E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat e rrugëve, zhduken 150 mijë dollarët e rryshfetit

 

TIRANË- Zhduken 150 mijë dollarët amerikanë që ish-zyrtarët e Rrugëve i kishin marrë rryshfet për tenderin e rrugës Has- Qafë Prush. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmuan se edhe pse dosja ndodhet në fund të procesit gjyqësor, grupi hetimor nuk ka mundur të zbulojë vendndodhjen e parave që biznesmenët kanë dhënë për tenderin. “Është faktuar dhe provuar se ish-drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Ilirjan Berzani, gjatë bisedave paraprake dhe takimeve të shpeshta të tij me fituesit e katër tenderëve të rrugës ka përvetësuar rreth 150 mijë dollarë amerikanë, por ato para janë zhdukur”-bëjnë me dije burimet e mësipërme. Sipas tyre, kjo shumë është përfituar nga Berzani si 10 % e vlerës së punës për çdo tender.

“Nga hetimet dhe verifikimet e kryera gjatë fazës hetimore, prokuroria nuk ka mundur të gjejë se ku kanë përfunduar këto para. Në verifikimet e kryera në filialet bankare që ndodhen në Shqipëri dhe zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është evidentuar se nën emrin e ish-drejtorit Ilirjan Berzani nuk ka asnjë pasuri tjetër përveç shtëpisë së banimit, e cila është blerë vite më parë”-thuhet nga prokuroria. Dyshimet e prokurorisë për fshehjen e kësaj shume kanë rënë mbi familjarët apo të afërmit e tij, pasi edhe pse dosja është dërguar në gjykatë, kjo shumë nuk është zbuluar ende. Sipas prokurorisë, nga kjo shumë ka kërkuar të përfitojë edhe ish-zvministri i Transporteve, Nikolin Jaka, por për shkak të arrestimit të tij ai nuk ka arritur të marrë asgjë. “ Kjo shumë është tërhequr në takime të veçanta dhe të ndryshme nga njëra-tjetra nga një “shok” i të pandehurit Ilirjan Berzani, i cili me porosi të këtij të fundit ka kryer takimet dhe ka tërhequr 10 % të vlerës së çdo tenderi të paracaktuar për firmat fituese”,-sqarojnë më tej zyrtarët e prokurorisë.

Ndërkohë, dosja ndaj pesë ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve dhe dy biznesmenëve vendas ndodhet në fazën përfundimtare, para togave të zeza të kryesuara nga gjyqtari Martin Deda. Vetëm pak ditë më parë, prokurori i çështjes, Ardian Braho, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga togat e zeza që të shtatë të pandehurit të dënohen në total me 18 vjet e 9 muaj burg si dhe 9 milionë e 600 mijë lekë gjobë. Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në forma të ndryshme kanë kryer veprat penale të “të ndikimit të paligjshëm tek personat që kanë funksione drejtuese”; “shpërdorim detyre në bashkëpunim”; “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”; “shkelje të barazisë në tender” në bashkëpunim dhe akuzën e “korrupsionin aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas akuzës, drejtuesit e Ministrisë së Transporteve që tashmë ndodhen në qeli,në fund të muajt korrik 2007 kanë përcaktuar gjatë një takimi fituesit e 4 tenderave.

Kërkesa e prokurorisë

Nikolin Jaka, 3 vjetburg dhe 2 milionë gjobë;

Ilir Berzani, 6 vjet burg dhe 4 milionë gjobë;

Arjan Sheti, 2 vjet burg dhe 600 mijë gjobë;

Xhevahir Muçogllava, 2 vjet burg;

Bashkim Kamberi, 21 muaj burg;

Skënder Bokçiu, 2 vjet burg dhe 1 milion gjobë,

Isuf Ukperaj, 2 vjet dhe 2 milionë gjobë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›