GërdecBURGU në tentativë
Duke qenë se nuk kam mundur të shpreh publikisht hidhërimin tim të thellë, së pari dua t'iu shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta të gjithë atyre që humbën të dashurit e tyre në tragjedinë ende të përmasueme të Gërdecit, si dhe solidaritetin tim me ato qindra e mijëra njerëz që shteti i tyre ua ç'bëri brenda disa sekondash jetën që kishin ndërtuar, duke i nxjerrë çipllak në shi dhe, së dyti, t'u kërkoj ndjesë që mbi fatkeqësinë e tyre me emrin Gërdec, po pranëvendos ngjarjen e këtyre ditëve, tentativën e arratisjes nga burgu i (pa)sigurisë së lartë të Burrelit.
Menjëherë, kur dora-dorës po zbulohej ajo ç'ka kishte ndodhur në Gërdec, një tmerr i madh zuri mbarë popullin për "Gërdecët" e tjerë që mund të shpërthenin afër vatrave të tyre. Dhe, çfarë u tha e u pa nëpër mediat elektronike, ishte dhe është vërtet për të vënë duart në kokë. Mijëra e mijëra tonelata municione, që veç kurrfarë sigurie nuk mund të jepnin. Ndërkohë që, si zakonisht, njerëzit i drejtoheshin Zotit (jo të shtëpisë, d.m.th Kryeministrit të papërgjegjshëm, që lëshon deklarata aq qesim sa të duket se edhe një jabanxhi i gjendur tranzit do të kishte informacion më të saktë) për t'i shpëtuar nga ndonjë mënxyrë e tillë, një GërdecBURG po përgatitej.
Ata, elementët kriminalë me rrezikshmëri ekstreme shoqërore, e kishin parë se si e sa poshtë kishte rënë shteti i tyre (disa syresh ishin protagonistë të 1997-ës), njëherë që i ndodhi ajo tragjedi Së dyti, panë donkishotizmin etatist për ta fshehur të vërtetën, për ta minimizuar atë, për të nxjerrë në pah më shumë përpjekjet për eliminimin e pasojave, sesa përgjegjësitë. Së treti, panë nivelin e lartë dhe përfshirjen kapilare në korrupsion të "yjeve" dhe "yllëzave" të Qeverisë së Shërbimit dhe Shërbesës me shumë "yje". Dhe, qenë treguar "të paduruar", s'kishin pritur sa Berisha, i cili po e mban si burrë premtimin e dhënë këtu e 11 vjet më parë që "do t'ua ngrij buzëqeshjen në buzë" (d.m.th popullit të vet) të ndërmerrte ato, reformat e thella për sigurinë, po ia banë shshshshsh me sharrë dhe, për pak e çanë ferrën jo veç një Fran e një Preng, po plot 75 të tillë.
Ajo që ka pikuar nga informacioni i deritanishëm për hetimin e këtij GërdecBURGU në tentativë, është plotësisht e mjaftueshme, për t'u rënë fort kambanave të alarmit, për të marrë e shtrënguar fort frenat e shtetit e për të lënë mënjanë lodrat zhurmuese të marrjes së ftesës për NATO. Papërgjegjshmëria e QShSh-së tashmë është e njohur, po kjo nuk mund t'ia lehtësojë kurrsesi misionin e opozitës, e cila t'i bëjë edhe rrugëtimet eksploruese allagandiste nëpër atdhe, po të ngulet mirë për të bërë luftën politike në institucione, para së gjithash për të parandaluar tragjedi të tjera, mbase akoma më të mëdha. Përfytyrojeni të nderuar lexues, se çfarë mund të kishte ndodhur në këtë vend (tashmë në paradhomën e NATO-s) të rraskapitur, sikur pas mbarimit të punës "me sharrë e metal" mbi hekurat e mitit të sigurisë së lartë të Burrelit, nën hundët e policisë e të një drejtori të burgut (sipas shtypit, jashtë profilit e me probleme serioze me drejtësinë?!) të kishin "fituar lirinë" 75 të dënuar të përjetshëm apo me mbi 20 vjet burg, ku jashtë telave rrethuese i prisnin "një park" me makina të porositura me celularë e nën "shurdhërinë" e gardianëve për t'i dërguar në destinacionet e tyre vështirë të kthyeshme më.
Mos vallë Berisha me të tijtë paskëtaj, kur t'i niste me urgjencë "heronjtë", kur të vinte në rrezik jetën e tyre e të mijëra e mijëra qytetarëve për t'i rifutur brenda hekurave të dënuarit me burgim të përjetshëm, do t'i rishfaqej shansi që të mbinte sërish nëpër ekranet e televizioneve, në konferenca të shtypit, para dhe pas buke, për të na dëshmuar "forcën" e shtetit e, pse jo, ta kthente këtë edhe në një fitore të Qeverisë Demokratike?!
Nga moria e fakteve e të dhënave të deritashme për GërdecBURGUN në tentativë nuk mund të lë pa nënvizuar se krerët e burgut kishin zbuluar tentativën, por nuk kishin njoftuar askënd për ngjarjen e ndodhur, as prokurorinë, as eprorët në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Askënd?! Ah, po kanë salduar hekurat. Për besë, u duhet ditur "për nder" Fran Marashit e Preng Lleshit (të burgosur, se në liri mund të ketë me dhjetëra që mbajnë këto emra e mbiemra) që u treguan këmbënguljes dhe nxorën jashtë telave këtë qamet, që desh zezoi sërish jetën shqiptare (kur kemi hyrë në paradhomën e NATO-s dhe gjëmon e gjëmon e do të gjëmojë ende lodra e Berishës).
Teksa shkruaj këtë më bie ndërmend këtë çast një episod i një shokut tim polic (besoj se do ta kenë kthyer në "gjeometër" të Lezhës, si autorin e këtyre radhëve në kryeqytet). 14 ditë qëndroi në një zonë rreth 3-4 km larg qytetit të Lezhës në krye të detyrës, për të kapur një keqbërës dhe s'erdhi asnjë sekondë në shtëpi, kur lëngonte e ëma.
Në mbyllje të këtij shënimi, do të drejtoja një thirrje si qytetar, të përshtatur nga manifesti i famshëm komunist: amatorë në punë të shtetit, lini mejhanet rreth dikastereve (për të cilat do të bëjmë fjalë së shpejti), institucioneve etj., etj., dhe kthehuni aq kohë sa iu ka mbetur deri në rotacionin normal të pushtetit dhe vihuni në krye të punëve për të cilën keni kërkuar e marrë (siç) votën e popullit se Gërdeci dhe GërdecBURGU në tentativë nuk njohin as krah të majtë e as të djathtë, ata marrin mbarë, kur ua lini kaq "mbarë" ju…