Reagojne kandidatet per Gjykaten e larte, te refuzuar nga Kuvendi
Kandidatet per Gjykaten e Larte kane bere nje deklarate kur shprehin indinjaten per paragjykimet qe kane pasur deputetet ne votimin e tyre diten e djeshme ne kuvend. Ata jane shprehur se mosvotimi i tyre ka qene i pabaze dhe kjo gje ul dinjitetin e tyre.Reagon TopiPresidenti i republikës Bamir Topi ka reaguar sot lidhur me mosvotimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së lartë mbrëmë në sallën e Parlamentit. “Padyshim është një ekzekutim politik i kandidaturave pasi këto kandidatura janë zgjedhur me shumë kujdes. Janë zgjedhur me konsultimin e CV por duke marrë për bazë dhe raportet e institucioneve që mund të japin të dhëna për karrierën dhe ecurinë profesionale të tyre" - tha Topi.“Të rrëzosh sot në Shqipëri një gjyqtar që ka punuar 9 vjet në gjykatën e Strasburgut është një luftë shumë e madhe. Të rrëzosh një kandidaturë që vjen nga të përndjekurit politikë dhe ti japësh vetëm 40 vota në parlament besoj se nuk ka koment” – tha ai.
Mazhoranca rrëzoi dje dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë
TIRANË- Pas një viti në krye të shtetit, Bamir Topi provoi natën e mbrëmshme “rrëzimin” e parë me votë në sallën e Parlamentit, nga e njëjta maxhorancë që e zgjodhi atë në këtë detyrë. 5 dekretet e tij për anëtarët e Gjykatës së Lartë të futur rrufeshëm në seancë plenare, u hodhën poshtë me votën e deputetëve demokratë, republikanë, tek-tuk të ndonjë aleati tjetër qoftë të djathtë, po aq edhe të majtë, në varësi të emrave të propozuar nga Topi. Emrat e dekretuar nga Kreu i Shtetit morën vetëm votat në bllok të Partisë Socialiste, pasi nga votimi i djeshëm u tregua qartë se mund të ketë pasur vota kundër dekreteve edhe nga LSI apo PAD, duke qenë se grupi parlamentar i PS-së unanimisht e kishte deklaruar publikisht votën pro dekreteve. Ndërkohë që me votimin e mbrëmshëm, maxhoranca thelloi hendekun me presidentin Topi, me të cilin kryeministri Berishakishte nisur një përplasje, e cila në fakt e paralajmëronte një fund të tillë.Por jo vetëm kaq. Nëse situata në Gjykatën e Lartë quhej problematike në javët e bllokimit të dekreteve të Topit, tashmë mund të thuhet se është në një kaos të vërtetë. Në një muaj të mbetur deri në 15 Korrik, kur edhe mbyllet ky sesion parlamentar, e vështirë që të vendoset komunikimi mes kreut të shtetit dhe kryeministrit Berisha. Edhe nëse kjo ndodh, është e vështirë që në 4 javët e mbetura, të kemi votim të dytë për 5 emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Gjasat duken se kjo çështje do të rihapet për në vjeshtë dhe Gjykata e Lartë do të vijojë të funksionojë me 10 anëtarë, një kuorum i pamjaftueshëm ky për të marrë vendime të rëndësishme, duke pasur parasysh se për funksionimin normal të kësaj gjykate, duhen minimalisht 13 anëtarë të Gjykatës së Lartë, nga 17 që ka gjithsej. Kjo gjykatë, tashmë, është edhe pa kryetar, pas mbarimit të mandatit të Thimio Kondit.
Votimi me kuti
Kryeministri Sali Berisha nuk e ka preferuar shpesh votimin me kuti të fshehtë gjatë këtyre 3 viteve që ndodhet në qeverisje, qoftë edhe për shkak fenomenit të rrjedhjes së votave. Edhe dje, ekzistonte një frikë e tillë, ndaj mblodhi grupin parlamentar një orë para fillimit të seancës, ku u mor vendimi politik për të rrëzuar të 5 dekretet. Megjithatë votimi i djeshëm tregoi se përpos garancisë që mund të japin deputetë të veçantë të mazhorancës, (për të votuar pro dekreteve) gjatë votimit të fshehtë, numrat ndryshojnë jo pak. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për opozitën. Duke përjashtuar deputetët e grupit parlamentar të PS-së, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe janë shprehur pa hezitim pro dekreteve të Topit, gjërat mund të thuhet se shihen krejt ndryshe nga partitë e vogla të majta. Votimi për dekretet, tregoi se mund të ketë pasur rrjedhje pikërisht nga këta të fundit, gjë që mund të justifikohet fare mirë edhe me qëndrimet herë pro e herë kundër që kanë mbajtur ndaj kësaj çështjeje. Kandidatura e Altina Xhoxhajt, që u votua edhe e para, mori 73 vota kundër dhe 56 pro. Po 56 votat pro të opozitës ishin edhe për Artan Zenelin, ndërsa maxhoranca e kundërshtoi me 71 kartona. Dekreti i tretë, me emrin e Kristaq Trajës, u hodh poshtë me76 vota, ndërsa u mbështet me vetëm 52. Por dekreti i katërt, me emrin e Medi Bicit, solli edhe rrjedhjen qartazi të votave nga ana e opozitës. Të majtët e mbështetën Bicin me 40 vota, ndërsa ata që e kundërshtuan ishin 86.
Rezultati i votimit të dekretit për:
Anëtaren e Gjykatës së Lartë Altina Xhoxhaj
Pro Kundër Abstenim Të pavlefshme
56 73 1
Anëtarin e Gjykatës së Lartë Artan Zeneli
Pro Kundër Abstenim Të pavlefshme
56 71 2 1
Anëtarin e Gjykatës së Lartë Kristaq Traja
Pro Kundër Abstenim Të pavlefshme
52 76 1 1
Anëtarin e Gjykatës së Lartë Medi Bici
Pro Kundër Abstenim Të pavlefshme
40 86 4
Anëtarin e Gjykatës së Lartë Zamir Poda
Pro Kundër Abstenim Të pavlefshme
65 62 1 2
Mendimi i PD e PR (shumica prej 9 anëtarësh)
Presidenti i Republikës nuk respektoi precedentin e krijuar sa i përket procedurave të konsultimit paraprak, procedura të cilat janë ndjekur më parë dhe kanë krijuar një praktike të mirë kushtetuese.
Nuk është mbajtur parasysh edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ti dhënë mundësi Kuvendit që të ushtrojë kompetencën e tij bashkëpunuese dhe kooperuese me Presidentin e Republikës.
Transparenca e procedurave të inicimit të kandidaturave nuk është kryer dhe se grupet politike të përfaqësuara në komision deklaruan se nuk kanë zhvilluar proçes konsultimi paraprak me Presidentin, preçedent qe ka ekzistuar më parë.
Një prej anëtarëve (Zamir Poda) ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë, ç’ka sipas shumicës në komisionështë në kundërshtim me nenin 136/2 të Kushtetutës, që nuk pranon riemërimin.
Në rregulloren e Kuvendit duhen përcaktuar procedurat e nevojshme për zbatimin e Kushtetutës, ligjit organik dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Mendimi i pakicës (përfshi edhe PDK e PBDNJ)
Dekretet janë në përputhje me Kushtetutën
Për herë të parë vijnë kandidatura nga gjyqësori
Plotësohen kriteret që kërkon Kushtetuta dhe ligji organik për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbën pengesë për të shqyrtuar meritën e kandidatëve të dekretuar me votim në seance plenare.
Transparenca e inicimit të propozimit dhe të miratimit ose të pëlqimit, duhet të rishikohet. Kjo është një çështje që ka vend për legjislatorin shqiptar për ta parë seriozisht.