E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, lidhja e Mediut me Delijorgjin

 

TIRANË- Tragjedia e Gërdecit e ka vënë ish-ministrin e Mbrojtjes në pozicionin e një njeriu në rrezik mbytjeje, që tërheq pas vetes “bashkëfajtorët” e së njëjtës histori. Fatmir Mediu iu kundërpërgjigj dje akuzave të kryeprokurores Ina Rama me disa dokumente që implikojnë po aq sa atë vetë, edhe disa ushtarakë të lartë, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Kërkesa e kompanisë amerikane “Sothern Ammunition”, e cila mund të konsiderohet si zanafilla e katastrofës së rëndë, memo-ja mbi kërkesën e SAC si dhe relacioni i projekt-vendimit që do të kalonte më pas në qeveri, të vëna në dispozicion nga ish-ministri Mediu nxijnë nga firmat dhe shënimet e tij, por edhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Sekretarit të Përgjithshëm e ushtarakëve të tjerë. Këto dokumente dëshmojnë përfshirjen e një numri të madh zyrtarësh në procedurat e çmontimit të municioneve, sikurse nxjerrin zbuluar distancimin e të gjithëve nga Mihal Delijorgji, pa të cilin duket se nuk do të kishim as projekt-vendim e as katastrofë në Gërdec.

Kërkesa e SAC

Më 27 dhjetor të vitit 2006, Patrick Henry III i bën me dije nëpërmjet një letre Fatmir Mediut interesin e tij për të çmontuar mbi 140 milionë fishekë me përbërje tunxhi, municion që ushtria shqiptare e dispononte. Që në këtë datë, përfaqësuesi i SAC e vë në dijeni ish-ministrin Mediu se ka krijuar në Shqipëri kompaninë “Albademil”, me anën e së cilës do të hyjë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes.Henry shkruan se është i gatshëm të vërë në dispozicion 7 deri në 19 makineri për çmontimin industrial si dhe 3 deri në 5 teknikë amerikanë për këtë projekt. Për aq sa u takon autoriteteve shqiptare, prej këtij momenti SAC pushon së ekzistuari. Kompania “Albademil”, asokohe e ndarë në 33 % për Patrick Henry dhe 67 % për Mihal Delijorgjin merr përsipër të paguajë Ministrinë e Mbrojtjes për fishekët, të ngrejë fabrikën e demontimit dhe të shkarkojë municionin. Ministrisë së Mbrojtjes i lë “për detyrë” të përballojë transportin e fishekëve, furnizimin me 24 orë energji në ditë, në pikun e krizës energjitike në vend si dhe sigurimin e lejeve për demontim e eksport materialesh ushtarake. Në të njëjtën letër, përfaqësuesi i SAC i rekomandon ministrit Mediu që baza e Bërzhitës do të ishte vendi i duhur për këtë proces, por historia dihet tashmë. “Albademil” pranoi Gërdecin në këmbim të Bërzhitës, Gërdecin e 26 të vdekurve, 300 të plagosurve dhe mijëra shtëpive të rrënuara.

Kontratat

Për të mbyllur “pazarin”, nevojitej vetëm caktimi i çmimeve. Krahasimi i kontratës së firmosur 6 muaj më vonë me kërkesën e mësipërme të Patrick Henry III nuk ka pikë ndryshimi. Negociimi i palëve nuk i solli ndonjë dobi Ministrisë së Mbrojtjes, e cila duket se ka pranuar kushtet e vendosura që më parë. I vetmi merak i firmëtarëve ka qenë shmangia e “Albademil”-it të Mihal Delijorgjit nga letrat zyrtare dhe pakti duket se është arritur me lehtësi. Patrick Henry ka pranuar të përdorë kompaninë e tij amerikane në këmbim të 33% të aksioneve për të vënë në jetë projektin e Gërdecit, që më 15 mars të këtij viti hodhi në erë gjithë vendin.

Sothern Ammunition Company

27 Dhjetor 2007

Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë

I dashur zotëri! Kompania jonë, SAC ndodhet e regjistruar në Loris, South Carolina dhe e licensuar si më poshtë nga BAFT, U.S, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes. Southern Ammunition Co, Inc është themeluar në 1975 dhe ka filluar të demontojë municion në vitin 1994, me një kontratë fillestare prej 2 mijë tonësh me Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit. Ne kemi pasur vazhdimisht rinovime të kontratave për të çmontuar municione në Izrael, deri në datën e mësipërme. Gjatë 12 viteve të fundit ne kemi zhvilluar teknologjinë për ndarjen mekanike të municioneve për riciklim nga komponentët e vet, duke shmangur procesin kimik që sjell ndotje toksike. Ne kemi themeluar paraprakisht një kompani shqiptare, të emëruar “Albademil” sh.p.k Tirana, për të hyrë në marrëveshje me Ministrin shqiptar të Mbrojtjes, për të demilitarizuar disa prej municioneve qëajo posedon. Ne jemi të interesuar për çmontimin e kalibrave të mëposhtëm:

Rreth 100 milionë copë fishekë të kalibrit 7.62 mm prej tunxhi

Rreth 20 milionëcopë fishekë të kalibrit 12.7 mm prej tunxhi

Rreth 20 milionë copë fishekë të kalibrit 14.5 mm prej tunxhi

Rreth 500 mijë fishekë të kalibrit 37mm prej tunxhi

Projekti ynë është i bazuar në kërkesat e mëposhtme: Kompania jonë do të transferojë përkohësisht nga 7 deri në 9 makineri në Shqipëri. Ne do të sigurojmë gjithashtu 3-5 teknikë amerikanë për të vënë në punë pajisjet dhe do të punësojmë nga 30-85 punëtorë shqiptarë për të realizuar këtë projekt.

A-Ministria e Mbrojtjes do të paguhet nga “Albademil” sh.p.k për të gjitha sasitë, me çmimet që do të bien dakord dy palët.

B-Makineritë për demolimin industrial do të ndërtohen nga “Albademil”, me shpenzimet e saj në një zonë ushtarake pranë Tiranës ( për shembull baza e Bërzhitës)

C-Transporti i municioneve drejt pajisjeve të Albademil do të mbulohet nga Ushtria Shqiptare.

D- Shkarkimi i kamionëve do të mbulohet nga Albademil

E- Mbrojtja e pajisjeve do të mbulohet nga Ushtria Shqiptare ( gjatë proceseve specifike dhe të rrezikshme të materialeve)

F- Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë energji për 24 orë

G-Autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes duhet të sigurojnë një poligon, për të shkatërruar kapsollat apo ndezësit ( nëse është e mundur demilitarizimi i tyre në proces industrial)

Të gatshëm për të realizuar këtë projekt në një kohë të shkurtër dhe me sukses, ne këmbëngulim që qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes të garantojnë kompaninë tonë për lejet e mëposhtme:

Leje për grumbullim municioni

Leje për demontim municioni

Leje për eksportin e produkteve, pas demontimit ( barut, TNT, tunxh, çelik dhe plumb)

Ne jemi gati të biem dakord për një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, në kohën më të shkurtër të mundshme dhe të fillojmë projektin brenda janarit 2007

Patrick C.Henry III

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›