëm prania dhe prestigji i tij, që i bëri me një qëllim, kishin parandaluar një pushtim të planifikuar për t’u udhëhequr nga sovjetikët, për të marrë portet e Adriatikut dhe për t’i dhënë fund herezisë ideologjike jugosllave të infektuar. Por, pjesa më e madhe e jugosllavëve tani shprehen se për një kohë jo të gjatë vdekja e Titos do të çojë në një kolaps të brendshëm gjithëpërfshirës apo në një përplasje ndërkombëtare. Serbët dhe kroatët, të cilët e besojnë një gjë të tillë, nuk do të nxisin përçarjet në secilën prej vendeve. Ata vlerësojnë se pas vdekjes së Titos aparatet vendimmarrëse të decentralizmit ekonomik, të quajtur “vetadministrimi i punëtorëve” do të vazhdojnë të funksionojë. Ata thonë se trupat sovjetike nuk do të vijnë shpejt drejt Beogradit, sepse ata po bëjnë thuajse çdo verë stërvitjet e tyre të zakonshme afër, në Hungari.
Sigurisht, askush nuk mund të thotë në mënyrë të bindur se Jugosllavia do të mbrojë neutralitetin e saj lehtësisht të cenueshëm; vetëm një i porsaardhur në Ballkan mund të thashethemojë rajonin me një profeci stabiliteti. Në Jugosllavi, çështjet e pranisë kombëtare varen nga vendimet dhe spiralet e ngjarjeve gjetkë, - aktualisht sot, varen kryesisht në Moskë. Dhe nuk ka garanci se rusët, të cilët për veten e tyre janë në një fazë transitore, me një udhëheqje të vjetër dhe të sëmurë, - nuk mund të shkojnë drejt një aventure ushtarake në Ballkan.
Ndonëse një pushtim rus duket i mundshëm në këtë moment, ideja sigurisht duhet të jetë duke e joshur ndonjërin prej strategëve rusë. Në qoftë se Bashkimi Sovjetik mund ta fusë në dorë Jugosllavinë, ajo përfundimisht do të shtrijë kontrollin e saj në të gjithë Mesdheun, duke marrë nën kontroll portet strategjike dhe anën jugore të kontrolluar nga NATO-ja. Një akt i tillë do të nxisë në mënyrë të pamatur mbisundimin e Moskës rreth satelitëve të tij europiano-lindorë dhe do të largojë Rumaninë rebele nga Pakti i Varshavës, duke e izoluar totalisht. Jugosllavia, me një shtyp relativisht të lirë, që përballet me represionin e saj politik dhe tregun e saj komunist, do të paraqesë për një kohë jo shumë të largët një rrugë alternative joshëse për shtete të tilla si Hungaria, Polonia, Çekosllovakia, Gjermania Lindore dhe vendet e tjera eurokomuniste.
Përgatiten skenarët e fshehtë
Ajo që fshihet nga tërheqja e Titos prej Stalinit në vitin 1948, ishte vlerësimi realist për superioritetin ushtarak të Perëndimit krahasuar me Moskën. Sot, ekzistenca e superioritetit ushtarak konvencional dhe së fundi barazia në armatimet nukleare, bën që Bashkimi Sovjetik të ketë më pak arsye të frikësohet nga Shtetet e Bashkuara. Madje, edhe pse Moska, në mënyrë të ngjashme po vepron matur për momentin, Jugosllavia në periudhën post-Tito, që është gjithnjë e më e brishtë, mund të provojë sovjetët që të ndërmarrin një veprim shpejt e shpejt përpara se të shfaqet një udhëheqje e fortë jugosllave. Për më tepër, Moska mund të bëjë përpjekje me presione drejt Beogradit, - përveç atyre ushtarake, që ta rikthejë në kampin sovjetik.
Me Titon e ikur statura e lartë e Jugosllavisë mund të bjerë sepse ajo ra brenda një pozicioni neutraliteti dhe sepse ai e ndihmoi vendin e tij për të gjetur dhe për të ndërtuar një platformë botërore. Moska mund të aplikojë presione ekonomike që ta detyrojë Jugosllavinë për t’u futur në Comecon, organizata socialiste kundërshtare e Tregut të Përbashkët. Ajo mund të përpiqet që të bëjë presione politike rreth federalizmit të brishtë të vendit. Edhe Bullgaria, nga ana e saj, mund të shkaktojë trazira në Maqedoni, një rajon i Jugosllavisë që Beogradi beson se Bullgaria dëshiron ta bëjë pjesë të saj. Edhe emigrantët nacionalistë kroatë, të cilët tani po ndërmarrin aktivitete terroriste dhe raportohet se janë në kontakt me KGB-në, mund të shkaktojnë konflikte midis kroatëve dhe serbëve. Ndërhyrja ushtarake mund të vijë më vonë, në formën e “asistencës vëllazërore”, që të ulen “çrregullimet sociale”.

*Autori i shkrimit ka qenë shef i zyrës së “The New York Times” në Varshavë
Shkrimi është publikuar më 13 prill 1980
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Eastern Europe after Tito, - Europa Lindore pas Titos”
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Politika e Beogradit përballet me kaosin, trashëgimia e Titos ishte e dobët

Gjendja e Lidhjes Komuniste Jugosllave dhe rrënimi gradual i situatës pas sëmundjes që kaloi presidenti jugosllav

Situata ushtarake në të gjitha republikat jugosllave dhe përçarjet nacionaliste. Loja me futjet e rrymave pro-sovjetike

Përplasjet e Jugosllavisë me vendet e tjera komuniste lindore si Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania në fillimin e viteve ‘80

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

“The New York Times” rrëfen profilin e mareshalit të 6 Republikave

Duke filluar që nga sot, gazeta “Albania” sjell për lexuesit e saj në disa numra një speciale që gazeta prestigjioze amerikane i kushtoi presidentit të Jugosllavisë, Josif Broz Tito. Kjo speciale është përgatitur menjëherë pas vdekjes së tij në fillimin e vitit 1980. Në raportimin special të përgatitur nga shefi i zyrës së “The New York Times” në Varshavë, John Darnton, sillen detaje interesante të jetës së mareshalit, i cili pas Luftës së Dytë Botërore ndërtoi shtetin komunist më liberal në Europën Lindore. Në të rrëfehet jeta e Titos që në kohën e luftës, fatet e Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe raportet e presidentit më jetëgjatë të Jugosllavisë me liderë të tjerë të vendeve të botës. Vdekja e Titos vuri në pikëpyetje të ardhmen e Republikës Federative të Jugosllavisë, ashtu siç realisht ndodhi. Në këtë shkrim shtrohen këto çështje, të cilat priteshin të përcaktonin të ardhmen jo vetëm të Jugosllavisë, por të të gjitha vendeve të tjera komuniste të Europës Lindore.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›