E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, PD mbron Mediun dhe fajëson Shtabin

 

Anëtarët e mazhorancës s’pranojnë kërkesën e organit të akuzës sa i përket prokurorisë. Fajësohet Shtabi i Përgjithshëm

TIRANË- Nuk ka sjellë asnjë surprizë raporti përfundimtar i Këshillit parlamentar për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për procedim penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ashtu siç edhe pritej, mazhoranca dhe opozita, pavarësisht se janë shprehur në një mendje sa i përket vendimit përfundimtar, pra dhënies së autorizimit prokurorisë, kanë paraqitur në raport dy qëndrime të ndryshme sa i përket konstatimeve në lidhje me akuzat e bëra nga prokuroria.

Opozita

Deputeti Besnik Dervishi si relator i caktuar për opozitën evidenton faktin se Këshilli i Imuniteteve nuk është një organ i specializuar për vlerësimin e akuzave të prokurorisë në lidhje me rastin konkret. Për këtë arsye, ai i është shmangur dhënies së përgjegjësive për atë që ndodhi në Gërdec gati 3 muaj më parë, ku humbën jetën 26 njerëz dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Në pjesën e vet të relacionit Dervishi nuk bënë gjë tjetër veçse evidenton akuzat e organit të akuzës, duke theksuar se "ekzistojnë të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm që deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin, ka inicuar hartimin dhe miratimin e disa akteve nënligjore, ka nxjerrë disa urdhranë kundërshtim me aktet nënligjore për të realizuar përfitime të padrejta për subjektet që kryenin demontimin e municioneve luftarake, si dhe në të gjithë këtë proces ai ka vepruar duke shmangur plotësisht Shtabin e Përgjithshëm”. Pa u rrekur që të japë një vlerësim për këto akuza dhe për të shmangur vonesat e panevojshme që do të pengonin kryerjen e veprimeve hetimore të organit të prokurorisë, Dervishi në emër të opozitës ka theksuar në raport se ngjarja e ndodhur në Gërdec, konsiderohet mjaft e rënde për shkak edhe të përfshirjes dhe autorizimit të strukturave të shtetit.

Mazhoranca

Ndryshe nga opozita, mazhoranca hynë në një analizë të thellë të akuzave të prokurorisë, duke vënë në dukje faktet që sipas saj vërtetojnë se ish-ministri i Mbrojtjes ka vetëm përgjegjësi politike, duke ngarkuar njëkohësisht strukturat e larta ushtarake dhe në veçanti Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë me përgjegjësi të plota ligjore për këtë ngjarje të rëndë. Deputeti republikan Arian Madhi në rolin e relatorit të mazhorancës thekson në raport se në tërësi në kërkesën e saj prokuroria nuk i është referuar në asnjë rast atyre akteve të cilat përcaktojnë detyrime për ministrin në përgjithësi dhe për atë të mbrojtjes në veçanti. Kështu në lidhje me vlerësimin e Prokurorisë sipas së cilës në këtë proces demontimi ish-Ministri Mediu është nisur nga interesa jo të ligjshme dhe për qëllim përfitimi ndaj të tretëve, Madhi relaton se sipas fakteve të paraqitura një akuzë e tillë nuk vërtetohet dhe se demontimi është bërë për të vetmin fakt se janë mbi 100 mijë ton municione të panevojshëm që duhen shkatërruar. Gjithashtu mazhoranca në Këshill çmon se nuk ka asnjë provë që të shërbejë si fillim për të dyshuar më pas se ish-Ministri Mediu, në procesin e demontimit në Gërdec, të ketë shmangur Forcat e Armatosura. Në lidhje me këtë moment të kërkesës këshilli vlerëson se strukturat ushtarake kanë qenë të përfshira tërësisht në vlerësimin, përpunimin dhe hartimin e VKM nr. 138, dt. 14.03.2007, si dhe të urdhrave të Ministrit. Mazhoranca në pjesën e saj të raportit nuk nguron të pohojë se për procesin e demontimit në Gërdec ka pasur dijeni dhe Presidenti i Republikës. “Vetëm në muajin Shkurt 2008 janë transportuar për në Gërdec 4880 tonë municion predhash, duke krijuar kështu një depo gjigante municionesh pak metra larg shtëpive të banimit. Për këtë kanë pasur dijeni dhe informacion të përditshëm nga raportet ditore të Qendrës Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm Drejtori i SHIU, Zëvendës- ministrat e Mbrojtjes, Ministri i Mbrojtjes, Zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, dhe Presidenti i Republikës”, thuhet në raportin e përgatitur nga mazhoranca. Duke renditur nëntë konkluzione që në tërësinë e tyre ngarkojnë strukturat ushtarake me përgjegjësinë kryesore për ngjarjen e gërdecit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i rekomandoi Kuvendit të Shqipërisë të votojë pro dhënies së autorizimit për ndjekje penale ndaj deputetit Fatmir Mediu.

Fejzi Braushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›