Gërdeci, Bumçi: Dokumenti i Braçes, i falsifikuar
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, e konsideroi të falsifikuar dokumentin e pretenduar nga opozita, se ai i ka drejtuar djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, gjatë kohës kur ishte Ministër i Drejtësisë. Në konferencën e djeshme për shtyp, Bumçi tha se: "Gjatë kohës që kam shërbyer në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, i jam drejtuar vetëm institucioneve shtetërore dhe në asnjë rast personave privatë, as vetë, as nëpërmjet ndonjë vartësi nuk kam dërguar shkresë drejtuar z. Shkëlzen Berisha". "Çdo shkrim me dokumentin e pretenduar është i falsifikuar dhe nuk i është ministrit të Drejtësisë, gjë që vërtetohet shumë thjesht nga verifikimi i kaligrafisë dhe se në Arshivën e Ministrisë së Drejtësisë nuk gjendet asnjë dokument që të përmbajë shënimin në fjalë". Ndërsa nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe lidhur me pretendimin e Bumçit u shpreh se "ish-ministri nuk mund të pretendojë për një dokument të falsifikuar, për sa kohë që ne nuk e kemi bërë ende publik". Braçe thekson se dokumenti do të bëhet publik në debatin parlamentar të së hënës. "Ne këtë dokument do ta bëjmë publik, nëse zoti Bumçi ka probleme, le t'i drejtohet organit të Prokurorisë, nëse pretendon se firma e hedhur nga vetë ai nuk është e vërtetë. Por më parë se të shkojë në Prokurori të japë llogari dhe të ballafaqohemi, duhet të dorëzojë imunitetin e tij", deklaroi Braçe për "Panorama". Dy deputetët socialistë Braçe dhe Balla kanë akuzuar Bumçin se ka firmosur dhe përcjellë shkresa për Shkëlzen Berishën.