Stoja: Luftëtari sduhet të nënvlerësojë asnjë ekip
Organizatori i gjirokastritëve, Nertil Stoja, thekson se në çdo ndeshje duhet bërë detyra, pavarësisht se kush është kundërshtari
Luftëtari vazhdon përgatitjet për ndeshjet në vijim, edhe pse dje paradite në Gjirokastër kanë rifilluar reshjet e dëborës. Ndërkaq, 4-5 futbollistë të tij janë drejt riaftësimit nga plagët e marra në beteja ose manovra për to. Sipas drejtorit sportiv të këtij ekipi, Besim Brahimit, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se kur do të luhet ndeshja e prapambetur me Kukësin, edhe pse qarkullojnë zërat për datën 22 shkurt.
Sukseset e deritanishme, veçanërisht nisja e fazës së dytë me fitore, i kanë bërë më optimistë drejtuesit e tij dhe gjithë lojtarët se objektivi për ngjitjen në superligë është vetëm çështje kohe.Duke mos ditur se kur do të luhet ndeshja e prapambetur me Kukësin, ekipi gjirokastrit është përqendruar te ndeshja me Himarën e vetëtimave, që do luhet të shtunën e javës që vjen dhe kështjella vendëse nuk do tia dijë prej tyre. Deri tani, duke përjashtuar dëmtimet, ku në ndeshjen e fundit u dëmtua sulmuesi Nora, gjërat e tjera kanë shkuar si në vaj për ekipin në fjalë.
Stoja Një nga futbollistët gjirokastritë, që i ka qëndruar besnik Luftëtarit, edhe pse mund të inkuadrohej në ndonjë ekip superlige, është Nertil Stoja, i cili për më shumë se 6 sezone luan me fanellën e tij si mesfushor organizator, madje ka qenë edhe kapiten i tij për shumë kohë. Në fazën e parë të këtij kampionati, pas ndeshjes me Vlorën, u ndëshkua shumë, dhe përfundimisht u pezullua për 6 ndeshje.
Në ndeshjen e fundit në Vlorë ndikoi në fitoren dhe jo vetëm ai, por asnjëri nuk pa karton as të verdhë dhe as të kuq. Stoja thekson mes të tjerash se Luftëtari do të bëjë gabime, nëse do të nënvlerësojë ndonjë nga kundërshtarët e ndeshjeve të mbetura.
Besoj se tani, ata që ndjekin kategorinë e parë janë të mendimit se Luftëtari është pretendenti kryesor për të kaluar në superligë. Kryesimi është rezultat i lojës dhe i rezultateve që kemi arritur jo vetëm në Gjirokastër, ku kemi vetëm fitore, por edhe jashtë saj. Jemi ekipi me forcën më të madhe goditëse, por edhe me një nga mbrojtjet më hermetike.
Treguesit janë ndër më të mirët, por në të ardhmen do të rriten më shumë, sepse mendësia e fituesit në ekipin tonë tani është ulur këmbëkryq. Ndeshja me Vlorën, ku u ndodhëm në disavantazh, e tregoi më së miri këtë, pasi, për herë të parë në këtë kampionat, arritëm ta përmbysim rezultatin. Ka rëndësi që ne të qëndrojmë me këmbë në tokë.
Presim Himarën dhe e dimë që jemi më të fortë, por, për të fituar duhet djersitur, edhe pse moti është i ftohtë. Pra, dua të them se nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë ekip, duke filluar që nga Kukësi, që vjen pas nesh, e deri te Himara, që mbyll renditjen. Janë dy ekipet që mund ti presim në Gjirokastër njëri pas tjetrit dhe, pavarësisht se cili do të jetë i pari, ne duhet të bëjmë detyrën, të fitojmë, ka përfunduar Stoja.
