“Gërdeci”, Familjarët: KLD të kontrollojë punën e gjyqtarëve

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit do të dalin sot në një konferencë për shtyp për të bërë publike disa kërkesa drejtuar organizmave institucionalë.
Konferenca do të zhvillohet sot në orën 11:00 përpara Gjykatës së Apelit të Tiranës, ndërsa disa nga kërkesat, të cilat janë mbështetur edhe nga 41 organizata të tjera të shoqërisë civile janë edhe zbardhja e plotë e vendimit të 12 marsit 2012 si dhe Kontrolli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur.
Ja kërkesat:
1. Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim për të mundësuar apelimin nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
2. Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proces që përfshin interesin e të gjithëve.
3. Gjykata e Apelit Tiranë të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Në vendimin e saj të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin e domosdoshëm në trajtimin e çdo kërkese nga ana e institucionit të Prokurorisë.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur.
5. Institucionet shtetërore të lartpërmendura të trajtojnë pa vonesë dhe brenda kompetencave të veta çdo kërkesë legjitime të familjarëve të viktimave të Gërdecit.
6. Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave, dhe Gjykatën e Tiranës të marrin masat përkatëse për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi.
Shpërthimi i një fabrike demontimit të armëve solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve. Tragjedia e Gërdecit ndodhi paraditen e 15 marsit të vitit 2008. Më 12 mars, tre ditë para 4 vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund maratonës së gjatë të procesit për 29 të akuzuarit për këtë ngjarje të rëndë. 20 prej tyre kanë marrë një dënim total prej 98 vitesh burg, afërisht një shekull. Ndërsa 9 të tjerë kanë hequr përfundimisht akuzat nga shpatullat duke u deklaruar të pafajshëm.