Sytë nga Partizani, që do t’i largohet fundit
Partizani kërkon të bëjë kthesën në ndeshjen me Shkumbinin. Të kuqtë renditen të fundit pas 8 javëve kampionat, ndërsa rivali i tij i ditës së shtunë, Shkumbini, ka shtatë pikë më shumë (12). Në prezantimin e tij si trajneri i ri i Partizanit (në fakt është në një rikthim pas gjashtë vitesh), Shpëtim Duro tha qartë: “Ky Partizan nuk e meriton vendin e fundit dhe se grupi ka forcë për të dalë nga gjendja aktuale”. Tani pas pesë ditësh në krye të 15-herë kampioneve, ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, kroatit Oto Bariç, ka krijuar përfytyrimin e tij për skuadrën. Fitorja në Tepelenë e ka ngrohur Duron, por “Shpëtimi” i Partizanit pret nga skuadra reagimin e parë serioz në Kampionat. Ndërkaq, pritet që në tribunën e stadiumit “Qemal Stafa” të jetë trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, i cili do të ndjekë edhe takimin e së dielës midis Tiranës dhe Besës. Holandezi vjen me synimin për të parë në aksion nga afër lojtarët që janë kandidatë për Kombëtaren.
APOLONIA-DINAMO
Nuk kanë asnjë objektiv tjetër veç fitores me Apoloninë dhe Dinamo e vendit të tretë udhëton qysh sot në Fier, për t’u “ambientuar” me klimën fierake, ku do të luajë në një “Loni Papuçiu” pa tifozë. Mesfushori i talentuar dinamovit është shqetësimi i vetëm në kampin blu, pasi Nertil Ferraj ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Albpetrolit. Edhe mesfushori Hetlem Çapja është në dyshim për aktivizimin kundër Apolonisë. Rikthimi i tij nga Norvegjia u konsiderua si një nga goditjet më të bujshme në merkaton blu. Në tetë javët e para edhe pse Sebino Plaku është golashënuesi më i mirë i Dinamos (4 gola). Sulmuesi do të mungojë në ndeshjen kundër Apolonisë për shkak të kartonit të kuq të marrë me Partizanin.
Vllaznia-Elbasani
Në “Loro Boriçi” do të përballen dy skuadra, që në tetë javët e para kanë grumbulluar të njëjtin numër pikësh, 12, por sfida mes Vllaznisë e Elbasanit ka një shije të veçantë. Shkodranët do të përballen me ish-trajnerin e tyre Mirel Josa. Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj (2 pikë në 3 ndeshjet e fundit) synon rikthimin te fitorja pas humbjes me Besën. Fituesja e edicionit të kaluar të Kupës së Shqipërisë ndodhet nën presionin e presidentit Valter Fushaj.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 9/1-2 nëntor
Të shtunën
Vllaznia-Elbasani
Gjyqtar: L.Jemini
Partizani-Shkumbini
Gjyqtar: T.Latifi
Apolonia-Dinamo
Gjyqtar: S. Çekaj
Flamurtari-Bylis
Gjyqtar: E.Dobi
Të dielën
Lushnja-Teuta
Gjyqtar: K.Meta
Tirana-Besa
Gjyqtar: A. Janku