E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërcaliu nënshkruan me Lks Lodz

Aventura e Ronald Gercaliut te klubi nga Bundesliga 2, FC Ingolstadt ka mbaruar pa lënë asnjë gjurmë. 25-vjeçari tani karrierën do ta vazhdojë në Poloni ku ka nënshkruar kontratë me klubin Lks Lodz.

Ish reprezentuesi i Austrisë për disa ditë me radhë është testuar te ky klub ku ka lënë përshtypje të mira. Pas kësaj ekipi Lks Lodz në ueb faqen zyrtare ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë me mbrojtësin shqiptar por pa treguar detaje tjera rreth saj.

Gercaliu në verën e vitit 2010 nga ekipi austriak Wiener Neustadt, ishte transferuar te klubi gjerman FC Ingolstadt, me të cilin nuk ka arritur ta zhvillojë asnjë ndeshje në Bundesliga 2 për shkak të një lëndimi të rëndë që kishte pësuar në një takim miqësor.

Ish-mbrojtësi i Partizanit të Tiranës dhe ekipeve austriake Sturm Graz, Red Bull Salzburg e Austria Wiens, pas sanimit të lëndimit dhe gjetjes së klubit të ri do të mundohet ta ngjallte karrierën.

Aktualisht në elitën e futbollit polak luan edhe një futbollist shqiptar. Ai është sulmuesi tiranas Edgar Çani, i cili mbron ngjyrat e skuadrës së Polonia Warszawës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›