Fier, 8 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni
Fier- Gjykata e Fierit ka dënuar me 8 vjet burg një shtetase, akuzuar për shfrytëzimin prostitucioni në rrethana rënduese. Sipas gjykatës, Liljana. Dh, kishte shfrytëzuar një vajzë me inicialet I.G për disa kohë.
Pas shqyrtimit rezultoi se e pandehura ka qenë me banim të përkohshëm së bashku me vajzat e saj në një banesë njëkatëshe në lagjen “Liri Gero” të qytetit të Fierit. Duke shfrytëzuar njohjen e të dëmtuarës me vajzat e saj, e pandehura ka përfituar prej saj. Këtë e ka pohuar edhe vetë vajza, duke pranuar miqësinë me vajzat e gruas që e shfrytëzoi.
Ngjarja merr fill në vitin 2006, kohë kur gruaja, duke përfituar nga bashkëpunimi me vajzat e saj ka pritur në banesë ‘viktimën’ dhe në kohën që e ka qerasur i ka hedhur ilaç gjumi në pije. Pas kësaj, e ka mbajtur të mbyllur me çelës dhe e ka shfrytëzuar, duke i sjellë klientë përnatë. Madje sipas dëshmive të bëra, mbi vajzën është ushtruar edhe dhunë fizike, në mënyrë që të pranonte shfrytëzimin. Ka qenë një moment pakujdesia i njërit prej klinetëve dhe vajza ka mundur të shpëtojë dhe të largohet. Më pas ka bërë edhe denoncimin në polici.
Babai i vajzës ka kërkuar që çështja të zbardhet, pasi sot e kësaj dite vajza vuan pasojat e shfrytëzimit që i është bërë. Prokurori Hysen Ajasllari ka kërkuar dënimin me 8 vjet burg. Pasi ka dëgjuar palët gjyqtari ka vendosur t’i qëndrojë kërkesës së prokurorisë.