E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zia e Gërdecit dhe hareja e qeverisë

Dje ishte edhe një ditë tjetër e festimeve qesharake të qeveritarëve shqiptarë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, ndërsa pushteti ekzekutiv po e pompon qëllimisht kurorëzimin e aspiratës mbi 60-vjeçare të vendit, për të përmbysur situatën dramatike të javëve të fundit në favor të kredencialeve të rrënuara qeveritare.

Koncertet e ngjashme me ato që partia në pushtet financon për të bërë fushatë elektorale në mbështetje të kandidatëve të saj, nisën që të premten e shkuar ndërsa opozita manifestonte në shesh, në përkrahje të afrimit të vendit në Aleancën Euroatlantike, por kundër Kryeministrit të vendit. Por ndërsa artistet shalëgjata tregojnë hiret femërore mbi skenat e ndritshme hi-tech, në rrënojat e gropës qeveritare të Gërdecit, 12 kilometra larg qendrës së Tiranës, së fundmi u gjendën mbetjet njerëzore të nënës së dy fëmijëve, punëtore në pastrimin e predhave që shpërthyen më 15 mars 2008. Emrin e Shqipe Alhasës, 25-vjeçares që la dy jetimë, qeveria nuk denjoi as ta përfshinte në komunikatat ditore që shpërndan zyra e shtypit e Kryeministrit të vendit. Sepse Gërdeci është varrosur, dosja e tij u mbyll, viktimat e tij nuk përbëjnë më lajm për qeverinë dhe për të larë duart mjaftoi premtimi për lëvrimin e Fondit të Kontigjencës, shpallja e atyre pak orëve zyrtare të ditës së zisë dhe ushqimi i shpresës së të mbijetuarve se një ditë do të kompensohen për krimin qeveritar.

Në Shqipëri edhe më indiferenti nuk do të kishte imagjinuar se një krater kaq përvëlues, do të ishte varrosur kaq shpejt dhe me kaq përdhunë. Viktima më e fundit ka vetëm pak orë nën tokë, ndërsa mbi të qeveria bën diskon e afrimit me NATO-n. Mijëra kryefamiljarë duhet ta rinisin nga e para jetën e re në një tokë të helmuar, duke pritur ndihmat ushqimore të qeverisë dhe të donatorëve të huaj, duke shpresuar në bujarinë e qeverisë, qindra biznese presin ndihmën për të dalë nga falimentimi, ndërsa ministritë po shpenzojnë qindra-milionë lekë për bandat performuese, banderolat dhe pllakatet luksoze. Në Shqipëri edhe Ceni, prototipi i militantit të selisë blu, që prej tre vitesh po ia sheh hajrin punës në shtetin rrumpallë, është rikthyer po me atë fudullëkun e para 15 marsit 2008. Atij i ka ardhur sërish ngjyra e fytyrës, madje më e ndezur se e Doktorit të qeverisë.

E ka hequr maskën e meitit që i kish rënë ditën e Gërdecit. Shokët e Cenit janë pakica që vjel të mirat e abuzivizmit me pushtetin në Shqipëri, ajo pakicë që nën mbrojtjen e kryeministrit dhe të ministrave të tij, po përpiqet që sa më shpejt të mbushë thesin. Përballë saj është shumica, viktimë e kësaj klase të ringritur dhe që është edhe më harbute se ajo që la ish-qeverisja e Nanos në 2005. Për fat të keq, kjo shumicë, publikisht po e amniston kryeministrin dhe modelin e tij të drejtimit të pushtetit. Ajo, pas masakrës shtetërore të 15 marsit 2008, vijon të besojë se klasa politike në pushtet, do të ketë vënë mend për të qeverisur me këmbë në tokë, për të emëruar njerëzit e duhur në postet e duhura dhe për të rivendosur rregullin në një xhungël ku fiton më i forti, për të besuar se ekipi qeverisës do të arrijë të ketë vetëkontrollin dhe të menaxhojë përkrahjen e fuqishme perëndimore që po u jepet shqiptarëve, jo vetëm brenda kufijve administrativë. Por realiteti shqiptar është vrasës dhe nuk puqet me iluzionet naive që vijojnë të kenë shqiptarët e nënshtruar përballë qeverisë së tyre. Hareja në qendër të Tiranës ndërsa në Gërdec vijon zia, është njëri prej aspekteve se sa larg është kabineti qeveritar nga nevojat imediate që ka vendi dhe shtetasit e tij.

Aspektet e tjera janë mina të kurdisura që po të shpërthejnë, do ta hedhin në erë vendin më të varfër të Europës. Ato nuk kanë patur përmirësim, sepse qeveria jo vetëm është e paaftë, por edhe e kapur nga filozofia e shtetit piramidal të viteve '90 e nga monopolet që vdesin çdo përpjekje vendase dhe të huaj për t'u bërë promotorë të zhvillimit të vendit. Harbutëria e qeverisë do të shtohet, sepse ajo nuk ka asgjë për të humbur. Dëshpërimi në vend është më i thellë se para 12 qershorit 2006, kur vendi nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocciimit me BE-në, sepse qeveria nuk ka përmbushur shumë prej kushteve dhe detyrimeve që parasheh marrëveshja. Malit me reforma të pakryera do t'i shtohen kushtet e reja të artikuluara në Bukuresht, në 4 prill 2008, në mënyrë që ftesa të shndërrohet në anëtarësim të plotë në NATO.

Klasa politike në pushtet, megjithëse bën të lumturuarën që ka hedhur pas hijen e zezë të Gërdecit, ka kuptuar të vërtetën e madhe: nëse deri para 15 marsit e kishte të humbur fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pas krimit shtetëror të Gërdecit e ka falur atë. Duke e shoqëruar me hare të pashpirt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›