E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhërohet polici të qëndrojë larg gruas, e keqtrajtonte

Një punonjës policie është urdhëruar nga kolegët e tij që mos t‘i afrohet bashkëshortes, se në të kundërt do të dërgohet për ndjekje penale. Ky urdhër është lëshuar nga Seksioni Kundër Dhunës në Familje, pasi dyshohet se punonjësi i policisë keqtrajtonte psikologjikisht bashkëshorten e tij. Por, veç këtij rasti, policia ka dërguar për ndjekje penale edhe një tjetër person, i cili kishte rrahur në mënyrë sistematike gruan e tij. Rastet janë shënuar në Tiranë dhe në Peshkopi. Burimet policore bënë të ditur se gjatë ditëve të fundit është regjistruar një rast, ku një punonjës policie keqtrajtonte bashkëshorten e tij. E dhunuara është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore dhe ka treguar se ajo nuk kishte rënë pre e dhunës fizike, por bashkëshorti i saj kishte përdorur dhunë psikologjike. Në këto kushte, grupi i punës ka plotësuar urdhrin e mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen Gëzime C., 29 vjeçe, banuese në Peshkopi. Sipas të dhënave zyrtare nga policia, mësohet se ajo dhunohej në mënyrë psikologjike sistematikisht nga bashkëshorti i saj Bilal C., 38 vjeç. Gjatë verifikimeve të policisë ka rezultuar se ky i fundit është punonjës policie në Peshkopi. Ndërkohë, në lidhje me këtë rast, policia shpjegoi se uniforma blu është urdhëruar që të qëndrojë larg gruas së tij, duke u bazuar në ligjin për dhunën në familje. Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm që është shënuar nga policia për dhunën në familje. Një tjetër rast është shënuar në Tiranë, ku policia ka dërguar për ndjekje penale 31-vjeçarin Urim M. Sipas policisë, ky i fundit akuzohet se në mënyrë sistematike ka kanosur dhe goditur bashkëshorten e tij, Resmije M., 33 vjeçe. E keqtrajtuara nuk ka dashur të denoncojë bashkëshortin e saj, megjithatë policia ka vepruar në bazë të provave të mbledhura për këtë rast. Nga ana tjetër, prokuroria ka vendosur për autorin, i cili e keqtrajtonte bashkëshorten në ambientet e shtëpisë, që të arrestohet. Por, ky veprim nuk është realizuar ende, kështu që policia ka nisur punën për gjetjen dhe kapjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›