E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mund të shënonim shtatë kundër Arsenalit

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç ka ngacmuar Arsenalin duke theksuar se skuadra e tij ka mundur të shënojë edhe më tepër gola kundër londinezëve.

Gjiganti italian triumfoi 4-0 në San Siro të mërkurën mbrëma në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. Mirëpo, dominimi i Milanit ishte i tillë që nënkryetari Adriano Galliani kishte insistuar se rezultati në fund të takimit mund të ishte “pesë ose shtatë me zero”.

Dhe, Ibrahimoviç, i cili realizoi një dhe përgatiti dy gola të tjerë ka theksuar se mendon njësoj si Galliani.

“Pas golit për 4-0 kam shpërthyet nga gëzimi. Nuk ndodh çdo ditë të fitoni me një rezultat të tillë. Luajtëm shumë mirë taktikisht dhe me mençuri. Rezultati është i rëndësishëm dhe Galliani kishte të drejtë kur tha se mund të shënonim pesë ose shtatë. Por, është ndeshja e kthimit dhe kemi epërsi të madhe”, tha Ibrahimoviç për The Sun.

Reprezentuesi suedez beson se përkrahja për bashkëlojtarët është po aq e rëndësishme sa shënimi i golave.

“Më pëlqen të shërbej gola aq sa edhe t’i realizoj ata. Kushdo që e do futbollin mendon kështu dhe egoizmi nuk ekziston. Nëse Robinho, Cassano ose Pato shënojnë, është njësoj sepse gjeja kryesore është fitorja”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›